100 vjeçari i fundit i Ulqinit, Fadil Elezaga

April 19, 2017   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Nga Ismet Karamanaga

19.04.2017
FADIL ELEZAGA
Fadil ELEZAGA meriton një vëmendje të veçantë. Sot ka mbushur 100 vjet. Nuk jam në dijeni, se a ka në Ulqin a po në rethinë më ndonjë person i cili është afruar kësaj cifre. Çka është edhe për të çuditur Fadili ende është i vetdishëm.
Tekstin mbi Fadilin e kam shkruar në vitin 2007 dhe e kam botur në “Kohën Javore”, kurse më vonë, e kam botuar edhe në librin tim ”ULQINI, monumente, portrete, ngjarje”.
Më kujtohen fjalët e tija pas një bisedë më te te hoteli “Mediteran”: “Djali i Canit, ma qitë tekstin kur të bëhen dy 99 – she”. Atherë ka pasur dy 88 – she, dhe unë kam menduar ta botoj deri sa Fadili është në këtë Botë. Mirëpo, Fadili, ka pasur të drejtë, dhe për te po e përsërisë prap .
Fadil ELEZAGA ka lindur në Kala, dhe deri te tërmeti katastrofal të vitin 1979 ka jetuar në Kala. Sot jetonë në Pinjesh. Tash një kohë të gjatë nuk ka më shokë, pasi të gjithë shokët e tij janë në “Meteriz” a po në “Pinjesh”.
Këto fjalë, dhe teksti im në vijim, është një kontribut i vogël për 100 vjetorin e lindjes së tij, nga unë.
Inshalla kalon më ndonjë vit me të afërmit të tij.

Rrëfime ulqinakçe

Fadil ELEZAGA

Foto nga Allmira Lajka

Si ta fillosh bisedën me një njeri të jashtëzakonshëm, i cili për çdo ditë në moshën 90 vjeçare, ec mbi dhjetë kilometra. Nuk sheh mirë, ecë me kujdes, siç thotë ai këndit të rrugës. Ka një inteligjencë të mahnitshme. Bisedon dhe i kujton ngjarjeve të cilat kanë ndodhur shumë më parë. Ai, ende edhe sot në këtë moshë punon marangoz, me kujdes, me intuitë, duke i prekur dërrasat ,gozhdat dhe veglat me dorë. Dhe kurrë nuk ndodh t’i bjerë dorës me çekiç thotë, duke qeshur. Është një enigmë e madhe për ata të cilët e njohin, si ec, pa shkop, si kalon rrugën posaçërisht ditës së pazarit, apo verës, në rrugën e tij të përditshme deri në Portomilenë. Atje në barrakën e vogël, buzë kanalit kalon një kohë të gjatë Fadili, duke punuar, një zanat të cilin e ka mësuar si i ri. Është perfeksionist, këtë veti ia kanë pranu të gjithë. Një njeri i sinqertë i butë, siç thotë populli, ju flet dhe kur i afroheni ju njeh. Bisedon me mallë me kalali për Kalanë vendlindjen e tij, sepse aty ka jetuar deri me termetin e parë më 1968. Ndal automobilin dhe e marr Fadilin. E lus për një bisedë duke e percjellë për në shtëpi. Ndalem te hotel Mediterani. “Shika djali i Canit, në qoftë se da me shkru ndonji gja për mu atëherë të lutem jo tash. Prit sa ti baj dy 9”. Qeshet. Thotë: “Nuk kam më shokë. Të gjithë janë në Meteriz ose në Pinjesh Unë nuk du me shku ala atje”. Fadili di shumë. Flet qartë, me një gjuhë të pastër shqipe ulqinake. Ka një kujtesë të madhe për jetën e dikurshme deri me ditët e sotme. I kujtohet jeta në Kala në shtepinë e tyre ne zemër te Kalasë. I kujtohen komshitë dhe dashuria e dikurshme. “Kemi shku dhe kemi ardhë shumë njeni ke tjetri, jeta ka qenë ma e vështirë, por ka pas dashni ma të madhe se sot. Kalaja ka qenë e posaçme, me adetet e veta. Kur kanë ardhë njerëzit prej varoshit , ke porta e Kalasë janë përgatitë me hy në Kala, sepse Pazari i qytetit gjithmonë ka qenë plot me njerëz, të cilët me synin e mprehtë kanë mat secilin hap të atyne të varoshit. Më kujtohet hoxhë Bushati dhe pleqtë tjerë të cilët shumë kohë kanë kalue në Pazarin e qytetit duke bisede për ngjarje të ndryshme . Si fëmijë kemi ndigjue dhe kemi imagjinue për ato kohët të kalueme, bisedat mbi legjendat dhe gojëdhënat, mbi detin dhe detarët, dhe bukën me gjak e cila është fitue ne det. Ne kemi pas fat dhe asnjeni nga vëllaznit nuk kemi shkue në det. Babai im Hafiz Muhamedi, i cili ka studijue ne Kajro nuk ka lejue që të shkojmë në det. Kam ndëgjuar se e ka kënduar shumë bukur Kur’anin , e ndërpresë unë, e di, sepse ai ka qenë vëllai i gjyshes time, Zyliha Karamanagës.. Babai im ka shërbye në Durrës imam dhe pastaj edhe në xhami në Kunje. Thojnë se kur e ka këndu Kur’anin , xhemati ka qa. Në Ulqin dhe rrethinë nuk ka pas njeri i cili e ka njoftë dhe e ka këndue më mirë se ai. Motrat të cilat i vizitoj shpesh e kanë si trashëgimi prej babës pak ma tepër se unë këtë veti, posaçërisht ma e madhja Rukija. Edhe unë si i ri kam shkue në xhami ma tepër se sot .
E ndërpres, Fadil, ramazanin e kaluar jam falur në shumë xhami të Ulqinit dhe rrethinës. Më duket se gjithkund duke shikuar Mirhabet dhe Mimberët kam vërejtur stilin tënd. Kujtoj se gjithandej e kam parë dorën tënde. Shika, mar djali Canit, nuk ka xhami në të cilën nuk kam punue unë. Të jesh i sigurt se kontributin tim si besimtar dhe si njeri e kam dhanë. Tesh shofim atje nalt, por më vonë, tesh për tesh e kam heret, te thashë kur të bëhen dy 9.
E pyes për kalimerën dhe barakën në Portomilenë, për sandolinën e parë, për rremat të cilët mi ka drejtuar pak. Flet me mall për ato kohët e arta të turizmit, i kujtohet koha e gjermanëve të cilët shpesh duke shëtitur buzë detit ndaleshin te baraka dhe shikonin patentin e parë në kalimerën e tij në Portomilenë. E kam gaditë sandolinën e parë këtu dhe shpesh kam dalë me te, ka qenë e rrallë për atë kohë. Fadili flet edhe për rininë dhe fëmijërinë e tij në një familje të madhe agallarësh nga Kalaja. I kujtohen sekuencat nga shërbimi ushtarak në Mostar dhe shumë e shumë gjëra të tjera nga koha e jetës në Kala, martesa me Qamen, me të cilën ka pasur një jetë të lumtur dhe e cila pa dyshim thotë Fadili, ka lënë zbraësi të madhe në jetën e tij.
