Cungu: Vazhdon diskriminimi i shqiptarëve në Mal të Zi

April 22, 2017   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Për demarkacionin të mënjanohen interesat partiake

Kryetari i Ulqinit, njëherësh kryetar i Forcës së Re Demokratike në Mal të Zi, Nafiz Cungu, ka thënë se gjendja e shqiptarëve në këtë shtet lë shumë për të dëshiruar sepse, si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm për dekada me radhë, trojet e shqiptarëve në Mal të Zi janë zhytur në varfëri.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se diskriminimi ka bërë që një përqindje shumë e madhe e bashkëkombësve tanë ta braktisin vendlindjen dhe të kërkojnë një jetë më të mirë në emigracion. Po ashtu, Cungu ka thënë se presioni i vazhdueshëm diskriminues ka çuar në asimilimin e një pjese të mirë të popullsisë shqiptare në Mal të Zi. “Me anën e koalicionit të ri qeverisës ku marrim pjesë ne kemi mundur t’i përmbushim disa prej kërkesave legjitime të shqiptarëve sikurse është përdorimi i simboleve dhe gjuhës shqipe në trojet tona. Po ashtu, qeveria e ka miratuar formimin e Komunës së Tuzit dhe së shpejti presim që Kuvendi i Malit të Zi ta miratojë ligjin që e mundëson këtë komunë të dytë me shumicë shqiptare”, ka thënë Cungu.
Ai ka bërë me dije se për një periudhë të gjatë Komuna e Ulqinit ka qenë e neglizhuar dhe diskriminuar nga pushteti qendror dhe nuk ka përfituar nga investimet publike shtetërore. Përpos kësaj, Cungu ka thënë se edhe qeverisja e mëparshme komunale ka lënë shumë për të dëshiruar dhe jo vetëm se nuk ka bërë punët dhe investimet që kanë pasur nevojë qytetarët, por e kanë mbushur buxhetin e komunës me borxhe të mëdha të cilat ende jemi duke i paguar. Ai ka thënë se janë në pritje të Kosovës që sa më shpejt ta përfundojë rrugën e nisur Deçan – Plavë e cila po zvarritet pa kuptim.
Duke folur rreth demarkacionit Kosovë – Mali i Zi, Cungu i ka ftuar pozitën dhe opozitën në Kosovë të heqin dorë nga interesat partiake dhe të gjejnë një kompromis për demarkacionin me Malin e Zi. Duke mos dashur të marrë anë, ai ka thënë se çështja e demarkacionit me Kosovën në Mal të Zi është temë periferike. Ai ka thënë se subjektet politike e kanë obligim ta nxjerrin vendin nga izolimi. “Ne shqiptarët e Malit të Zi duam më të mirën për Kosovën dhe dëshirojmë ta shohim të ecë përpara në procesin e integrimit evropian. Prandaj mendoj se do të ishte mirë që sa më parë të gjitha palët të mblidhen bashkë, duke lënë mënjanë interesat apo qëndrimet partiake, e të gjejnë një kompromis për ta nxjerrë vendin nga izolimi dhe për t’ua mundësuar udhëtimin pa viza qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Cungu.
“Epoka e re”: Z. Cungu, jemi në prag të fillimit të sezonit turistik. Qyteti i Ulqinit është një nga destinacionet kryesore të shqiptarëve të Kosovës. Sa është përgatitur Ulqini për këtë sezon?
Cungu: Keni të drejtë, ne kemi një lidhje shumë të ngushtë shpirtërore. Ulqini është shtëpia e dytë e kosovarëve gjatë verës dhe, nga ana tjetër, një pjesë e mirë e banorëve tanë janë shkolluar dhe formuar intelektualisht në Prishtinë. Unë besoj se jemi më të përgatitur se më parë pasi kësaj radhe koalicioni i ri qeverisës i Komunës së Ulqinit ka marrë masat në kohë për të rregulluar infrastrukturën turistike. Ne jemi angazhuar për t’i riparuar trotuaret, përmirësuar ndriçimin, pastërtinë, gjelbërimin dhe hapësirat publike për ta bërë sa më të këndshëm vizitën e turistëve. Sivjet do e nisim me festën e 1 majit dhe për këtë festë kemi përgatitur një program të veçantë kulturor e artistik disaditorë dhe ftojmë bashkëkombësit nga Kosova ta vazhdojnë traditën e bukur të ardhjes së rregullt në Ulqin.
