Haki Demolli – Dinoshës: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO – sukses edhe i rajonit

February 1, 2017   | Politika

Demolli - DinoshaMinistri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, priti në takim, për herë të parë, ambasadorin fuqiplotë të Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha.

Demolli e njoftoi ambasadorin Dinosha me misionin, detyrat dhe aktivitetet e FSK-së, si edhe për bashkëpunimin e saj me partnerët strategjikë në rajon dhe më gjerë.

Demolli vlerësoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet Kosovës e Malit të Zi duhet të reflektohen edhe në bashkëpunimin midis Ministrisë për FSK dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi. Ai theksoi se të dy vendet kanë aspirata të njëjta, integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO.

Ministri Demolli e vlerësoi progresin e Malit të Zi për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e cilësuar këtë si sukses jo vetëm për Malin e Zi, por për mbarë rajonin.

Nga ana e tij, ambasadori Dinosha shprehu përkrahjen e parezerve të Malit të Zi për Kosovën në rrugën e saj evropiane. Ai tha se marrëdhënie e mira midis dy vendeve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Dinoshi theksoi se paqja dhe prosperitetit i shtetit të Kosovës është në interes të rajonit në përgjithësi. (r.m.)

Telegrafi