Salaj: Koha Javore dhe sfidat e mediave të shkruara

April 24, 2017   | Shtypi / Mediji

Ali Salaj

15 vjetori i gazetës “Koha javore” është një jubile i rëndësishëm për gazetarinë e shkruar në gjuhën shqipe në Mal të Zi, e cila në vetvete përmban një mision të vështirë, gati-gati në kufijtë e pamundësisë.

Misioni i parë i kësaj gazete ishte angazhimi në mbrojtjen e sistemit të vlerave, një mision që nisi me një staf të pakontaminuar nga politika dhe të paprekur nga klanet e interesit. Kjo frymë u krijua dhe u ruajt me përkushtim nga të gjithë ata që morën pjesë në thurjen e saj, posaçërisht nga bashkëpunëtorët e çmuar që i dhanë dhe vazhdojnë ti japin një frymë të veçantë kësaj gazete.

Si çdo fillim, edhe ai i gazetës “Koha javore” ishte më tepër se sfidues për shkak të mungesës së një tradite të mirëfilltë në gazetarinë e shkruar, por edhe nga synimi që të krijohet një gazetë me format dhe dizajn për ti dhënë shpirt dhe frymë kombëtare, fjalës së lirë.

Gjatë këtij harku kohor u lindën dhe u rritën profesionalisht gazetarë, analistë, publicistë, studiues, të cilët i dhanë imazhin përbajtësor “Kohës javore”.

Kësisoj “Koha javore” gjatë këtij 15 vjetshi ka lenë pas me qindra e mijëra artikuj kulturorë, arsimorë e sportivë, intervista, opinione, polemika dhe vështrime që do të mbeten një material i çmuar arkivor dhe pikë referimi për brezat e ardhshëm.

“Koha javore” shërbeu në komunikimin e përgjegjshëm, larg sensacioneve dhe thashethemeve duke e ruajtur etikën dhe lirinë e shprehjes. Në çdo mënyrë u përpoq të mos kishte ngjyrime politike apo  të vihet nën ndikimin e politikës së ditës. Përkundrazi, ajo ishte e balancuar dhe e hapur për çdo pikëpamje që paraqet interes publik. Për këtë arsye, shpeshherë nuk u respektua rregulla dhe tradita e lashtë shqiptare i njohur në Kanun si “lajmësi nuk preket”. Përkundrazi, “Kohës javore” iu vunë disa herë ndërkëmbjet me qëllim të frikësimit dhe eliminimit të saj nga skena mediatike në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

E gjithë kjo sinjalizon se për mediat në gjuhën shqipe ende mbetet aktual profetizimi i njohur i babait të gazetarisë shqiptare, Faik Konica: “ Në folsh mirë për shqiptarët krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë, në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët, në folsh mirë për krishterët dhe muhamedanët që janë shqiptarë të mirë e ligsht për të ligjtë, aherë do të hidhërohen të gjithë”.

 

Megjithatë, mbrojtja dhe zhvillimi i mediave në gjuhën shqipe duhet të mbetet detyrim dhe objektiv i shqiptarëve në Mal të Zi. Sepse reduktimi dhe shuarja e mediave në gjuhën shqipe do të rrezikonte qenien kombëtare, pasi është e ditur se komuniteti pa media është i paracaktuar të humbasë identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kulturor.