“Epoka e re”: Cilat do të jenë risitë që do t’i ofrojë Ulqini kësaj radhe?
Cungu: Përveç bukurisë natyrore të bregdetit dhe mikpritjes së ngrohtë, pushuesit në Ulqin në këtë sezon do të kenë mundësi të shijojnë një jetë më të pasur kulturore, artistike e sportive. Një ndër atraksionet kryesore të reja për vizitorët e rinj në Ulqin është Kitesurfing në Plazhin e Madh. Ky sport aventurë po merr përmasa të jashtëzakonshme tek ne dhe bregdeti ynë është bërë një ndër 10 destinacionet më të preferuara në botë për këtë sport. Po ashtu plazhi mahnitës i Valdanosit dhe ullishtja që e rrethon është duke u bërë një ndër vendet më tërheqëse për pushuesit kosovarë që në të kaluarën nuk e kanë frekuentuar. Nga ana tjetër dua të theksoj se Ulqini ka një potencial të jashtëzakonshëm edhe të turizmit rural, prandaj ne i ftojmë pushuesit ta vizitojnë liqenin e Shasit si dhe zonën e Krajës ku bregu i liqenit ka pamje me të vërtetë mahnitëse.
“Epoka e re”: Sa po mbështetet ky qytet si qendra e shqiptarëve në këtë vend nga qeveria qendrore e Malit të Zi?
Cungu: Për një periudhë të gjatë Komuna e Ulqinit ka qenë neglizhuar dhe diskriminuar nga pushteti qendror dhe nuk ka përfituar nga investime publike shtetërore. Mungesa e investimeve në infrastrukturë ka bërë që të mungojnë investimet në turizëm dhe pavarësisht se bregdeti ynë ka potencialin më të madh në Malin e Zi, ka ngelur më i prapambeturi. Po ashtu për një kohë të gjatë nuk është aprovuar plani hapësinor dhe investitorët seriozë kanë qëndruar larg për sa kohë nuk kemi pasur plane urbanistike. Përpos kësaj më duhet ta them se edhe qeverisja e mëparshme komunale ka pas lënë shumë për të dëshiruar dhe jo vetëm që nuk ka bërë punët dhe investimet që kanë pasur nevojë qytetarët, por e kanë mbushur buxhetin e komunës me borxhe të mëdha të cilat ende jemi duke i paguar. Mirëpo pas zgjedhjeve të fundit parlamentare është krijuar një koalicion i ri në qeverinë qendrore ku bën pjesë edhe partia që unë drejtoj, dhe pjesë e marrëveshjes me kryeministrin e ri ka qenë përmbushja e disa prej kërkesave të kamotshme tonat. Para pak javësh Qeveria ka miratuar Planin Hapësinor të komunës duke i dhënë kështu dritën jeshile rrugën investimeve serioze në ndërtimin e një infrastrukture moderne hotelerike për turizmin. Pjesë e këtij plani është edhe një lidhje e re me Shqipërinë nëpërmjet Bunës mes fshatrave Shas-Pulaj e cila do ta bashkonte ofertën tonë turistike me atë të Velipojës. Ky plan i sapoaprovuar ka përfshirë kërkesat tona për mbrojtjen e ullishtës dhe kripores së Ulqinit duke i mbrojtur këto pasur të jashtëzakonshme të natyrës sonë. Po ashtu si pjesë e këtij koalicioni jemi duke zhbllokuar disa prej projekteve të rëndësishme të infrastrukturës që kanë qenë duke pritur për financim nga qeveria qendrore sikurse është përfundimi i rruga që lidh Ulqinin me pikën kufitare të Muriqanit.
“Epoka e re”: Cila është gjendja e shqiptarëve në këtë vend? Sa është avancuar pozita e tyre?
