Osmani: Dhuna në familje, sëmundje e shoqërisë

May 18, 2017   | Shoqëria / Društvo

   Dhuna në familje shikuar historikisht ka qenë e pranishme në të gjitha formacionet shoqërore-ekonomike. Prandaj, këtij problem i nevoitet një përkushtim serioz dhe i matur. Shqyrtymi i problemit të dhunës në familje është çështje shumë e ndjeshme, sepse rëndom bëhen përpjekje që problemet familjare të zgjidhen brenda vetë familjes, me faktin real se familja konsiderohet si diçka e shenjtë.

            Qani  Osmani

Dhuna në familje është një problem, për të cilin në botën bashkëkohore kanë filluar të bëhen studime, me qëllim të mirë, në mënyrë që përmes të dhënave që ofrojnë këto studime, të gjenden masa ligjore adekuate për parandalimin dhe eliminimin e kësaj dukurie. Dhuna në familje është një problem global dhe prek të gjitha shtresat e popullsisë, të rinj dhe të moshuar, të arsimuar apo analfabetë, të martuar apo beqarë, prek çdo kombësi, klasë, race, apo grup etnik.

Në shoqërinë tonë ky fenomen është shumë shqetësues nga vetë fakti se familja është studiuar nga shumë aspekte, si ai juridik, sociologjik, etik etj. Mirëpo, këtij institucioni aq të rëndësishëm në shoqëri nuk i është qasur sa duhet në drejtim të hetimit të dhunës në familje. Pra, për ta njohur problemin e dhunës në familje, ka logjikë që së pari duhet ta njohim mirë familjen dhe se lidhur me këtë lind pyetja pse familja është institucion qendror në shoqëri?

Përgjigjja nuk kërkon ndonjë përkufizim shkencor, sepse është një përgjigje e lehtë dhe besoj çdo njeri mund ta definojë lehtë. Njeriu lind, rritet, zhvillohet dhe vdes në familje. Së këndejmi, familja është institucioni më i afërt, më dashur dhe më i ndjeshëm rreth të cilit sillet shoqëria njerëzore dhe mu nga rëndësia e saj, me të drejtë quhet qeliza e shoqërisë.

Në këtë institucion ndodhin momentet më të rëndësishme në jetën e individit si: çaste gëzimi (lindja, martesa), respekti, dashuria, ngushllimi etj. Familja përkufizohet si grup themelor shoqëror i njerëzve, të lidhur me martesë dhe gjini, midis të cilëve ekzistojnë të drejta dhe detyrime të parashikuara me ligj. Shoqëria formohet nga familjet dhe raporti i shoqërisë me familjen është i drejtpërdrejtë dhe shumëfish ndërvarur. Bashkëshortët, domethënë gruaja dhe burri, zënë pjesën qendrore në familje, prandaj raporti mes tyre vulos edhe raportet e tjera tek pasardhësit. Midis anëtarëve të familjes ka të drejta dhe detyrime të ndryshme të përcaktuara me ligj. Raporti i këtyre të drejtave dhe detyrimeve ndryshon varësisht nga afërsia që ekziston ndërmjet tyre, si, për shembull, dallon ajo e prindërve ndaj fëmijëve, apo ndaj prindërve të tyre të moshuar, në krahasim me vëllezërit apo motrat e rritura, raporti i nuses me vjehrrit, ose familjen e burrit e raporte të tjera.

Format e dhunës në shoqërinë tonë

Duke i analizuar të gjitha këto raporte të rëndësishme, mund të konstatojmë me të drejtë se dhuna në familje paraqet një krim serioz, që bën pjesë në krimet e përgjithshme kundër njeriut. Personi i cili pëson dhunë në brenda familjes, nuk është në gjendje të kontriboj në shoqëri. Prandaj, organet zbatuese të ligjit nuk guxojnë të jenë tolerante dhe të lejojnë dhunë, ngaqë çdo njeri është i lidhur me familjen.

