Intervistë ekskluzive me profesorin Jusuf Cufo Lika ne emisionin Portreti

December 31, 2016   | Intervista / Intervju, Lajmet / Vijesti

Intervistë me Jusuf-Cufo-Lika-Hatixhe-Nelaj-UlqinNë televizionin Teuta mund të ndiqni emisionin “Portreti” me Hatixhe Nelaj.

Protagonist i emisionit është themeluesi dhe drejtori i shkollës së vetme të muzikës në Ulqin, Jusuf Cufo Lika.

Jusuf Cufo Lika është muzikant shqiptar nga Mali i Zi. Lindi në Ulqin më 1953 dhe shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme të muzikës e kreu në Dubrovnik. Akademinë e Arteve – Degën e Muzikës e kreu në Prishtinë. Merret me kompozime të këngëve popullore të cilat u intepretuan në festivale të ndryshëm dhe me fotografi dokumentare dhe artistike. Eshtë themeluesi i Shkollës Fillore për Arsimin Muzikor në Ulqin, e hapur më 1995.

Jusuf Lika hapi shtigje të reja në jetën muzikore të Ulqinit.

Nga Gjekë Gjonaj

Profesori i muzikës Jusuf Cufo Lika nga Ulqini është një personalitet   i njohur në fushën e artit dhe jo vetëm. Ai veçmas shquhet për ringjalljen dhe përhapjen e kulturës muzikore në këtë qytet, por edhe për afirmimin e   historisë së lashtë të qytetit të tij të lindjes – Ulqinit. Në këto dy shtylla të rëndësishme e ka   ndërtuar të gjithë veprimtarinë e tij të deritashme artistike e kultorore, që   meriton të vlerësohet dhe të respektohet, për shkak se me idetë dhe veprimet e tij arriti mbi të gjitha të përhapë kulturën muzikore në këtë qytet, si askush para tij. Personalisht e njoh atë që nga viti 1991. Ai mbaj mend se në rolin e redaktorit na ndihmoi në përgatitjen e një programi muzikor të emisionit Kronika e javës” në Televizionin e Malit të Zi   me rastin e festës së fundvitit. Ky emision pati shumë sukses dhe jehonë tek teleshikuesit në të gjitha venbanimet shqiptare në Mal të Zi.

Prej atëherë e kam kuptuar se atij i pëlqen të punojë i lirë, pa porosi, me idetë e veta, duke mos dëshiruar lëvdata. Dhe kjo tani kur jemi shok dhe bashkëqytetar të Ulqinit më ka pëlqyer për një arsye të thjeshtë. Për faktin se puna e artistit nuk është që të punojë për të fituar çmime as lavdi. Ai duhet të punojë për të krijuar art, për të qenë një hap para kohës. Artisti dhe arti nuk njohin kufij, janë institucionet ato që dallohen.

jusuf-lika-muzikolog-Ulqin

Me një ëndërr të bukur në shpirt Jusuf Lika mori udhën për në “ mbretërinë” e muzikës në vitet 60-të të shekullit të kaluar, në kohën kur mësuesi i tij i muzikës i ndjeri Qamil Gorana në orët private ia ka shkruar notat në fletore.

Një stacion ishte Shkolla e Mesme e Muzikës në Dubrovnik. Më pas Akademia e Muzikës në Lubjanë   e Prishtinë, ku edhe u diplomua në drejtimin artistiko-pedagosjik. Dhe pastaj njohuritë e tij të fituara nga fusha e kulturës muzikore në institucione të njohura në Dubrovnik, Lubjanë dhe Prishtinë, me t’u kthyer nga studimet në vendlindje, i vuri në shërbim të hapjes së shkollës së muzikës në Ulqin. Idenë për hapjen e kësaj shkollë i kishte filluar ta realizojë   në vitin 1982, kurse ëndrrën e tij të kahmotshme e finalizoi në vitin 1995. Ky vit shënon fillimin e mësimit muzikor në Ulqin. Në prill të atij viti ka filluar punën Shkolla Fillore për Arsimin Muzikor në Ulqin si paralele e Shkollës së Ulët të Muzikës në Tivar nën udhëheqjen e profesorit të muzikës Jusuf Likës. Në hapjen e kësaj shkollë e kanë ndihmuar shumë dashamirë të artit dhe kulturës muzikore, ndër të cilët duhet përmendur ish – kryetarët e Komunës së Ulqinit, Batko Gjakonoviq dhe Mehmet Bardhi, ish-drejtorin e Bibliotekës së Ulqinit , Fadil ]Kroma dhe ish – drejtorin e Shkollës së Muzikës   në Tivar, Bozhidar Rakonjac.

Jusuf-Cufo-Lika-2

Prej atëherë jeta dhe veprimtaria e profesor Likës u lidh pazgjidhshmërisht me shkollën e muzikës në Ulqin.

