KK “Ulqini” shkëlqen në Bosnjë dhe Kosovë

March 7, 2017   | Lajmet / Vijesti, Sporti / Sport

Karate Club Ulqini-Ulcinj Montenegro-Bosna-hercegovinaKlubi i Karatesë “Ulqini” fundjavën e kaluar mori pjesë në dy turne ndërkombëtarë

Të shtunën dhe të dielen, më 04-05 mars 2017, Klubi i karatesë “Ulqini” mori pjesë në dy gara ndërkombëtare: në Sarajevë në turneun “Ilixha Open 2017” dhe në Fushë Kosovë në turneun  “Fushë Kosova Open 2017”.

Klubi i karatesë “Ulqini” shkëlqeu si çdo herë duke ruajtur primatin e vet në të dy turnetë që mori pjesë, në të cilat arriti të kurorëzohet me 6 medalje: 3 medalje të arta, 2 të argjendta dhe 1 të bronztë.

Klubi i karatesë “Ulqini” në Sarajevë në “Ilixha Open 2017” u paraqit me 5 garues, të cilët arritën të fitojnë 4 medalje: 1 medalje të artë, 2 të argjendta dhe 1 të bronztë. Në disiplinat individuale me medalje të artë u kurorëzua Dardan Ceka, kurse me të argjendtë u kurorëzua Marko Daboviq. Ekipi i katave i kadetëve/juniorëve, në përbërje Albert Rudoviq, Elvir Islami dhe Marko Daboviq u kurorëzua me medaljen e argjndtë, kurse ekipi i juniorëve në luftëra pati një paraqitje të mirë, ku në një konkurrencë mjaft të fortë arriti të kurorëzohet me medaljen e bronztë. Ky ekip ishte i përbërë nga Adnan Kuqi, Marko Daboviq, Albert Rudoviq dhe Elvir Islami.

Karate Club Ulqini-Ulcinj Montenegro-kosove-1

Në këtë aktivitet sportiv morën pjesë 91 klube me 1026  garues nga 6 shtete. Në turneun “Fushë Kosova Open 2017” morën pjesë dy vajzat seniore të KK “Ulqini”, të cilat arritën të kurorëzohen me medalje, duke mbrojtur ngjyrat e klubit të tyre dhe duke përfaqësuar denjësisht qytetin e tyre. Të dy garueset Antigona Rama dhe Seida Suma u shpallën kampione në kategoritë e tyre.

Seida Suma u shpall kampione e turneut në luftëra individuale -68kg.

Antigona Rama, pas një lëndimi që pat kohë më parë iu kthye arenës luftarake duke u shpallur kampione e turneut në luftëra individuale +68kg.

Në këtë turne morën pjesë mbi 300 garues nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe garueset tona nga Ulqini.

 

SHËRBIMI INFORMATIV I KLUBIT TË KARATESË “ULQINI”