Nazif Cungu: Politika shqiptare të ulet në dialog, me një Tiranë të dobët edhe ne jemi të pambrojtur

April 4, 2017   | Reportazh / Reportaža

Kryeministri Rama viziton Ulqinin - Foto-Lajm-17Shqiptarët janë shumë më pak të përfaqësuar se sa meritojnë të jenë”, shprehet kryetari i komunës në Ulqin, Nazif Cungu. Në një intervistë dhënë për GSH.al. ai tregon se opozita në Mal të Zi është e dirigjuarnga Moska dhe Beogradi. Kryetar i partisë Forca e Re Demokratike shpreh se po pengohet ecjen e Malit të Zi përpara drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Cungut, shqiptarët luajnë një rol shumë konstruktiv dhe janë një forcë që shtyn përpara agjendën e integrimit Euro-Atlantik. Thirrje për dialog ka bërë edhe për Tiranën zyrtare, duke u shprehur me një Tiranë të dobët edhe ne shqiptarët e Malit të Zi janë më të dobët e të pambrojtur.

 

 Kryetar i Komunës së Ulqinit, njëherazi edhe kryetar i partisë Forca e Re Demokratike, si i shihni zhvillimet politike në Mal të Zi?

Zhvillimet politike në nivel republike i shoh me shumë shqetësim pasi u bënë disa vite që kemi një krizë politike në vend të karakterizuara nga qëndrime të ashpra prej opozitës. Kishim shpresë se zgjedhjet do ta shfrynin këtë situatë të tensionuar mirëpo situate vetëm sa u tensionua më tej. Në momentin që flasim, opozita e ndikuar nga Beogradi dhe Moska, dëshiron që me çdo kusht të bllokojë integrimin e Malit të Zi në NATO, bojkoton parlamentin si dhe ka bojkotuar edhe zgjedhjet e parakohshme komunale në Nikshiq. Sikurse mund të jeni në dijeni, shteti ka qenë afër një konflikti të mirëfilltë civil i cili u evitua në moment të fundit. Bëhet fjalë për një puç të mirëfilltë të dirigjuar prej Rusisë i cili u shmang për shkak të pendimit të njërit nga komplotistët. Sot kemi një proces gjyqësor dhe investigime ndërkombëtare që kanë nxjerrë në pah përfshirjen e njerëzve të sigurisë të Rusisë dhe përfaqësues të opozitës malazeze.Në të gjithë këtë situatë, shqiptarët padyshim që janë në mënyrë të vendosur në favor të anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Janë duke luajtur një rol shumë konstruktiv dhe shmangur retorikën e gjuhës së urrejtjes që po përpiqet të kultivojë opozita. Shpresa dhe besimi im është që me finalizimin e ratifikimit të marrëveshjes së anëtarësimit në NATO dhe me pjesëmarrjen e shtetit të Malit të Zi si anëtar me të drejta të plota në samitin e NATO-s në 25 maj, situata do të ndryshojë në Mal të Zi. Forcat që po përpiqen ta orientojnë Malin e Zi drejt Lindjes do të kenë dështuar e nuk do të kenë më arsye për të vazhduar me qasjen obstruiktive.

Si i vlerësoni arritjet në punën tuaj si kryetar i komunës së Ulqinit, por edhe si kryetari i partisë Forca e Re Demokratike?

 Unë kam kënaqësinë të them se pavarësisht nga rezultati I pakënaqshëm që patën partitë shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare, ne kemi pasur një konjukturë të favorshme që na ka mundësuar të shtyjmë përpara agjendën politike shqiptare. Unë drejtoj subjektin politik shqiptar më të fuqishëm në Mal të Zi dhe pjesëmarrja në koalicionin aktual qeverisës na ka mundësuar që të përmbushim disa kërkesa të rëndësishme të shqiptarëve të këtushëm që  kanë qenë premtime elektorale që kur u krijua Forca e Re Demokratike.  Konkretisht jam krenar për faktin se mazhoranca aktuale ku ne bëjmë pjesë ka miratuar formimin e Komunës së shumëpritur të Tuzit duke bërë të mundur që përveç Ulqinit, tanimë të kemi edhe një komunë të dytë në Mal të Zi me shumicë shqiptare. Po ashtu qeveria ka bërë të mundur përdorimin e gjuhës dhe simboleve shqiptare kudo ku ata jetojnë ç’ka na mundëson të përdorim me dinjitet gjuhën, simbolet dhe traditat tona. Në kuadër të Komunës së Ulqinit, së fundmi Qeveria ka miratuar edhe Planin Hapësinor të komunës duke i hapur rrugën investimeve serioze në ndërtimin e një infrastrukture modern hotelerike për turizmin. Pjesë e këtij plani është edhe një lidhje e re me Shqipërinë nëpërmjet Bunës mes fshatërave Shas-Pulaj e cila do të integronte ofertën tonë turistike me atë të Velipojës. Ky plan hapësinor gjithashtu ka përfshirë kërkesat tona për mbrojtjen e ullishtës dhe kripores së Ulqinit të cilat janë pasur e madhe e qytetarëve tanë.