Në vitin e parë shkollor u regjistruan 42 nxënës në degët piano, kitarë dhe fizarmonikë. Më vonë interesimi për kulturën muzikore në këtë qytet rritet ndjeshëm, sikurse edhe numri i nxënësve.

Në vitin shkollor 2000/2001 kjo shkollë me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Mal të Zi mëvetësohet , dhe fillon punën e saj si shkollë e pavarur me të drejta si shkollat e tjera në Mal të Zi.

Themeluesi dhe drejtori i shkollës Jusuf Lika thotë se gjatë 20 viteve kanë kaluar nëpër sfida të ndryshme, duke filluar nga kushtet për punë, hapësirat e pamjaftueshme, mungesa e mjeteve të punës, instrumenteve muzikore dhe të kuadrit. Lika pohon se kur është hapur shkolla ka pasur vetëm një piano të cilën e ka blerë në ankand në Valdanos, një kitarë dhe një fizarmonikë, kurse më pas me para të veta i ka blerë shtatë violinat e para.

Falë punës me përkushtim të madh, në radhë të parë të profesor Likës   dhe të gjithë të tjerëve në shkollë, dhe me përkrahjen e institucioneve   vendore, shtetërore dhe donatorëve vendas dhe të huaj,   ky kolektiv i vogël u rrit në një familje të madhe muzikantësh, kështu që në vitin e 20-të jubilar numëron afro 300 nxënës dhe 26 të punësuar.   Sipas fjalëve të Likës arritjet e kësaj shkollë janë të shumta në konkurimet artistike muzikore shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmime të para në shumë festivale brenda dhe jashtë Malit të Zi. Kulmi i sukseseve të kësaj shkollë është pjesëmarrja në garat e Vjenës, ku dy herë me sukses ka përfaqësuar Ulqinin dhe Malin e Zi.

jusuf lika

Mësuesit e kësaj shkollë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin dhe pasurimin e traditës muzikore të Ulqinit, kurse krijimi i shkollës së muzikës pati një rol të rëndësishëm për përhapjen e artit muzikor në përgjithësi. Shkolla e muzikës në Ulqin u bë misionare e përhapjes së artit muzikor, ndërsa drejtori i saj me veprimtarinë e tij hapi shtigje të reja në jetën muzikore. Me angazhimin e tij shumëvjeçar solli në shkollë vegla të ndryshme muzikore me vlreë prej 500 mijë euro, ndër to edhe pianon koncertal në sallën e madhe të Qendrës Kulturore të Ulqinit.

Jusuf Lika shpirtin e tij të artistit e dëshmoi edhe përmes fotografisë. Familja e tij nxiti tek Lika ndjenjën e tij për fotografinë, ndjenjën e dashurisë për të mirën dhe për të bukurën. Ishte pastaj Ulqini, me historinë, traditat dhe njerëzit e saj, me bukurinë dhe peisazhin e mrrekullueshëm, që ngacmuan dhe nxitën te Jusuf Lika   frymëzimet e para për fotografi. Punoi një kohë në dyqanin e tij të vogël fotografik në Tivar, mirëpo jeta e tij i përkiste një bote tjetër, i përkiste muzikës. Po ashtu është themelues dhe pronar i fototekës së pasur të Ulqinit. Ky “ Marub i vogël” i Ulqinit ”, përmban një arkiv me fotografi që konsiderohen si vlera kombëtare, kulturore dhe historike   të këtij qyteti.

Jusuf-Cufo-Lika

Shumë fotografi dokumentare dhe artistike për të kaluarën e Ulqinit dhe trevës përreth nga fusha të ndryshme të jetës   Jusuf Lika bashkë me prof.dr. Ruzhdi Ushakun i kanë   botuar në monografinë “ Ulqini nga dritaret e kohës”, vepër kjo e dobishme dhe me interes kronologjik për këtë qytet me rrethinë .

Ky pedagog i muzikës, krahas punës frytëdhënëse në institucionin arsimor që e themeloi dhe vazhdon gjihnjë ta drejtojë me sukses, gjenë kohë edhe për shumë veprimtari të tjera.   Puna   me përkushtim, vullneti i madh , energjia dhe idetë e pashtershme   të Jusuf Likës vërehen edhe përmes Fondacionit “ Lika”, nën firmën e të cilit janë organizuar shumë aktivitete kulturore dhe janë botuar disa libra në gjuhën shqipe dhe malazeze. Si botues ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me shumë krijues të njohur shqiptarë dhe joshqiptarë. Në këtë fushë është dora e djathtë e prof.dr. Ruzhdi Ushakut, me të cilin bashkëpunon pandërprerë më se tri dekada.

Pra, Jusuf Lika, ka një botë artisti që me veprimtarinë e tij të shumëllojshme patjetër do të lë gjurmë të pashlyeshme në historikun   e qytetit të Ulqinit.

Jusuf-Cufo-Lika-1

Jusuf Lika-Ulcinj-Ulqin
Jusuf Lika-Ulcinj-Ulqin-1