Cungu mori pjesë në konferencën e katërt të ambasadorëve në Prishtinë

December 22, 2016   | Politika

Nazif-Cungu-në konferencën e katërt të ambasadorëve në PrishtinëKryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, mori pjesë në konferencën e katërt të ambasadorëve në Prishtinë, që po mbahet më 19-22 dhjetor.

Mnistri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, falënderoi Nazif Cungun për pjesëmarrjen dhe kontributin e tij në Konferencën e sivjetme të Ambasadorëve, ndërsa biseduan për projektet e përbashkëta të parapara mes Kosovës dhe Ulqinit.

Cungu theksoi në faqen e tijë të Facebook-ut: Sot pata rastin te marr pjese në Konferencën e Katërt të Ambasadorëve ne Prishtine madje edhe ne diskutimet për City Diplomacy me kryetarët nga qytetet e katër shteteve.

Konferenca e katërt e Ambasadorëve e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ka filluar ditën e dytë me diskutimet në panelin e parë ku është folur për sigurinë e Kosovës dhe marrëdhënien me NATO-n, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga MPJ e Kosovës bëhet e ditur se panelistët kanë vlerësuar se siguria në rajon dhe në botë, ka ndikim edhe në sigurinë e Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se siguria globale ka ndikim direkt në sigurinë e Kosovës dhe, sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO, do të ndikojë për sigurinë e Kosovës dhe atë globale. Ai ka theksuar se zhvillimet në rajon, por edhe në Lindjen e Mesme kanë ndikim edhe në Kosovë.

Nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se koha në të cilën jetojmë dhe e ardhmja, shkon drejt ndërlidhshmërisë dhe theksoi se njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është me rëndësi për stabilitetin dhe integrimin evropian të dy shteteve.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se gjatë viteve të fundit MPB-ja dhe agjencitë tjera kanë shënuar rezultate të prekshme, por ai theksoi se në rrafshin e përgjithshëm, sfidat mbesin edhe më tej.

Sipas Hysenit, integrimi i Kosovës në strukturat e sigurisë, euroatlantike dhe ndërkombëtare është i një rëndësie tepër të veçantë, sepse në kohën e internetit, këmbimi i informacionit është thelbësor për luftimin e dukurive negative.

Duke folur edhe për sfidën e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, Hyseni theksoi se Kosova do të vazhdojë për përpjekjet që në vitin e ardhshëm të jetë pjesë e kësaj agjencie.

Kurse ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), Haki Demolli ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së është paraqitur në dy rrafshe, atë legjislativ dhe përgatitjeve për planifikim të transformimit të FSK-së në forcë të armatosur, që gjithsej janë pesë shtylla të transformimit. Ai tha se MFSK, në rrafshin bilateral, deri më tash ka nënshkruar 12 marrëveshje bashkëpunimi, përfshirë edhe shtete të NATO-s.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka vlerësuar lartë letrën e NATO-s dërguar Kosovës për intensifikimin e bashkëpunimit dhe sipas tij, Kosova po kalon në një tranzicion, nga konsumuese e sigurisë në kontribuuese të saj. Kurse, ambasadorja e Republikës së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka folur për bashkëpunimin e NATO-s me Kosovën dhe në veçanti për partneritetin për paqe.

Konferenca e katërt e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës do të vazhdojë punimet gjatë ditës ku do të diskutohet për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe aplikimi për statusin e kandidatitë Diplomacinë Ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja, Diplomacinë multilaterale: përfitimet nga anëtarësimet dhe aplikimet e reja.

Anadolu Agency