Ngjarjet në Parlamentin e Malit të Zi, reagon UDSH-ja

February 17, 2017   | Politika

udshKUMTESË PËR OPINION

 

Ngjarjet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi jo vetëm që nuk i përngjajnë demokracisë, por për fat të keq ne shqiptarëve na i rikthen kohët për të cilat kemi menduar që i kemi lënë pas.

Nuk mund të ketë arsyetim dhe është e pakuptueshme që instanca më e lartë ligjvënëse, e cila do duhej të jetë simbol i respektimit të demokracisë dhe rrespektit të ndërsjellë, të shndërrohet në poligon të dhunës, fyerjeve, urrejtjes nacionale dhe dhunës fizike.

Demoralizues është fakti që përfaqësuesit legjitim të popullit nuk mund të amnistohen në Parlament nga fyerjet dhe urrejtja e treguar në baza nacionale nga kolegët e tyre.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve askujt nuk ia konteston të drejtën e artikulimit të pakënaqësisë së vet politike e qytetare në mënyrë legjitime dhe të denjë. Por, i dënojmë me forcë fyerjet në baza nacionale, fetare e çafrëdo diversiteti tjetër.

Askush nuk ka të drejtë që pakënaqësinë dhe zemërimin (tërbimin) e vet ta shpreh me urrejtjen ndaj shqiptarëve.

Më shumë se përfaqësuesit e FD na habitën shqiptari, i cili pavarësisht skenarëve të këtillë, me këmbëngulje vazhdon të përkrahë këtë politikë diskriminuese edhe ata që nuk lëshojnë asnjë rast që të lëndojnë vlerat më të larta të shqiptarëve. Ndërsa në Kuvend partnerët e tyre shajnë dhe fyejnë nënat shqiptare, ai para Kuvendit i duartroket.

Mendojmë që tash të gjithë e kanë të qartë pse partitë nacionale shqiptare nuk e kanë marrë parasysh ofertën e Frontit demokratik dhe partive të tjera opozitare.

 

Shërbimi për informim i UDSH-së