Problemet e Vllaznisë, dështon në çdo aspekt faza përgatitore në Ulqin

January 18, 2017   | Sporti / Sport

vllaznia-UlqinVllaznia ka disa vite që nuk është aty ku tifozët e zjarrtë shkodranë kërkojnë ta shohin. Prej gjashtë sezonesh po lufton për mbijetesë dhe, pavarësisht se drejtuesit e klubit japin çdo vit garanci për anën financiare, menaxhimi që po i bëhet skuadrës po lë shumë për të dëshiruar. Miqësorja, e cila u luajt me një seleksion lojtarësh anonimë nga Azia dy ditë më parë dhe që u mbyll pas 25 minutash, konfirmoi edhe një herë se gjërat nuk po shkojnë aspak mirë.

Drejtuesit e klubit shkodran dhe trajneri Armando Cungu nuk denjuan dje të bënin një reagim pas saj që ndodhi në miqësore. Të kontaktuar nga gazeta, ata nuk kanë pranuar të komentojnë përse zgjodhën këtë test kundër anonimëve që rrezikoi jo pak dëmtimin e lojtarëve shkodranë. Natyrisht, përgjegjësia bie mbi ta, por një klub si Vllaznia nuk mund të dergjet në këtë situatë, pavarësisht vështirësive që mund të ketë. “Panorama Sport” mëson se edhe vetë futbollistët kanë mbetur shumë të habitur nga kjo zgjedhje e stafit për të luajtur një ndeshje me lojtarë amatorë.

Problemet
Tashmë, minifaza përgatitore në Ulqin mund të quhet plotësisht e dështuar, sepse nuk u zhvillua asnjë miqësore në ditët e qëndrimit aty dhe, për më tepër, përveç motit të keq, pesë lojtarë nuk janë stërvitur prej gjendjes gripale. Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese, është fakti se në një klub si Vllaznia mësohet se po mungon edhe baza materiale.

Nën zë, lojtarët janë ankuar edhe për topat e paktë që janë në dispozicion të skuadrës për stërvitje. Nga ana tjetër, trajneri Cungu është ankuar disa herë për faktin se drejtuesit nuk kanë bërë merkato. Mësohet se ai është shumë i zhgënjyer me situatën, për më tepër që minifaza shkoi keq. Klubi nuk gjeti mundësi ta çonte ekipin në Antalia, ashtu siç bënë gjashtë skuadra të Superiores.

Tashmë, në një kampionat të egër, që sipas Cungut do të luftohet që në sekondën e parë, Vllaznia rrezikon shumë. Nëse dikush e ka paragjykuar trajnerin shkodran, kur ka thënë në fillim të sezonit se ky ekip kaq mundësi ka, tani është momenti t’i japë të drejtë. Mënyra se si funksionojnë gjërat në klub po lënë për të dëshiruar, për më tepër që pretendohet se ana financiare është e garantuar.

PanoramaSport