Truma: Një epokë e re për kulturën sportive në Ulqin

February 22, 2017   | Sporti / Sport

Halil-TrumaAnëtari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe sportisti i mirënjohur nga Ulqini Halil Truma tha se pas miratimit të buxhetit të Komunës së Ulqinit për vitin 2017, ku për sport u parapanë 200 mijë euro, gjendja aktuale në sportin e Ulqinit është e kënaqshme.
“Përkujdesja e Komunës ndaj sportit është më e mirë se më herët, mirëpo gjithmonë mund të jetë dhe duhet të jetë më mirë”, pohoi Truma.
Ai me këtë rast apeloi tek institucionet komunale që të merren hapa konkrete që në ato klube të cilët financohen nga buxheti i Komunës stërvitja për fëmijët dhe të rinjtë të jetë falas.
“Qëllimi është që në klube të jenë sa më shumë fëmijë dhe të rinj që merren me sport. Jam dëshmitar që, për fat të keq, shumë prind janë të detyruar t’i largojnë fëmijët nga sporti vetëm për faktin se nuk kanë mundësi financiare të paguajnë anëtarësinë mujore. Ne si shoqëri jemi të obliguar që të bëjmë çmos që fëmijët tanë t’i çojmë në rrugë të drejtë, e ajo është rruga e sportit”, përfundoi Truma në faqen e Forumit Rinor të Udsh të Facebookut.