Gjonaj:Të mos biem në kurthën e devijimeve të shoqërisë së sotme

June 2, 2017   | Reportazh / Reportaža

Gjekë Gjonaj

Në kohën e sotme  jemi të rrethuar me  shumë  lajme negative. Për fat të keq më shpesh  dëgjojmë  për fenomenet dhe dukuritë abnormale e patologjike se sa ato normale, vepra e sjellje që në psikologjinë sociale quhen  devijuese.  Për të këqiat moderne, krizën e moralit, konfliktet në familje, rritjen e përqindjes së delikuencës të të rinjve, korrupsionin, prostitucionin,  abuzimet seksuale, krimin e organizuar, narkomaninë, alkoolizmin, duahnin , SIDA-n e etj, disa prej të cilave  deri para disa dekadash ishin probleme  vetëm të Perëndimit, kurse sot paraqesin problem global. Të gjitha këto  dhe anomali të tjera famoze   të shoqërisë së sotme moderne po e çorodisin njeriun, po e zhveshin atë  nga  vlerat njerëzore, e kështu me radhë.

Bota bashkëkohore sot gjendet në udhëkryq. Modernizimi i cili njeriut i ksihte premtuar lumturinë, përveç komoditeteve i solli atij kokëçarje.  Njeriu i bashkëkohësisë në çdo shoqëri, përfshirë edhe shoqërinë shqiptare, ka nevojë që përmes mekanizmave të veta të luftojë këto dukuri dëmprurëse.

Sot më shumë se kurrë njeriu ka nevojë të jetë i mirë, human, bamirës, bujar, i fjalës e i besës,  zemërgjerë, i ndershëm, tolerant, i drejtë, i sinqertë, i solidarizuar. Pra,   të jetë në gjendje të dallojë të mirën dhe të keqen, të mësojë të dëgjojë zërin e arsyes dhe të ndergjegjes, zërin e mbrendshëm të tij dhe të jetë në gjendje të ndjekë këtë zë të brendshëm të zemrës së tij. Thënë shkurt kërkohet nga ai të mos bie në grackën  ( kurthën) e  devijimeve   të shqoërisë së sotme.

E rëndësishme është të edukohemi dhe të arsimohemi, sepse ato janë armë të fuqishme. Veç kësaj duhet  të  bëjmë dhe të përhapim vepra të mira.  Të edukojmë njëri-tjetrin. Të shpërndajmë  njohuritë dhe përvojat tona, mjetet ,  kontaktet . Duhet të mbajmë qëndrim njerëzor e fisnik. Të tregojmë dashuri  ndaj të gjthë njerëzve pa bërë dallime racore, shoqërore dhe fetare. Të jemi humanist. T’i duam njerëzit, që i njohim . Edhe  ata që nuk i njohim. T’u dëshirojmë të mirën dhe lumturinë. Të jemi të dhembshur me ta. Të ndihmohemi në mes veti. E,  mos t’ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit. Kjo kërkohet jo vetëm nga ne ( njerëzit), por edhe nga kafshët dhe gjallesat . Me shembullin tonë ne edukojmë të tjerët dhe  ndihmojmë që kjo  botë të jetë  një vend më i mirë për gjeneratat e ardhshme.