Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet për skafin me 1.5 tonë kanabis që u kap në Ulqin

May 20, 2017   | Lajmet / Vijesti, Rajoni / Region

Dyshohet se u nis nga zona e Lezhës

Skafi me 1.5 tonë canabis i bllokuar në brigjet e Malit të Zi, detyron Prokurorinë për Krime të Rënda të nisë hetimet. Burimet thonë se po verifikohet e kaluara dhe kontaktet e dy të arrestuarve, Elton Çaushaj dhe Benard Tahiraj me rolin e drejtuesit të skafit dhe shoqëruesit të tij.

 

Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimin për skafin e bllokuar me 1.5 tonë hashash në plazhin e madh të Ulqinit, ku janë arrestuar edhe 2 skafistët shqiptarë.
ABC News ka mësuar se institucioni i akuzës, e ka regjistruar procedimin penal për “trafik droge” në bashkpëunim. Për këtë hetim, burimet thonë se janë regjistruar emrat e dy të dyshuarve në rolin e drejtuesve të skafit të arrestuarit Elton Çaushaj dhe Benard Tahiraj. Veç dy të arrestuarve, burimet thonë se po verifikohen kontaktet që ata kanë pasur në Shqipëri si dhe personat që i kanë ndihmuar për transportimin e 1.5 tonëve hashash. Sipas akuzës, nga të dhënat paraprake, dy të arrestuarit Çaushaj dhe Tahiraj nga zona e Vlorës nuk kanë pranuar të flasin për hetuesit malazezë. Por prokuroria mësohet se ka ngritur dyshime se skafi ka ardhur nga Italia, është ngarkuar në zonën e Talës në Lezhë dhe më pas ka udhëtuar drejt Malit të Zi. Me të kaluar pranë ujrave të shtetit fqinjë, mësohet se policia kufitare e Malit të Zi ka pikasur skafin gjatë lundrimit rreth 8 milje larg bregut. Me konstatimin e tij, rojet bregdetare të policisë malazeze janë vënë në ndjekje të skafit ku pas rreth 30 minutave drejtuesi i skafit dhe shoqëruesi i tij i janë dorëzuar policisë, ku edhe janë arrestuar.
Nga ana tjetër, mësohet se prokuroria ka verifikuar të kaluarën e dy të arrestuave në Mal të zi, të cilët dyshohet se jetonin prej kohësh në Venecia të Italisë. Ndërkohë mediat malzeze, referuar burimeve të prokurorisë kanë thënë se skafi vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion Ulqinin nga ku trafikantët malazez në rrugë tokësore do ta kaloin hashashin në vende të ndryshme të BE-së.
ABC