Cungu: Gjendja e shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar sepse si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm për dekada me radhë trojet e shqiptarët në Mal të Zi janë zhytur në varfëri. Diskriminimi ka bërë që një përqindje shumë e madhe e bashkëkombësve tanë të braktisin vendlindjen dhe të kërkojnë një jetë më të mirë në emigracion. Po ashtu presioni i vazhdueshëm diskriminues ka çuar në asimilimin e një pjese të mirë të popullsisë shqiptare në Mal të Zi. Mjafton të shkoni në Rozhajë apo Plavë e Guci për të parë se sa shumë banorët aty e kanë humbur gjuhën dhe identitetin kombëtar. Kuptohet që vitet e fundit me procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian janë bërë avancime në pozitën e shqiptarëve, mirëpo prapëseprapë ngelemi shumë të diskriminuar. Po të shikoni administratën e lartë shtetërore, kuadrot shqiptarë të punësuar aty numërohen me gishta. Reforma elektorale gjithashtu i ka dëmtuar shumë shqiptarët dhe sot kemi vetëm 1.5% përfaqësim në parlament ndërkohë që përbëjmë 7 % të popullsisë. Me anën e koalicionit të ri qeverisës ku marrim pjesë ne kemi mundur që të përmbushim disa prej kërkesave legjitime të shqiptarëve sikurse është përdorimi i simboleve dhe gjuhës shqipe në trojet tona. Po ashtu qeveria e ka miratuar formimin e Komunës së Tuzit dhe së shpejti presim që parlamenti i Malit të Zi ta miratojë ligjin që e mundëson këtë komunë të dytë me shumicë shqiptare.
“Epoka e re”: Kritikët thonë se elita politike e shqiptarëve është shndërruar në servilë të pushtetit, duke i anashkaluar interesat e shqiptarëve?
Cungu: Kjo është gjë e vërtetë për një pjesë të mirë të përfaqësuesve politik shqiptarë të së kaluarës, të cilët kanë ndenjur duarkryq përpara vazhdimit të diskriminimit, varfërimit dhe emigracionit. Madje me abuzimet dhe keqmenaxhimin që kanë bërë politikanët e vjetër kanë qenë bashkëfajtor për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të Malit të Zi. Mirëpo unë besoj se populli ynë i zhgënjyer me ta me të drejtë nuk ua jep më votën dhe politikanët shqiptarë të dikurshëm tanimë janë në periferi të jetës politike. Sikurse ua përmenda më sipër ne kemi hapur një kapitull të ri të politikës në Mal të Zi duke bërë të mundur që të shtyjmë përpara agjendën tonë kombëtare duke mbrojtur të drejtat dhe interesat tona dhe duke përmbushur një pjesë të kërkesave të popullit tonë.
“Epoka e re”: Disa statistika tregojnë se numri i shqiptarëve në Mal të Zi po zvogëlohet vazhdimisht. Pse po ndodh kjo, dhe çka po bëjnë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve për ta ndalur këtë trend?
Cungu: Përqindja e popullsisë shqiptare në Mal të Zi ka rënë vazhdimisht si pasojë e emigracionit dhe asimilimit. Të dy janë këto fenomene të rënda të shkaktuara prej diskriminimit të vazhdueshëm politik që kemi pësuar për një kohë të gjatë. Përqindja jonë dhe përfaqësimi ynë politik është tepër i vogël për të qenë vendimtarë dhe për të bërë presionin e mjaftueshëm në Podgoricë për të realizuar plotësisht të drejtat dhe kërkesat tona. Në periudhën e fundit ne kemi bërë një kthesë me përmirësime të ndjeshme mirëpo nevojiten veprime të shumta të mëdha për të riparuar ato probleme të akumuluara prej të kaluarës. Prandaj ne nuk mjaftohemi me angazhimin tonë politik në Podgoricë por lobojmë në Tiranë, Prishtinë, Bruksel dhe Uashington dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare për të arritur të drejtat tona. Një pjesë e kërkesave tona imediate politike janë përmbushur prandaj prioritet për ne është bërë zhvillimi ekonomik. Vetëm me zhvillim ekonomik mund të ndalim emigracionin. Krahinat më të prekura nga zbrazja e shqiptarëve janë Plavë-Gucia si dhe Kraja prandaj ne kemi bërë vazhdimisht kërkesa për investime infrastrukturore që i nxjerrin këto krahina nga izolimi dhe iu mundësojnë zhvillimin ekonomik. Nga Kosova ne presim që sa më shpejt ta përfundojë rrugën e nisur Deçan-Plavë e cila po zvarritet pa kuptim. Ndërsa ekziston një projekt rruge që mund të nxjerrë nga izolimi krahinën e Plavës dhe Gucisë. Para gjashtë vitesh është nënshkruar marrëveshja për krijimin e pikës kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në Qafë të Vranicës mirëpo asgjë nuk është materializuar ende. Me këtë rrugë duhen vetëm 47 kilometra për ta lidhur Plavën me Bajram Currin. Një tjetër rrugë ndër-shtetërore që ka potencial të lartë për zhvillimin e trojeve shqiptare në Malin e Zi është rruga Zogaj-Skje që do të çlironte potencialin turistik të gjithë bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës dhe nxirrte nga izolimi krahinën e lënë pas dore të Krajës në Malin e Zi.
