Musa Sabedini: Mos na krijoni mure, Kosova është eksperimentuar mjaft

January 10, 2017   | Opinione

Musa Sabedini-ambasadori i SHBA ne KosoveGazetari dhe publicisti Musa Sabedini u ka dërguar letër publike ambasadorëve të shteteve mike në Kosovë. Në letrën publike, Sabedini ka shkruar për procesin e liberalizimit të vizave dhe pasojat që mund të sjellë shtyrja e saj, për murin në Mitrovicë, për demarkacionin, asociacionin e komunave dhe për çështjet e tjera jetike. Ai ka kërkuar nga ambasadorët që mos të eksperimentohet tutje me Kosovën dhe qytetarët e saj – aleatët më të sinqertë të Evropës.

 

Të nderuar ambasadorë të shteteve më të fuqishme që veproni e punoni në Kosovë

 

Si gazetar me një përvojë të gjatë, me katër çmime të fituara, si profesor e ligjërues gjithashtu në drejtimin e gazetarisë dhe si qytetar i Kosovës, vendosa t`ju shkruaj publikisht për zhvillimet e fundit dhe për ato që unë mendoj se janë esenciale për të ardhmen e Kosovës.

 

Keni parasysh se mendimet e mia përfaqësojnë edhe një pjesë të madhe të shtresës intelektuale dhe asaj shtresës së “heshtur”, që për shumë arsye nuk dëshiron që politikën reale ta zhvendosë nëpër rrjetet sociale, ku rëndom dominojnë paragjykimet kriminale dhe nivelet e ulëta të komentuesve.

 

Pra, e zgjodha këtë rrugë të komunikimit sepse edhe ashtu rrallë merrem me çështjet politike. Jo pse nuk kam çfarë të them, por sepse në Kosovë çfarëdo që shkruan tashmë nuk merret seriozisht. Askush nuk e di saktë se kush kujt t`i besojë. Thjesht, këtu “hero” i ditës favorizohet dikush që tërë ditën shan e ofendon në rrjetet sociale, kurse fare pak çon peshë fjala e një njeriu me përvojë, apo me qëndrime konstruktive.

 

 Musa Sabedini-gazetar

Tani më lejoni të shpreh brengat e mia!

 

Zhvillimet politike në Kosovë, duke filluar me politikën e ngurtë të institucioneve kosovare, duke vazhduar pastaj me një opozitë kryeneçe që vazhdimisht lufton për poenë e jo për interesa të qytetarëve, dhe pastaj duke marrë për bazë edhe eksperimentimin që po i bëni Kosovës me murin në Mitrovicë, gjithsesi mbetem i shqetësuar tej mase.

 

Ky mur dhe jo vetëm ky, nuk është shenjë e as diçka që ju keni luftuar për ta larguar Serbinë nga Kosova. Ky mur e sjellë Serbinë sërish në Kosovë dhe ky mur sjell fat të zi dhe do të mbetet një vrimë e zezë për gjeneratat e reja.

Muri po bëhet me dijeninë e Bashkimi Evropian, ndërsa Serbia po e shfrytëzon në maksimum mirësinë e tij. Muri është një goditje për të gjithë ne që kemi besuar dhe shpresuar se Kosova është një dhe e pandarë.

 

Kosova ka toleruar mjaftueshëm në raport me Serbinë dhe kjo është bërë nga trysnia e presioni i padrejtë që ka ardhur pikërisht prej jush. Ne kemi falur e toleruar skajshmërisht edhe për të bëmat e luftës. Siç e dini asnjë serb i dyshuar për krime lufte nuk e ka marrë dënimin e merituar. Asnjë serb nuk u soll para drejtësisë edhe pse ka qindra e mijëra dosje, prova, fakte, dëshmi, foto, incizime për krimet e kryera. Kjo ishte një goditje e madhe për qytetarët e Kosovës,  në veçanti për ata që humbën më të dashurit e tyre.

Edhe loja me të zhdukurit mbetet sfiduese dhe e dhimbshme për mijëra familjarë kosovarë. Edhe këtu keni bërë pak për ta kushtëzuar Serbinë.

 

E dyta: Është folur gjatë për liberalizimin e vizave, se kosovarët do të ecin lirshëm dhe se do të kenë mundësi punësimi e jetesë normale si të gjithë evropianët. Unë personalisht nuk pres që liberalizimi të ndodhë para vitit 2020, sepse kështu është programuar Kosova, që të eksperimentohet sa më gjatë, me këtë popull që ju deshi e ju respektoi tashti e 17 vjet, por edhe historikisht.

 

Porosia ime është që mos e përbuzni këtë mirësjellje, sepse unë pres zhvillime fatkeqësisht dramatike muajve në vijim. Zgjedhjet assesi nuk janë zgjidhje, sepse qytetari prapë mbetet i varfër e i uritur. Për qytetarin rëndësi ka jetesa e tij dhe zhvillimi ekonomik. Prandaj, shfrytëzoni tërë ndikimin tuaj, që Kosova të ecë tutje, që Kosova mos të mbetet peng i Serbisë dhe as i interesave të tjera të shteteve përreth! Shpejtojeni këtë proces, për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm të të gjitha natyrave, bëni hapin e duhur për t`i bindur kosovarët se vërtet meritojnë dorën e Evropës dhe se meritojnë të jenë nën ombrellën tuaj.

 

Mos e kushtëzoni me demarkacionin, sepse është krijuar bindja e perceptuar nga qytetarët se Kosova po humb tokë e territor dhe është e pamundur të zhvillohen paralelisht këto ndryshime. Personalisht mendoj se edhe po të kalonte demarkacioni prapë s`do të ketë liberalizim të vizave, do të gjendej një arsye tjetër.

 

Kosova, të nderuar ambasadorë, meriton një tretman më serioz, meriton një rishikim të Pakos së Ahtisaarit. Mjaft na keni mbështetur për muri. Unë jam pjesë e asaj shtrese që kam luftuar për shumë vite që të kemi institucione të lira e demokratike. Si student kam vuajtur mjaft nga regjimi i Millosheviqit. Më është mohuar mësimi në kushte normale, kam mësuar nëpër shtëpi private. Kam rrezikuar jetën, profesionin, vetëm që fëmijët tanë të jenë të lumtur. Por, kështu siç po shkojnë gjërat, kam dilema të shumta nëse Kosova do të mund të stabilizohet ndonjëherë.

 

E treta, të nderuar ambasadorë lidhet me çështjen e FSK dhe të Asociacionit e Demarkacionit. Asnjëherë nuk e kam përkrahur opozitën për veprimet e dhunshme, sepse dhuna nuk i duhet Kosovës. Aq më parë kur dhunohen institucionet, dëmtohet prona shtetërore, dëmtohen veturat private etj. Kjo për mua është e dhimbshme. Por, tani kemi një situatë të re dhe qytetarët po e humbin durimin. Qytetari kosovar është i ngarkuar psikikisht, sepse në vend se të mendojë për bukën e gojës, ai tërë kohën duhet të merret me tema rreth Demarkacionit, Asociacionit, FSK-në e tema të tjera, që Kosovën e lodhin, e dërmojnë skajshmërisht. Kosova e meriton ushtrinë e vet, sepse kështu është më lehtë edhe për ju, por nuk meriton të ketë komuna serbe të kontrolluara nga Serbia.

 

Si intelektual më lejoni t’ju rikujtoj se kosovarët historikisht janë njerëz mikpritës, të besës dhe përkrahës të mëdhenj të shteteve mike. Andaj punoni dhe bëjeni Kosovën meritueshëm pjesë të Evropës.