Berjashi: Mos na diskreditoni ekonomikisht e moralisht!

December 22, 2016   | Shtypi / Mediji

Ibrahim-BerjashiIsh-punëtorët e ndërmarrjeve të Kosovës, shtetas të Malit të Zi e qytetarë të Ulqinit, kërkojnë pensionet për vitet e dekadat e punës, atje në Kosovë. Shumica janë të moshuar, jetojnë në varfëri ekstreme edhe gjendje të rëndë shëndetësore, disa edhe kanë vdekur të zhgenjyer që s’kanë arritur të jetësojnë këtë të drejtë njerëzore. Ç`ka është edhe më keq, kemi të bëjmë me emra dhe personalitete të spikatura të kulturës, shkencës, arsimit, gjyqit, administratës në Kosovë edhe te shqiptarët në Malin e Zi.

Kontributi dhe sakrificat e tyre janë të pamohueshme mbi mvehtësimin e Republikës së Kosovës. Ish-punëtorët e ndërmarrjeve të Kosovës, shtetas të Malit të Zi kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të realizojnë të drejtat e tyre. Ja letra e tyre: Letër e hapur kryekuvendarit, Kadri Veselit, kryeministrit, Isa Mustafa dhe ministrit, Arban Abrashi. Të ndëruara autoritete të Republikës së Kosovës, kemi shumë konsiderata për përpjekjet që po bëni për të ndërtuar shtetin demokratik, ligjor dhe evroatlantik. Që në vitin 2008, kur Kosova u shpall shtet sovran edhe i pavarur, kemi trokitur në zyrat e Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale në Prishtinë për të marrë mundin edhe djersën tonë të derdhur në vitet më të shtrenjta të jetës, por kot.

Të gjithë zyrtarëve të Republikës së Kosovës, Thaçit, Kuqit, Tahirit, Brovinës, Kurtit, Kurteshit etj të cilët kanë vizituar Ulqinin, ua kemi shprehur qartë e saktë shqetësimin tonë. S`ka përgjigje as sot e kësaj dite! Në fund të vitit 2014, dy ministritë e punës dhe të mirëqenies sociale, të Malit të Zi e Kosovës, kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen reciproke të stazhit për të marrë pensionin minimal për 15 vite me kontribute të paguara. Mali i Zi që në fillim të vitit 2015 ka nisur edhe është duke implementuar këtë marrëveshje të nënshkruar për vitet që kanë punuar në këtë shtet, ndërsa ato të Kosovës shërbejnë vetëm për të plotësuar 15- vjetëshin e marrjes së pensionit minimal!? “Pra, Mali i Zi,po e kryen obligimin e vet, pengesë është Kosova. Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale na kanë Borxh pensionet tona”, thotë Ibrahim Berjashi, kryetar i Shoqatës së ish- punëtorëve të Kosovës në themelim Ulqin.

Ai tregon se me rastin e takimit në majin e këtij viti më ministrin Abrashi, i informoi se në hartim e sipër është Ligji, i cili kodifikon skemat pensionale. Në këtë ndërlidhje, në një atmosferë shumë miqësore dhe mirëkuptimi, kemi pas vazhduar bisedimet me Bahri Xhaferin, drejtor i Departamentit të Pensioneve të ministrisë përkatëse. Në praninë edhe të këshilltarëve të ministrit, Xhaferit ia kemi dorëzuar e plota për katër pensionistët, të cilët kanë nga 15 e deri në 30 vjet pune në ndërmarrjet kosovare deri në vitin 1999. Drejtori Bahri Xhaferi na pat premtuar se do të definojmë mënyrën më të mirë që të zgjidhjet çështja juaj. “Ne jemi shumë të pakënaqur me zvarritjen e kësaj çështjeje, sepse pensionistët me familjet e tyre janë në një varfëri të skajshme,me gjendje të rëndë shëndetësore pa pasur mundësi të blejnë ilaçet e duhura”, tah Berjashi.

Ai shtoi se nga radhët tona shumë veta kanë vdekur, sepse mesatarja e moshës së pensionistëve kosovarë në Ulqin, përkatësisht në Mal të Zi është 62 vjet. Drejtorit Xhaferi në fund të shtatorit i jemi drejtuar me një letër dërguar në postën e tij zartare elektronike,ku ndër të tjera kemi shkruar: “Kanë kaluar disa muaj nga takimi jonë që kishim në ministri. Kemi pritur ndonjë lajm të mirë, por ende asgje. Ne, pensionistët e Kosovës në Ulqin, shtetas të Malit të Zi, e vlerësojmë (këtë, shënimi ynë) si një degradim shumë të rëndë edhe antihuman”.

Nuk kemi ku të ankohemi, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës është trashëgimtare të atyre ndërmarrjeve ku kemi punuar. Ish punonjësit lusin kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Isa Mustafa, që në institucionet shtetërore brenda këtij viti ta zgjidhni çështjen tonë, në mënyrë ministria respektive të ndërtojë infrastrukturën ligjore edhe rreth 60 pensionistët e Kosovës në Ulqin, të gëzojnë atë që u takon. Nga ana tjetër “Toskanapres.info”, disa herë ka shkruar rreth mos zgjidhjes së çështjes së pensioneve dhe ministri pati premtuar se do t’i pres pensionistët nga Mali i Zi dh e do ta zgjidh çështjen, por si duket ai nuk ka mbajtur premtimet.

Toskanapres.info