Mali i Zi do të hapë pika të reja kufitare me Shqipërinë

April 5, 2017   | Reportazh / Reportaža

Per diten e komunes se Ulqinit-Nishani-Vujanovic-CunguKryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu në fjalën që mbajti në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Ulqinit paralajmëroi investime të reja, kryesisht në infrastrukturë për ti afruar sa më shumë shqiptarët me njëri-tjetrin.

E shtuna e parë e muajit prill është kremtja e ditës së Ulqinit. Kjo ditë simbolizon traditën detare të Ulqinit, kultivimin e ullirit , dhe fillimin e sezonit turistik. Rëndomë për nder të kësaj dite në Ulqin organizohen aktivitete të shumta dhe për vizitë ftohen burrështetas, ambasadorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, zyrtarë qeveritarë dhe artistë të vendeve të Rajonit. Midis të ftuarve këtë vit ishin Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe homologu i tij shqiptar Bujar Nishani.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu në fjalën e rastit, paralajmëroi një sërë investimesh që pritet të realizohen në këtë komunë, e ku përkrahje është premtuar nga Kryeministri i vendit Dushko Markoviç, i cili ka thënë se këtë vit me buxhetin e qeverisë janë paraparë që për Ulqinin të akordohen 9.5 milion Euro.

“Për marrjen e hapave të shpejtë për të modernizuar rrugën Krythë-Ulqin dhe për të lehtësuar kalimin doganor në Sukobinë. Po ashtu në Planin Hapsinor të Komunës së Ulqinit tashmë të miratuar, është përmbushur një nga kërkesat tona dhe është paraparë ndërtimi i pikës së re ne Bunë duke na integruar me bregdetin e Velipojës. Së shpejti gjithashtu do të finalizohet projekti i Rrugës së Bjeshkëve që kemi një dekadë qe e kërkojmë. Në javët në vijim pritet të përurohet pika e re kufitare Cemi–Trieshi–Grabonë që duke kaluar Vermoshin do ta afrojë më shumë Malësinë, Plavën e Gucinë.”

Edhe Presidneti i Malit të Zi Filip Vujanoviç theksoi se resurset e shumta që ka Ulqini do të valorizohen shumë shpejtë dhe ky qytet ka perspektivë të madhe për investime te huaja.

Presidenti i Malit të Zi po ashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe theksoi se të dyja shtetet angazhohen që këto marrëdhënie t’i avancojnë edhe më shumë.

Nishani në Ulqin: “Krenarë e të nderuar që jemi shqiptarë”

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në fjalën e tij u ndal tek veçoritë e shqiptarëve, tek besa dhe mikpritja që ata i karakterizon.

“Ajo është karakteristikë e përbashkët e shqiptarëve kudo ata ndodhen, por është dhe detyrë e gjeneratës së sotme që këtë trashëgimi të pasur dhe të vyer që e kemi marrë e trashëguar nga gjyshër, stërgjyshër e breza e breza shekullorë të shqiptarëve, jo vetëm sot ta ndjejmë si pjesë të krenarisë tonë kombëtare, si pjesë e krenarisë tonë komunitare, individuale, por njëkohësisht si përgjegjësinë tonë më të madhe për ta promovuar, prezantuar, e për ta trashëguar tek brezat që vijnë”,- tha Nishani.

Shekulli i ri – Shekulli i Shqiptarëve

Duke analizuar rrugëtimin e shqiptarëve Zoti Nishani tha se Shekulli i ri është Shekulli i shqiptarëve.

“Shekulli i shqiptarëve në kuptimin e kontributeve më të mëdha shqiptare për veten e tyre, për trashëgiminë e tyre, për integritetin, por edhe për rajonin dhe vendet ku ata jetojnë.”

