Zeneli: Anëtarësimi i Malit të Zi në Nato dhe çështja e pazgjidhur shqiptare në këtë shtet

June 9, 2017   | Lajmet / Vijesti, Opinione

( Anëtarësimi i Malit të Zi në strukturat euro-atlantike pa ngritur paraprakisht çështjen e problemeve që preokupojnë shqiptarët , mban në vehte rrezikun e legjitimizimit të statusit të pabarabartë të tyre në këtë shtet !.)

     Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte rezulltat i angazhimit të botës demokratike përendimore me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës që si pjesë e planit gjeopolitik të saj, të ndalohet apo pengohet influenca  e Rusisë në at pjesë strategjike të Ballkanit, si dhe krijimi i atmosferës së sigurisë, paqës dhe stabilitetit në rajon. Mali i Zi ka afër 300 kilometra bregdet në Adriatik dhe kjo konsiderohet si pikë e rëndësishme strategjike për Përendimin dhe NATO-n,çka kryesisht ndikoj në vendimin e anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancën Verio-Atlantike.

    

     Mirpo çfarë efekti do të ketë  anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në aspektin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi ?

     Mendoj se shqiptarët në Mal të Zi si popull autokton do të vazhdojnë gjithënjë të ballafaqohen me sfidat e realizimit e të drejtave të tyre legjitime në këtë shtet.Pra, edhe pas 5 Qershorit 2017 ( ditës së anëtarësimit të Malit të Zi në NATO), shqiptarët gjithënjë do të vazhdojnë të ballafaqohen me realizimin  e të drejtës së përdorimit të plotë të flamurit të tyre kombëtar, me  punësimin (përfaqësimin) e barabartë në organet e administratës shtetërore, me vazhdimësinë e uzurpimit të pronave të tyre përmes të ashtuquajtura “plane hapësinore” dhe qeveria qendrore gjithënjë do të menaxhoj me resurset e vendbanimeve me shumicë shqiptare, me mohimin e disa të drejtave në fushën e arsimit shqip, me shkallën e lartë të papunësisë së shqiptarëve, me diskriminimin në disa sfera të ndryshme të jetës shoqërore, me emigrimin, ç’kombëtarizimin apo asimilimin e tyre, e kështu me radhë.

    Entuziazmi dhe euforia e shqiptarëve me rastin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO do të kalojë, por problemet dhe sfidat e tyre në këtë shtet do të qendrojnë. 

   Ju rikujtojmë se edhe me rastin e pavarësimit të Malit të Zi në vitin 2006 shumica e shqiptarëve edhe atëherë demonstruan entuziazëm dhe me votën e tyre ( vendimtare) e përkrahen pavarësinë e këtij shteti me shpresë se pozita e tyre do të përmirësohej,por gjatë këtyre 11 viteve të Malit të Zi të pavarur, jo vetëm që nuk pati përmirësim të pozitës se shqiptarëve, por gjendja e tyre gjatë kësaj periudhe, pësoj një  degradim të dukshëm.

     Do të ishte e udhës që partitë shqiptare në Mal të Zi (ata që thirren në emër të mbrojtjes se të drejtave të shqiptarëve ), të përqendrohen dhe angazhohen më shumë në realizimin dhe zgjidhjen e çështjeve konkrete që preokopojnë shqiptarët në këte shtet dhe të merren më pak me politikën globale e cila është krejtësisht jasht ndikimit dhe kontrollit të tyre !  

     Derisa anëtarësimi në NATO garanton integritetin territorial dhe sigurimin e kufijëve të jashtëm të Malit të Zi, njëkohësisht do të ishte naivitet të besohet dhe të  shpresohet  se me këtë akt vetvetiu do të zgjidhen edhe problemet që tashmë një kohë të gjatë preokupojnë shqiptarët në këte shtet .

    Shteti amë-Shqipëria si dhe partitë shqiptare në Mal të Zi e përkrahën fuqishëm dhe pa rezervë antëtarësimin e Malit të Zi në NATO, pa e ngritur paraprakisht asnjëherë në mënyrë institucionale çështjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet .

     Integrimi i radhës për Malin e Zi do të jetë anëtarësimi i tij në Bashkimin Europian. Mendoj se kjo do të jetë mundësia e fundit që shqiptarët t’i ndërgjegjësojnë kërkesat e tyre para instancave  relevante ndërkombëtare dhe të sigurohen për imlementimin e drejtë dhe në praktikë të standardeve europiane për popujt pakicë, ku përfshihen shqiptarët e këtij shteti, para se Mali i Zi të anëtarësohet në BE.

    Përndryshe  anëtarësimi i Malit të Zi në strukturat euro-atlantike pa ngritur paraprakisht çështjen e problemeve që preokupojnë shqiptarët, mban në vehte rrezikun e legjitimizimit të statusit të pabarabartë të tyre në këtë shtet !.

Xheladin Zeneli

8 Qershor 2017