Sa të përfaqësuar janë shqiptarët në Mal të Zi?

Shqiptarët janë shumë më pak të përfaqësuar se sa meritojnë të jenë, ne jemi 7% e popullsisë dhe kemi vetëm një deputet ose 1.5% të parlamentit. Kjo gjë ka ndodhur për tre arsye kryesore. Së pari ndryshimi i ligjit zgjedhor që u bë para disa vitesh, dëmtoi pikërisht pakicën shqiptare sepse hoqi pesë mandatet e rezervuara për popullin tonë. Së dyti problem kryesor është përçarja dhe ne kemi bërë thirrje para zgjedhjeve që Tirana e Prishtina të na ndihmonte në unifikimin e trupit elektoral shqiptar. Si pasojë e fragmentimit ne kemi kaluar nga 3  deputet që kishim në vitin 2010 në vetëm 1 në këto të fundit. Së treti ka pasur një largim të votuesve shqiptarë prej partive politike shqiptare si pasojë e zhgënjimit. Për shumë vite me radhë votuesit na e kanë dhënë votën mirëpo ne nuk ia kemi dalë që të çojmë përpara kërkesat e shqiptarëve të Malit të Zi sepse kemi qenë shumë të vegjël e të paktë për të bërë presion. Mirëpo unë jam besimplotë se arritjet tona të periudhës së fundit, pra realizimet e shumë nga premtimet tona elektorale, do ia rikthejnë gradualisht besimin votuesit shqiptar tek partitë shqiptare.

Si e vlerësoni krizën politike në Maqedoni, sa larg një ngërçi të tillë politikë është Mal i Zi?

Situata në Maqedoni është e ngjashme për sa i përket faktit të ekzistencës së një krize apo tension politik si dhe për sa i përket shenjave të qarta të ndërhyrjes ruse në politikën e brendshme, mirëpo shkaqet e krizës janë krejt të ndryshme. Ngërçi politik në Maqedoni lidhet me përpjekjet e një elite politike që ka kapur shteti për të qëndruar me çdo kusht në pushtet ndërsa në Mal të Zi bëhet fjalë për një opozitë e dirigjuar dhe instrumentalizuar prej Moskës dhe Beogradit për të penguar ecjen e Malit të Zi përpara drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në të dy rastet mund të themi me gojën plotë që shqiptarët po luajnë një rol shumë konstruktiv dhe janë një forcë që shtyn përpara agjendën e integrimit Euro-Atlantik.

Po bojkotin e opozitës në Tiranë, si e keni parë?

Pa dyshim që ne shqiptarët e Malit të Zi e besoj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen jashtë Republikës së Shqipërisë, kemi keqardhje të madhe sa herë që politika në Tiranë tensionohet apo konfliktohet. Kjo gjë jo vetëm që na prek emocionalisht, por me një Tiranë të dobët edhe ne jemi më të dobët e të pambrojtur. Unë do preferoja mos të deklarohesha lidhur me motivet, shkaqet apo synimet që kanë çuar në bojkotin e opozitës në Tiranë pasi nuk e shoh me vend që si drejtues i partisë kryesore shqiptare të Malit të Zi të marr anë në politikën e brendshme të Shqipërisë. Megjithatë unë shpresoj shumë që të dy palët të heqin dorë nga retorika e ashpër dhe të hyjnë sa më shpejt në tryeza bisedimesh për të gjetur një marrëveshje që i jep fund njëherë e mirë krizës politike dhe i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Çfarë reformash keni ndërmarrë në Ulqin, duke qenë se jemi dhe në prag të çeljes së sezonit turistikë?

Koalicioni aktual qeverisës në Ulqin ka rreth një vit që është në pushtet dhe kur kemi ardhur e kemi gjetur buxhetin e komunës në një gjendje shumë të vështirë si pasojë e keqmenaxhimit të mëparshëm dhe akumilimit të një niveli të lartë borxhesh. Mirëpo ne nuk u dekurajuam nga gjendja dhe gradualisht ia dolëm gjatë këtij viti që të shlyejmë detyrimet e prapambetura dhe të konsolidojmë gradualisht financat e komunës. Gjatë kësaj kohe kemi bërë investime të konsiderueshme në infrastrukturën e turizmit duke nisur kanalizimin në katër lagje të qytetit si dhe ndërtuar kanalin e Braticës që sjell një ndryshim thelbësor në cilësinë e mjedisit të qytetit. Po ashtu janë bërë investime domethënëse nëpër rrugë, trotuarë, ndriçim, gjelbërim dhe infrastrukturë shërbimesh që do të jenë gati për fillimin e sezonit turistik veror. Unë jam i sigurtë që pushuesit kanë për të gjetur një ambient shumë më dinjitoz e mikpritës se më parë në Ulqin prandaj përfitoj nga rasti i kësaj interviste për të ftuar të gjithë bashkëkombasit tanë që të vijnë e të na vizitojnë gjatë kësaj vere. I siguroj që nuk do të zhgënjehen.

Gazeta Shqiptare