“Epoka e re”: Tani atje është formuar një parti e spektrit qytetar “Ura”, e cila synon që pjesë e saj të bëhen shqiptarët dhe malazezët. Ka ardhur koha për subjekte të tilla politike në Mal të Zi?
Cungu: Sikurse mund të jeni të informuar, Mali i Zi gjendet në një krizë të madhe të brendshme dhe një klimë të tensionuar politike sepse opozita ku përfshihet edhe URA, është duke bojkotuar parlamentin dhe duke u përpjekur që të bllokojë futjen në NATO. Liderët e kësaj opozite kanë deklaruar se me të ardhur në pushtet do e anulojnë njohjen që i ka bërë Kosovës Mali i Zi. Po ashtu u zbulua një komplot i dështuar për të përmbysur qeverinë në mënyrë të armatosur i dirigjuar nga Moska dhe me pjesëmarrjen e përfaqësues të opozitës. Në këtë dilemë mes Lindjes dhe Perëndimit, shqiptarët, kudo që janë, janë pozicionuar pa asnjë mëdyshje drejt Perëndimit, pra drejt aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe partnerëve të tjerë të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që ata shqiptarë që i janë bashkuar opozitës që është e orientuar drejt Rusisë janë duke punuar kundër interesave tona kombëtare. Për fat të mirë këta janë shumë të paktë dhe me peshë të papërfillshme prandaj mendoj se parti të këtilla si URA nuk kanë të ardhme tek ne.
“Epoka e re”: Në Kosovë demarkacioni me Malin e Zi ka shkaktuar një përçarje të madhe mes pozitës dhe opozitës. Cili është qëndrimi i shqiptarëve të Malit të Zi për këtë çështje?
Cungu: Kjo është një çështje e brendshme delikate e Kosovës dhe për mua është e vështirë të marrë anë apo të mbështes ndonjë krah të caktuar. Ne shqiptarët e Malit të Zi duam më të mirën për Kosovën dhe dëshirojmë që ta shohim që të eci përpara në procesin e integrimit evropian. Prandaj mendoj se do të ishte mirë që sa më parë të gjitha palët të mblidhen bashkë, duke lënë mënjanë interesat apo qëndrimet partiake, dhe të gjejnë një kompromis për ta nxjerrë vendin nga izolimi dhe për t’i mundësuar udhëtimin pa viza qytetarëve të Kosovës. Paramendoni që shtetasve të Malit të Zi iu janë hequr vizat shengen që para 7 vitesh dhe kosovarët janë të fundit në Evropë që nuk mund të udhëtojnë lirisht në kontinentin e tyre ku banojnë prej mijëra vjetësh.
“Epoka e re”: Opozita në Kosovë kërkon rinegocim të kësaj marrëveshje, ani pse Mali i Zi e ka miratuar këtë marrëveshje në kuvend. Ka gatishmëri qeveria malazeze ta rinegociojë këtë çështje?
Cungu: Për sa i përket Malit të Zi në kohën pasi kjo marrëveshje u nënshkrua, qeveria malazeze qe e gatshme ta diskutonte. Mirëpo kjo çështje për Malin e Zi për momentin është periferike sepse sfidat me të cilat po përballet janë të jashtëzakonshme. Pra kërcënimi i rendit të brendshëm dhe i orientimit gjeopolitik që po ia bën një pjesë e opozitës e drejtuar prej Beogradit dhe Moskës kanë lënë në hije të gjitha temat e tjera politike në vend.
(Muhamet KOCI) 

Epoka e re