Hajredin Kovaçi, disidenti me shpirt artisti

May 17, 2017   | Reportazh / Reportaža

Nga ish- i burgosur politik në Mal të Zi, në poet dhe mbledhës i etnosit të zonës së Anës së Malit në Ulqin.

I lindur në fshatin Draginë të Anës së Malit pjesë administrative e Ulqinit në Mal të Zi, Hajredin Kovaçi ka provuar edhe persekucionin shovinist serbo-malazez, por nuk është ndalur asnjëherë së shkruari. Dashuria për vendin e tij ka bërë që të mos largohet asnjëherë nga fshati i lindjes. Ai sot ka hapur një muze me objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore të zonës së Anës së Malit në pjesën e territorit shtetëror të Malit të Zi.

I lindur në fshatin Draginë të Anës së Malit pjesë administrative e Ulqinit në Mal të Zi, Hajredin Kovaçi ka provuar edhe persekucionin shovinist serbo-malazez, por nuk është ndalur asnjëherë së shkruari. Dashuria për vendin e tij ka bërë që të mos largohet asnjëherë nga fshati i lindjes. Ai sot ka hapur një muze me objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore të zonës së Anës së Malit në pjesën e territorit shtetëror të Malit të Zi.

Shkrimet e para

Unë kam filluar të shkruaj edhe para se të arrestohem, kam shkruar edhe gjatë vuajtjes së denimit (dy vjet në burgun e Spuzhës) dhe pas daljes nga burgu. Si ish- i dënuar politik, jam ndikuar shumë nga politika, kam shkruar shumë edhe në burg, me fije shkrepëse të djegura (nën hetim), por për fat të keq, ato poezi m’i moren në ditën e daljes nga burgu dhe unë s’arrita t’i shkruaj më, s’më kujtohen dhe s’do ta shohin kurrë dritën! Vazhdoj të shkruaj të ndryshoj përditshmërinë që bezdis dhe kur shoh rrënimin e veprave të ndërtuara, degradimin e vlerave të arritura dhe asimilimin e vazhdueshëm që çon drejt një zhdukjeje të heshtur. Vazhdoj të shkruaj, të vendos edhe një gur më shumë në murin e gjatë të letërsisë shqipe që krijohet në Malin e Zi dhe asaj mbarëkombëtare. Vazhdoj të shkruaj se mendoj se me poezi mund të thuhet shumëçka, se me poezi mund të ndryshohen njerëzit që nuk janë vetvetja, situatat tragjike dhe bota në përgjithësi, sepse jo gjithmonë gjërat ndryshohen me dhunë e kërcënime, por edhe me art të mirëfilltë, pra me poezi, sepse poezia është filozofi, është protestë, por mbi të gjitha është dashuri, e dashuria duhet të sundojë botën.

Arrestimi

Pse mora pjesë në demonstratat e studentëve në Prishtinë, në vitin 1981, pse kam parë në televizor programet shqiptare, pse kam lexuar libra ‘të ndaluar’, të botuar në Tiranë, pse kam kënduar këngë patriotike, pse kam dalë në rrugë e kam bërtitur ‘Kosova Republikë’, pse shava ushtrinë e policinë që rrahën, vranë e bënë kërdinë, që thashë se korbat e zinj do të hanë njëri-tjetrin dhe pëllumbat e bardhë do të sjellin lirinë dhe se mbi të gjitha desha Kosovën dhe Shqipërinë! U denova në emër të popullit me dy vjet burg se gjoja të gjitha këto ishin propagandë armiqësore dhe  thirrje për rrëzimin e sistemit të atëhershëm shtetëror.

Vendlindja dhe kujtimet e së kaluarës

Jam i lidhur shumë me vendlindjen, Anën e Malit dhe Ulqinin. Kam kujtime të bukura dhe s’mendoj se do të largohem ndonjëherë. Po, ku të  shkoj, kur vendi im ka nevojë për mua, për Ty, për Ata,  më shumë se asnjëherë!? Po, ku të vemi të gjithë, kur do ta kuptojmë se jeta s’është veç pare?

 Muzeu etnografik

Dashuria për Anën e Malit, për etnografinë, kulturën dhe mënyrën e jetesës, më shtyu që mbi themelet e shtëpisë së vjetër të gjyshit tim, Haxhi Zenelit, të hapë një muze të vogël etnografik i cili po merr formen e një muzeu të mirëfilltë nga dita në ditë. Është momenti i fundit që të ruajmë kulturën tonë, sepse ajo është pjesë e kulturës mbarëkombëtare. Jemi në fazen e grumbullimit të eksponateve të vjetër nga Ana e Malit, si një trevë me specifikat e veta, që na dallon, por edhe na pasuron.

Kultivimi i etnosit tek fëmijët

Ka vite që unë mendoj për këtë nismë dhe arrita ta kultivoj edhe tek fëmijët këtë dashuri për etnosin, për të kaluarën. Ata me një përkushtim të madh po punojnë në këtë drejtim, në grumbullimin, pastrimin, fotografimin dhe shënimin e sendeve të vjetra, si pjesë e thesarit tonë kulturor. Ky muze përmban shumë sende të vjetra, vegla pune bujqësore, enë e orendi shtëpiake, pjesë të veshjes tradicionale, me një fjalë, krejt atë çka ishte pjesë e jetesës së banorëve të kësaj treve. Së shpejti, pjesë e këtij muzeu, do të jetë edhe biblioteka modeste me libra, gazeta e revista, e disponueshme për të gjithë vizituesit.

Arsyet e hapjes së muzeut

Unë, këtë muze, nuk e hapa veç për vete, por për të gjithë ata që e duan kulturën, të kaluarën, sepse nëse harrojmë të kaluarën, nuk do të kemi të ardhme. Ky muze i jep frymë, jo vetëm fshatit Draginë, por edhe Anës së Malit, Ulqinit e më gjerë, si i vetmi i këtij lloji në komunën e Ulqinit. Është mirëpritur shumë kjo nismë dhe kjo më bën të punoj edhe me më shumë dashuri në zgjerimin e këtij muzeu dhe pasurimin e tij me më shumë eksponate të vjetra, si dëshmi e lashtësisë, kulturës, etnosit dhe jetesës së kësaj zone.

Konica.al