Thojnë se je përpjekur ta ndërtosh një makinë për të mledhur ullinj. Kam ndëgjuar se nuk ta kanë pranuar patentin, e provokoj me një pyetje¬. Unë e kam ba, truni gjithmonë më ka punue, makinën se kanë pranue si patent, sepse me ato gjylpanat ka mbledhë edhe gjethe, por më duket se ende ullishta mblidhet me dorë, shprehet Fadili me pak ironi.
Fadil, dëshiroj të të pyes diçka që sigurisht do ta përkujtojë një ngjarje të cilën as ti dhe besoj askush nga familja dhe të afërmit tuaj nuk do ta harrojnë kurrë. Më trego diçka për vrasjen e vëllaut tënd, Bedriut. Unë si i vogël kam dëgjuar shumë për këtë nga babai im Hasan Karamanaga.
Ka kalue nji kohë e gjatë , por ende më kujtohet mirë fundi i jetës së Bedriut. Bashkë kemi qenë në një fshat afër Ulqinit. Pa asnjë faj e vranë para shkollës, djalin njëzetë vjeçar, vetëm se ka çu dorën dhe ka thanë se ai mendon ndryshe, e jo si ata. Ai ka pasë ideale të shëndosha për një shoqëri tjetër, ashtu siç ka mendue ai dhe shokët e tij si komunist i ri i asaj kohe. Ka qenë student në universitetin e Shkupit, i ka ra mirë harmonikës, nji djalë me një naltësi prej dy metrësh, si pashë, kishte me thanë populli. Një njeri plot jetë, me ëndrra si të gjithë të rinjtë, e vranë para syve të mi dhe vajzës time Nurijes, të cilën unë e kisha ngrykë. Nji njeri i mirë nga ai grup, nuk dua ta përmend tash më përcolli një copë rrugë. Dhe me vajzë ngrykë u nisa në për në shtëpi në Kala.
Ma vonë e kuptova se pata fat se edhe mue më kishin vra po të mos ishte ai i cili më shpëtoi. Të gjithë Ulqini u pikëllue për Bedriun. Të gjithë kalalitë u mblodhën në shtëpinë tonë. Më kujtohet vaji i nanës dhe i motrave të mia. Edhe sot kur takohemi pas një kohe të gjatë mbi 50 vjet, gati nji ymër insani e kujtojmë Bedriun, sepse ai ka qenë ma i miri ndër ne. Më kujtohet se edhe trupin e tij për ta varrosë nuk deshën të na e japin. Pas disa orësh shkoj Cani, babai yt me Isufin dhe e sollën kufomën e Bedriut në shtëpi.U mblodhën të gjithë kalalitë në oborrin dhe shtëpinë tonë. Si tash e kam parasysh tërë ngjarjen, kurrgja nuk kam harrue. Shumë mbaj ndër mend, ma mirë është nga një herë gjanat e vështira edhe me i harrue. Më vjen mirë se Bedriun nuk e kanë harrue. Shkolla në Katërkollë mban sot emnin e tij dhe besoj se asht mirë që njerëzit siç ka qenë Bedriu të mos harrohen. Në këtë distancë të gjatë kohore idealet për çka ka luftue Bedriu, sot shikohen pak ndryshe. Duhet të kuptohet se ajo ka qenë një kohë tjetër me vlera tjera, të rinjtë e asaj kohe kanë pasë idealet dhe qëllimet e veta , kanë luftue për një shoqëni ma humane, ma të shëndoshë, ma të mirë. Kështu edhe duhet të kuptohet edhe tragjedia e Bedriut e familjes sonë.
Fadil, të kam lodhur pak. Ti kthehemi pak kësaj kohës së sotme. Nuset, djemtë, mbesat të shikojnë. Shumë jam i kënaqun, mundohen me më ndalë në shtëpi të dal ma pak dhe mos të punoj. Deri sa të mund kam me dalë dhe kam me punue. Puna më mban. A ja ke dhënë ndokujt zanatin Fadil, djemtë a e kanë ndopak në gjak. I madhi ka prirje për zanat, asht preciz dhe e qendisë kur don drunin, por ai asht inxhinier dhe merret me punën e tij, kurse i vogli vite me radhë ka vendosë parket, bile shumë mirë, por edhe ai e ka lanë dhe tesh merret me pula dhe me letra.
Më duket se pak kanë mbetë ata që merren ma me këtë zanat, tesh pak e shumë me këtë merren fabrikat për përpunimin e drunit dhe mobiles. Kështu që ky si edhe zanatet e tjerë pak e shumë kanë me u harrue,thotë Fadili.
Po e përfundoj ngadalë bisedën me Fadilin. Pa shkenj kambë bëhet gati të hapë derën, nuk kam problem unë jam mësua me ec. E përcjell ngadalë me automobil deri pas hotel Galebit, ku jeton sot . Ndahem prej kësaj figure markante të Kalasë sonë. Edhe një herë duke qeshur me porositë, më qit ne gaxetë, vetëm kur ti mbush dy 9.
I dëshiroj jetë të gjatë, i them se Inshalla i kalon edhe ato dy shifrat famoze. Ngjitet shkallëve pa pushuar, të çuditë vullneti i tij. Nuk i kam përmendur disa ndodhi të cilat Fadili i tregon duke qeshur, posaçërishtë kur e merr masën për tabuta, dhe disa gjëra të jetës së përditshme. Këto po i lëmë për një herë tjetër, ndoshta kurë t’i kalojë dy 9 – she.
Mendoj se është mirë që personazhet siç është Fadil Elezaga, ti shenojmë dhe të mos i harrojmë. Është mirë që edhe gjeneratat e sotme të njoftohen me këta njerëz të cilët e kanë shënuar qytetin tonë në shekullin e kaluar.Ndoshta dikur edhe do ta gëzojnë vendin e merituar në trashëgiminë tonë.

Ulqin, mars 2007

Ismet Karamanaga Facebook