Kaos në Murriqan; Qindra mjete të bllokuar në pikën kufitare

December 27, 2016   | Ngjarjet - Events

Sukobin-Muriqan-KufiriTë hënen prej disa orësh situata në pikën kufitare të Murriqanit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi ishte kaotike.

Janë me qindra mjete që presin në radhë për të hyrë në shtetin fqinj. Udhëtaret thonë se radha e mjeteve shkon deri në 3 kilometra dhe pala shqiptare punon me 2 sportele.

Ndërkohe nisur nga kjo situatë, pala malazeze po lejon që të kalojnë vetëm mjetet e vogla, ndërsa rreth 12 autobusë me turistë nuk lejohen.

/ Top Channel

 

Mali i Zi bllokon lëvizjen në pikën doganore të Murriqanit

Pala malazeze ka bllokuar prej disa orësh lëvizjen në pikën doganore të Murriqanit, duke krijuar radhë të gjata makinash në pritje për të kaluar kufirin.

Sipas një telefonate në Opinion.al, është bërë me dije, se pjesa doganore e Malit të Zi për më shumë se tre orë nuk është funksionale, ndërsa ende nuk dihen arsyet që kanë çuar palën malazeze në këtë vendim.

Po i njëjti burim, tha se për këtë shqetësim është telefonuar ambasadori shqiptar në Podgoricë dhe pas ndërhyrjes së tij, në këto momente, pala malazezë ka filluar të funksionojë vetëm me një sportel në pjesën e saj doganore.

Mësohet, se ky është një problem i përsëritur nga ana malazeze dhe arsyet janë të shumta.

Disa më kryesoret, sipas informacioneve të siguruara nga Opinion.al, është moszbatimi i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe korrupsioni shumë i theksuar tek punonjësit e doganës malazeze, i cili kohëve të fundit është bërë shumë shqetësues për kalimin e kufirit nga Shqipëria për në Mal të Zi.

Gazeta MAPO

 

Bllokohet dogana e Murriqanit, qindra shqiptarë të bllokuar në Mal të Zi

Qindra qytetarë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar prej mëse tre orësh në doganën e Murriqanit nga pjesa e Malit të Zi. Ata janë duke tentuar të hyjnë në territorin shqiptar por pala malazeze u thotë se nuk punojnë sportelet si pasojë e mosfunksionimit të sistemit kompjuterik.

Janë dhjetra autobusë që kanë ngecur të bllokuar, në brendësi të të cilëve gjenden fëmijë, pleq e të sëmurë. Për momentin kalojnë vetëm makinat e vogla ndërsa autobusët nuk lejohen.

Një situatë e tillë ka shkaktuar një pakënaqësi të madhe të qytetarëve kundrejt Ministrisë së Jashtme dhe autoriteteve shqiptare të cilët me sa duket deri në këto momente po flenë

I bëjmë thirrje strukturave përkatëse të angazhohen sa më shpejt dhe të zgjidhin këtë situatë të rëndë të këtyre shtetasve shqiptarë.

Indeks online