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lartë angazhimin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe kontributin që kanë dhënë ata në procesin e pavarësisë së Republikës dhe angazhimin e mëtejshëm që po japin për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

“Shqiptarët e Malit të Zi përmes përpjekjeve të jashtëzakonshme kanë qenë kontributorë të momenteve më të rëndësishme historike të këtij vendi, që nga Pavarësia e Malit të Zi, rrugëtimin e të cilit e kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe me shumë dëshirë si vend fqinj. Po ashtu kontributi i shqiptarëve ka mbetur i pazëvendësueshëm në proceset demokratizuese në forcimin e institucioneve demokratike të Malit të Zi ,ashtu siç kanë treguar shqiptarët dhe në momentet vendimtare gjithashtu historike të kohës moderne të Malit të Zi në anëtarësimin e tij drejt NATO-s dhe proceseve të tjera integruese, ku shqiptarët kanë ditur të jenë jo vetëm faktor më të rëndësishëm në anën e partnerëve dhe aleatëve më të mirë të Malit të Zi që janë aleatët Euroatlantikë, por kanë qenë dhe garantues të stabilitetit dhe të një vendimmarrjeje të konsoliduar të këtyre proceseve të integrimit te Malit të Zi “

Dekoratë të lartë Nderi i Kombit-Sim Dobreci-Ruzhdi Ushaku-Bujar-Nishani

Institucioni i Presidentit dekoron me Mirënjohjen “Nderi i Kombit” dy intelektualë shqiptarë në Mal të Zi

Presidenti Bujar Nishani në takimin përmbyllës që u organizua në Anë të Malit vlerësoi me dekoratë të lartë “Nderi i Kombit” dy intelektualë nga Mali i Zi, dr. Prof. Simë Dobrecin për kontribut në fushën e mjekësisë dhe prof. dr .Ruzhdi Ushakun për të arriturat në studimet albanologjike.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama: Ne mbetemi fqinj të dashur dhe të afërt me njëri–tjetrin

Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Shqipërisë ishin temë e bisedimeve ndërmjet Kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviç dhe atij të Shqipërisë Edi Rama, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në këtë Republikë. Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë malazeze Dushko Markoviç ka deklaruar se me homologun Rama ka biseduar për rritjen e bashkëpunimit për një sërë çështjesh, që nga proceset e integrimit e deri tek ato dypalëshe, siç është lufta kundër krimit ndërkufitar etj.

Ndër të tjera, Markoviq ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar të Malit të Zi në zhvillimin ekonomik të vendit dhe anëtarësimin e tij në NATO.

PërKryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten fqinj të dashur dhe të afërt me njeri-tjetrin.

“Dua të nënvizoj edhe njëherë se kemi vendosur të organizojmë mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive në Shkodër në muajin tetor si fillim i një cikli më të ri marrëdhëniesh, dhe e një përpjekjeje të re për të intensifikuar marrëdhëniet në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë duke shfrytëzuar potencialet e përbashkëta që janë të mëdha dhe posaçërisht duke i dhënë gjithë kësaj hapësire ndërkufitare një vëmendje më të madhe të përbashkët në funksion të rritjes ekonomike dhe cilësisë së jetës shoqërore”, tha Rama.

Mali i Zi në NATO, kontribut në sigurinë e Rajonit

 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama edhe me këtë rast përshëndeti miratimin e protokollit nga Senati Amerikan për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën Veriatlantike (NATO).

“Është një arritje për të cilat Shqipëria ka bërë gjithçka mundur në mbështetje të  Malit të Zi, dhe është një arritje historike jo vetëm për Malin e Zi, por për rajonin tonë, pasi me futjen e Malit të Zi në NATO faktikisht e gjithë vija bregdetare e këtij krahut të Jonit dhe Adriatikut është zonë e NATO-s”,- tha kryeministri shqiptar.

Në takim, Shefat e Diplomacive të dy vendeve, Srgjan Darmanoviç dhe Ditmir Bushati nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.

Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte gjatë kthimit të tyre në Shqipëri u takuan në Ulqin edhe me liderët politik shqiptarë që veprojnë në Mal të Zi.

Gazeta Monitor