Kroatët të zëshëm në Bruksel kundër arrestimit të Haradinajt

January 10, 2017   | Bota

tonino_BRUXELLESGjatë diskutimit të raporteve të posaçme për Kosovën dhe Serbinë në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, përfaqësuesja e ekzekutivit europian e injoroi këtë çështje

Rasti “Haradinaj” u përmend me shqetësim, veçanërisht prej eurodeputetëve kroatë, të cilët preken po ashtu nga ligji problematik i Serbisë, që i lejon vetë Beogradit të gjykojë këdo në territorin e ish-Jugosllavisë.

“Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë” u shpreh raportuesja Ulrike Lunaçek dhe se “Beogradi duhet t’i tërheq mbrapsht urdhër-arrestet e vjetruara”, sipas eurodeputetes austriake.

Kreu i Delegacionit të PE për Kosovën, Tonino Picula, deklaroi se “i ashtuquajturi juridiksion rajonal, që i mundëson Serbisë të akuzojë qytetarë të shteteve fqinje, siç dëshmon edhe rasti i zotit Haradinaj, nuk i ndihmon aspak stabilitetit të rajonit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”. Përkrah socialdemokratit kroat, foli Dubrakva Šuica e PPE-së, duke kërkuar nga Serbia që të përballet me të kaluarën e vet, “pasi në të kundërt nuk do të mund të shkojë larg në procesin e integrimit europian”.

Marijana Petir, gjithashtu kroate, ftoi raportuesin për Serbinë, të djathtin gjerman David McAllister, që të ndihmojë “me njohuritë e tij” për ta detyruar Serbinë që të heq nenet e papranueshme në ligjet e këtij vendi, “në mënyrë që mos të pretendohet ngritja e akuzave për qytetarët e vendeve fqinje, siç është rasti me Ramush Haradinaj, por potencialisht edhe për shtetasit e 18 vendeve të tjera të BE- së që kanë marrë pjesë në luftën ballkanike duke mbrojtur Kroacinë kundër agresionit serb”.

Botapress.info