Dhuna në familje kohët e fundit ka filluar të raportohet, dhe ky raportim i tillë sa vjen e rritet, gjë që flet për një ngritje të vetëdijes së personave që përjetojnë dhunën, sidomos të femrave, sepse ato ose ata janë të vetëdijshëm se për asnjë veprim të papëlqyer nuk mund të ndëshkohen me masa dhune nga anëtari i familjes. Një arsye tjetër i raportimit të dhunës në organet e drejtësisë, të policisë dhe OJQ (të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm), është se praktika ka treguar që ato viktima mbrohen në mënyrë të duhur dhe efikase, si dhe kryerësit e kësaj dhune arrestohen dhe më pas u nënshtrohen sanksioneve ligjore.

Në shoqërinë tonë në praktikë del edhe problemi i ndarjes së formave të dhunës në familje, sepse rëndom këto paraqiten në të njejtën kohë të gjitha, apo disa nga to (fizike, psikike, emocionale). Disa nga format e dhunës në familjet tona janë: dhuna fizike, dhuna psikike, keqtrajtimet emocionale, mbyllja e dhunshme, ngacmimi, lënia e fëmijës pas dore, trazimi, pengimi i partnerit të ndarë për t’u takuar me fëmijën e saj, apo të tij.

Te ne është shumë e shprehur dhe e raportuar dhuna fizike, madje kemi edhe përfundime tragjike: vrasje, shtytje në vetëvrasje (ose vrasje me inskenim të vetëvrasjes), tentim vrasjeje me armë zjarri, therje me thikë, duke bërë një kënaqësi shtazarake në trupin e gruas në prani të fëmijës, shkulje flokësh, lëndime në fytyrë, lëndime trupore, duke e akuzuar viktimën si të sëmurë psikike, rrahje të vazhdueshme duke e detyruar viktimën të pranojë edhe atë që s’e ka bërë etj. Këtë dhunë që përmendëm më lartë në të shumtën e rasteve e kryen: burri, babai, vëllai, vjehrri, kunati, djali, xhaxhai,daja etj.

Edhe femrat ushtrojnë dhunë

Mirëpo, praktika ka treguar se edhe femrat shpesh janë ato që shkaktojnë dhunë në familje, si, për shembull- ndaj pleqve, sidomos tash kur nuk kanë edhe aq përkrahje materiale nga shteti, me të cilët u janë lënë në përkujdesje djemve, vajzave apo bashkshorteve të djemve, nipave dhe mbesave, duke shkaktuar kështu një keqtrajtim emocional dhe një dhunë të papërshkruar psikike. Ka raste kur edhe femrat bëjnë dhunë ndaj femrës, për shembull-vjehrrat ndaj nuseve, motra ndaj bashshortes së vëllait, nuset ndaj vjehrrave, ndaj motrave të burrit (kjo dhunë është reciproke)

Kemi raste kur edhe femrat ushtrojnë dhunë ndaj mashkullit. Për shembull, gruaja me të lindur të fëmijës, e konsideron veten si pjesë qendrore të shtëpisë, kështu që prania e antarëve të tjera të familjes së burrit (prindërve, vëllezërve, motrave etj) konsiderohen si pengesë në jetën e tyre.

Shkaqet e shtyrjes për të bërë dhunë janë të shumta si: problemet ekonomike, familjet e mëdha, edukata patriakale, çështja e moszgjidhjes së banimit, frika nga pasiguria ekonomike, moslejimi i avancimit të personave me aftësi të ngritura në familje, jetesa e përbashkët bashkëshortore pa lidhje të kurorës etj..etj.

Duke ardhur në përfundim mund të themi lirishtë se dhuna në familje është një sëmundje e madhe për shoqërinë, në përgjithësi, dhe për shoqërinë shqiptare në veçanti, konsiderojmë  se funksionimi efikas i mekanizmave kompetentë është një hap parandalues kundër dhunës në familje, duke përsosur dhe implementuar masat represive me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kësaj dukurie negative.