“Art Club” shënoi 26-vjetorin

December 28, 2016   | Kulturë / Kultura

Shoqata-Art-Club-Ulqin.1Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi sot 26-vjetorin e themelimit me një takim pune të anëtarëve të saj, të mbajtur në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.

Kryesia e Shoqatës prezantoi rezultatet e punës gjatë këtij viti, ku vlen të theksohet se është mbajtur me sukses edhe një edicion i manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, ku kanë marrë pjesë shkrimtarët Flutura Açka, Ag Apolloni dhe Enes Haliloviq. Në fushën e veprimtarisë botuese, në vitin 2016 janë publikuar gjashtë libra, katër prej të cilëve janë autorë të rinj që botojnë për të parën herë me firmën e “Art Club”-it, ndërkohë që në procesin e përgatitjes për botim janë edhe katër libra të tjerë. Shoqata ka organizuar po ashtu përurimin e katër librave, ndërsa janë mbajtur ekspozita të piktorëve Rudi Goga dhe Qazim Muja, si dhe ekspozita fotografike e Jetlir Kovaçit. “Art Club”-i ka shënuar 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Esad Mekuli, si dhe Ditën Botërore të Librit, ku krijuesit e kësaj shoqate kanë mbajtur një orë letrare në Shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Triepsh. Anëtarët e “Art Club”-it kanë marrë pjesë në Festivalin e Poezisë “Pranvera Poetike Durrsake”, ndërsa në kuadër të Festivalit Letrar të Shkodrës është organizuar takim me poetin dhe studiuesin Haxhi Shabani. Revista “Lemba” është prezantuar në Panairin Ndërkombëtar të Revistave në Stamboll, kurse botimet e shoqatës në Panairin e Librit në Podgoricë dhe në Panairin e Librit në Ulqin. Krahas kësaj, në kuadër të aksionit për pasurimin e fondit libror të bibliotekave të shkollave shqipe janë dhuruar libra për Shkollën fillore “Gjergj Kastri – Skënderbeu” – Triepsh, Shkollën fillore “Boshko Strugar” – Ulqin dhe Gjimnazin “Vladimir Nazor” – Zarë.

Me këtë rast është promovuar edhe faqja online e Shoqatës.

Anëtarët vlerësuan se përkundër mbështetjes së vogël financiare, sidomos nga institucionet komunale, kjo shoqatë ka arritur rezultate të dukshme gjatë vitit që po lëmë pas. SHAI “Art Club” falënderon të gjithë donatorët që e kanë mbështetur në realizimin e projekteve të tij.

Me një minutë heshtjeje në fillim të takimit u nderuan anëtarët e kësaj shoqate, piktori i njohur Gjelosh Gjokaj nga Malësia dhe historiani nga Ulqini mr. Riza Rexha, të cilët u ndanë nga jeta gjatë këtij viti.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve të Ulqinit. Ajo është një ndër shoqatat më të vjetra të shoqërisë civile të krijuara në periudhën e pluralizmit jo vetëm ndër shqiptarë, por në tërë Malin e Zi.

 

 

 

 

Ulqin, më 28 dhjetor 2016