Gjonaj: Magjia 130 vjeçare e cila ndriçoi Trieshin

February 17, 2017   | Reportazh / Reportaža

Gjeke-Gjonaj-UlqinMendoj se  bashkëvendasit e mi  në Amerikë, të cilët deri më tani kanë investuar në vendlindje  mbi 2 milionë dollarë, do të ishte mirë sikur vitin e ardhshëm të financojnë ngritjen e  bustit apo përmendores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në oborrin e kësaj shkollë. Kjo për faktin se  me datë 11 mars 2018 do të mbushen 50 vjet që kjo shkollë mban me krenari emrin e  prijësit  tonë legjendar.

 

Nga Gjekë Gjonaj

 

Treshianët këtë vit  ndjehen  më shumë se krenarë. Dhe kanë arsye. Sepse sivjet mbushen 130 vjet  në rrugën e    dijes për të gjithë bijtë e bijat trieshiane dhe shkollarët e  tjerë  që u shkolluan këtu. Trieshi , pra,   ka madhështinë  të përkujtojë se nuk njihet vetëm për historinë e  tij në luftë por edhe në përhapjen dhe ruajtjen  e gjuhës shqipe, në përhapjen e arsimit shqip, pavarsisht veshtirësive te asaj kohë dhe problematikave të shoqëruara gjatë viteve.  Shkolla e këtushme, e cila mban emrin e heroit tonë kombëtar „ Gjergj Kastsrioti- Skënderbeu“, bashkë me të edhe shkrimi i gjuhës shqipe, si pjesë përbërëse e çështjes së lëvizjes kombëtare kanë  historinë e tyre. Hapja e shkollës në gjuhën shqipe në Triesh, në kushtet e atëhershme, përbënte aktin më të madh kulturor dhe patriotik. Ajo për këtë trevë ishte “mësonjëtorja” e parë në gjuhën shqipe.

Rrugëtimi i trieshianëve për të dalë nga errësira shekulllore në dritën e diturisë  ishte i gjatë, i mundimshëm e i vështirë, por i lavdishëm dhe i suksesshëm. Ata u përballën me  rryma nga më të mprehtat, shumë prirje e pikëpamje, mjaft dukuri politike të kundërta, kurthe e pengesa të panumërta, shtigje të rrezikshme, me forca të errëta në shumë drejtime. Dhe përherë dolën fitimtarë. Puna vetëmohuese e trieshianëve të penës   të brumosur  dhe të ushqyer me „armën“ më të fortë  interesin kombëtar ka shkëlyer dhe i ka mundur të gjitha rrebeshet dhe stuhitë  e kohës.

Historia e këtij tempulli të djes, edukimit dhe atdhedashurisë   është si një  romancë plot aventura, që pati arritje të rëndësishme  dhe me vlerë. Ishte sikur një re pluhuri e krijuar prej erës që u hoq nga shkretëtira ku kshte lindur  dhe u shndërrua si një magji në një shtyllë të bukur e të fortë, për të ndriçuar e stolisur Trieshin e  trieshianët.

Në këtë përvjetor kujtoj atë pafundësi mësuesish ( mësimdhënësish) vendas dhe të huaj, të gjallë e të vdekur,  që kanë dhënë apo japin  mësim në këtë çerdhe shqiptarësh. Këta veprimtarë të arsimit shqip vendosën  themelet e shkollës, thesarin më të çmuar, librat dhe shkronjat shqipe. Ata ishin në ballë të luftës për arsim kombëtar e në krye të ngjarjeve të atyre viteve Me punën e tyre, pasionin, edukimin dhe arsimimin e mijëra nxënësve skalitën pavdekshmërinë tyre ndër breza. Punuan me vullnet. Pa zhurmë e bujë. Pa lavdi. Të heshtur. Por të vendosur dhe të ndërgjegjshëm për atë që bënin. Dashuria  e tyre  për gjuhën amtare nuk u zbeh para asgjëje. Nëse do të marrim parasysh madhështinë e qëllimit të tyre, mjetet e pakta që patën në dispozicion, si dhe rezultatet fantastike që arritën, ata me të drejtë e meritojnë emërimin „ gjenialë“.

 

Në këta 130  vjet  janë me mijëra nxënës që janë shkolluar dhe me qindra intelektualë që kanë dalë prej kësaj  vatre të dijes dhe kulturës. Brezat përulen me respekt para këtij obelisku të ABC-­së në përvjetorin e saj.

Ky tempull i ndritur i gjuhës shqipe, i dijes, i edukimit dhe i atdhedashurisë, përmes skrificave, vuajtjes dhe mundimit, përmes punës, qëndresës, dashurisë dhe frymëzimit,  arriti  të përballojë  sfidat e kohës dhe   vendosi baza të forta drejt qëllimit të përbashkët dhe fisnik, për një arsimim dhe edukim të vazhdueshëm ndër breza. Rëndësia e kësaj  shkolle i kalon kufijtë e  Trieshit –Malësisë dhe bëhet pjesë e kulturës kombëtare.

Unë si bir i kësaj trevë, si ish – nxënës dhe ish- mësimdhënës i kësaj shkollë përulem, vlerësoj dhe çmoj gjthë kontributin e vyer që mësuesit e këtij institucioni publik  arsimor  dhanë dhe po japin për  brezat e ri.

Dhe në fund   një  propozim. Mendoj se  bashkëvendasit e mi  në Amerikë, të cilët deri më tani kanë investuar në vendlindje  mbi 2 milionë dollarë, do të ishte mirë sikur vitin e ardhshëm të financojnë ngritjen e  bustit apo përmendores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në oborrin e kësaj shkollë. Kjo për faktin se  me datë 11 mars 2018 do të mbushen 50 vjet që kjo shkollë mban me krenari emrin e  prijësit  tonë legjendar.

 

Ulqin, 16 shkurt 2017