Ministri Zenka në Kosovë pritet nga ministri Bajrami

April 20, 2017   | Rajoni / Region

Ministri Bajrami priti ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve Pakicë të Malit të Zi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve Pakicë të Malit të Zi, z. Mehmet Zenka, i shoqëruar nga zv/ministri i kësaj Ministrie, z. Leon Gjokaj dhe zv/ministri i Arsimit, z. Marash Dukaj.

Në këtë takim është biseduar për shumë çështje të komunitetit shqiptar që jeton në Mal të Zi, me theks të veçantë për arsimin në gjuhën shqipe, si dhe për ndihmën që mund të japë vendi ynë në këtë drejtim.

Ministri Bajrami theksoi faktin Kosova ka një bashkëpunim shumë të mirë me Malin e Zi në sferën e arsimit. Ai tha se Kosova ka ndihmuar komunitetin shqiptar në Mal të Zi në shumë forma, si me tekste shkollore, me ndarjen e kuotave për studentë, por shprehu gatishmërinë për të ndihmuar edhe në trajnimin e mësimdhënësve të arsimit parauniversitar dhe në fusha të tjera.

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve Pakicë të Malit të Zi, z. Mehmet Zenka, falënderoi ministrin Bajrami për gatishmërinë e vazhdueshme për të ndihmuar në forcimin e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Ministri Zenka theksoi se Kosova gjithmonë ka qenë në fokus të interesimit të të rinjve shqiptarë të Malit të Zi sa i përket arsimimit të lartë dhe ky interesim vazhdon të jetë i madh.

Copyright © 2008 Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë