Arbëreshë e Ulqinakë – Vëllezër të një gjaku – Foto

May 26, 2017   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Edhe pse ka kaluar mesnata, salla e madhe e hotelit “Albatros” në bregdetin tërheqës të Ulqinit, ka një gjallëri disi të veçantë. Njerëz të veshur me kostume kombëtare, Pierpaolo në fizarmonikë, dikush tjetër në dajre, Suadi e Franco që këndojnë, Lucia e Luljeta që bisedojnë, Imma regjisorja që ende është e preokupuar për spektaklin që do të jepet nesër në sallën e qendrës kulturore të Ulqinit, aktorët që qeshin e luajnë, të gjithë bashkë përbëjnë një atmosferë të bukur, nga ato që ky ambient e qyteti i Ulqinit e provojnë për herë të parë. Sonte janë bashkuar së toku, arbëreshë e ulqinakë, vëllezër e motra të një gjaku, që takohen pas 500 vjetësh. Trupa teatrale e shoqatës “Vorea” në Frascineto të Kalabrisë ka ardhur të japë shfaqjen “Kostantini e Garentina”.

Është varianti arbëresh i legjendës së mirënjohur shqiptare, e cila mbijeton e emocionon kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Arbëreshët janë veshur me kostume tradicionale që i punojnë e prodhojnë vetë. Lucia e Luiljeta, madje edhe djali i vogel i Lulit, janë veshur me kostume ulqinake. Këngët arbëreshe, ulqinake, shkodrane e korçare këndohen deri në orët e vona. Duket sikur askush nuk ka dëshirë të shkojë të flerë. Sikur janë zgjuar nga një gjumë shekullor e tani duan të fitojnë kohën e humbur. Flitet gjuha shqipe në variantin e arbërishtes dhe dialekti i Ulqinit. Ndihen të gjithë vëllezër të një gjaku. Gjaku ynë i shprishur, tani po bashkohet,-thotë Lucia Martino, mjeshtër i Madh, e cila bën një punë të pasionuar për kulturën e traditat shqiptare dhe i ka çuar grupet e saj edhe në Tiranë e deri në Kanada.

* * * Nga ballkoni i hotelit vështroj atë gji shkëmbor, mbi të cilin përkulen degët e pishave shekullore. Ujët e kulluar ka ngjyrat blu e turkeze, që ndërthuren midis tyre si ngjyrat e pikturës në një kuadër pejsazhi. Mëngjesi është i bukur dhe në parkun e gjelbër kanë ardhur nxënësit e shkollave. Midis tyre dalloj gazetarin Ndue Lazri, i cili është zgjuar herët dhe kërkon të rrëmbejë fotot e orëve të para të mëngjesit, të cilat kanë një dritë të mrekullueshme për foto. I pasionuar pas fotove ai ngjitet e zbret shkëmbenjve duke futur në fokus pamje të ndryshme që ky ambient i ofron si kartolina të vërteta. Më kishte bërë përshtypje energjia e tij edhe në mbrëmjen e kaluar në sallën ku do të jepej shfaqja. Regjisorja Imma Guarasci ishte e preokupuar se donte që cdo gjë të ishte gati për provën e mëngjesit dhe për spektaklin para publikut. E gazetari i ardhur nga Bolonja, si president i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali që ka bashkëpunuar për ardhjen e këtij grupi në Ulqin, bënte edhe punën e karpentierit për montimin e skenave, edhe punën e elektriçistit, duke u kujdesur për dritat e skenës, bashkë me anëtarët e tjerë të trupës. Aktorët zgjohen dalëngadalë dhe marrim rrugën për tek qendra kulturore.

Rrugët e bukura e karakteristike të Ulqinit janë mbushur me njerëz. Ata na përshëndesin përzemërsisht. Dyqanet me suvenire presin e përcjellin klientë e turistë që duan të kenë ndonjë kujtim nga ky qytet i bukur. Kryetarja e shoqatës kulturore “Labeatët”, Luljeta Avdiu Cura, një grua energjike dhe përherë e qeshur, vjen tek salla dhe interesohet që trupës së teatrit të mos i mungojë asgjë për suksesin e shfaqjes. Qytetarë të Ulqinit dhe aktivistë e bashkëpunëtorë të qendrës kulturore vijnë me një farë kureshtje të shikojnë përgatitjet për spektaklin, por edhe të japin ndihmën e tyre të pakursyer nëse është nevoja. Edhe këtu ndihet ajo dashuri vëllazërore, por edhe ajo mikpritje e bukur e ulqinakëve, që është tipike shqiptare.

* * * Ndërsa trupa merret me provat e me përgatitjet, Suad Mehmeti me disa kolegë të tij, na fton që të vizitojmë qytetin piktoresk. Ata janë krenarë për bukuritë që ofron qyteti i tyre dhe na shoqërojnë në pikat më interesante, në plazhet që kanë filluar të frekuentohen nga turistë e pushues e ku çdo gjë është në gatishmëri për sezonin e ri turistik, kodrave të buta të Ulqinit, me shtëpi të bukura e karakteristike e me rrugë që gjarpërojnë mes gjelbërimit e luleve të shumta. Pastaj na drejtonjë një rruge të drejtë e të gjatë përmes një fushe që i ngjan një lugine të ngushtë midis kodrash e malesh. Gjelbërimi është kudo i dendur e shlodhës për syrin. Arrijmë tek Ada e Bunës, një fshat romantik ndërtuar dy brigjeve të lumit të vjetër që buron nga Liqeni i Shkodrës, përshkon kodrina e fushat e Bregut të Bunës dhe vjen këtu e derdhet në det. Lokale të shumta që mirëpresin klientë në këtë orë të drekës, barka peshkatarësh, motoskafe turistësh, shtëpitë me ngjyra të ndryshme nën hijet e pemëve të mëdha, krijojnë një pejsazh që të fton për të bërë foto të shumta. Këtu miqtë tanë nga Ulqini na ofrojnë bujarisht një drekë me prodhime deti të gatuara sipas traditës ulqinake dhe një verë të mirë të zonës. Prej këtu, kthehemi sërish në Ulqin dhe e vazhdojmë inkursionin turistik në krahun tjetër, aty ku ngrihet kalaja e lashtë dhe e bukur e qytetit. Pamja e detit dhe e qytetit nga kalaja është e mrekullueshme dhe tërheqëse. Nuk di nga ta kthesh më parë aparatin fotografik për të fiksuar këto pamje të rralla. Brenda mureve të kalasë shtëpi të bukura prej guri, rrugë të ngushta me kalldrëm që ngjiten drejt majës së kodrës, lokale të shumta, tek dyert e të cilëve të ftojnë me bujari të hysh brenda. Secili prej tyre ka një tarracë si ballkon mbi det nga ku klientët e turistët mund të shijojnë panoramën e qytetit dhe të bëjnë foto të bukura. Klodian Cami, ky djalosh energjik, sipërmarrës dhe aktivist i palodhur, që vjen nga Reggio Emilia në Itali preferon foto të veçanta si ajo duke hipur mbi një traktor të vjetër që nuk merret vesh si është gjendur këtu brenda kalasë, mbi një motorr të çuditshëm si ata të kohës së luftës, mbi muret e kalasë apo shkëmbinjtë e thepisur që zbresin deri në dallgët e shkumëzuara të detit. Kështu duke shetitur e duke u njohur me Ulqinin, na zë ora e mbrëmjes, kur do të fillojë spektakli.

* * * Salla e mbushur me spektatorë pret me emocion të veçantë shfaqjen e grupit arbëresh. Ka njerëz që kanë ardhur edhe nga Tuzi e zona të tjera, sepse Luljeta ka bërë prej kohësh publicitet për këtë eveniment të rëndësishëm, ardhjen e arbëreshëve për të dhënë shfaqje ne Ulqin. Ka ardhur edhe kryetari i komunës, Nazif Cungu, me familjen e tij. Para spektaklit, këngëtarja dhe aktorja e re, studente arbëreshe, Maria Ferrari këndon Himnin Kombëtar shqiptar, duke ngjallur një emocion të veçantë. Në sallë janë edhe gazetarë e grupe të televizionit lokal që kanë ardhur të regjistrojnë këtë moment të bukur. Pastaj legjenda e besës së dhënë shpalos përmes lojës së bukur të aktorëve variantin e saj arbëresh. Shfaqja është konceptuar bukur nga regjisorja Imma Guarasci dhe personazhet janë tipizuar mjeshtërisht nga aktorët. Publiku e ndjek shfaqjen në një heshtje të thellë deri në fund. E kjo heshtje ndërpritet nga duartrokitjet e nxehta të publikut të ngritur në këmbë kur përfundon shfaqja e dramës. Por spektakli nuk mbaron këtu.

Organizatorët kanë menduar mirë që ai të jetë nje sektakël arbëresho-ulqinak. Aktorët e dramës ua lënë vendin valltarëve të ansamblit “Ana e Malit”, këngëtarëve Franko Frega i ardhur nga Lungra e Kalabrisë dhe Pierpaolo Petta i ardhur nga Piana degli albanesi në Siçili. Me ta harmonizohet bukur këngëtari ulqinak Suad Mehmeti. Kësisoj spektakli vazhdon me pjesën e tij muzikore, duke e bërë emocionuese dhe të paharrueshme këtë mbrëmje mes vëllezërve të një gjaku. Organizime të tilla të shkëmbimeve të vlerave kulturore janë një eveniment i rëndësishëm sepse ruajnë e përtërijnë traditat tona të mrekullueshme e të pasura kulturore. Ndaj meritojnë përgëzime shoqata “Labeatët” e Ulqinit, shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e koordinim në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore.

Eltona Lakuriqi

Për më shum Foto – Flower Avdiu Facebook