Policia malazeze kërkoi largimin e flamurit kombëtar nga shtëpia familjare e Xhemal Nikajt në Dinoshë

June 16, 2017   | Bota, Lajmet / Vijesti

Deklaratë lidhur me vizitën familjes Nikaj

 

I njoftuar me incidentin, kur punëtorët e policisë shkuan në familjen e Xhemal Nikajt në Dinoshë dhe kërkuan që ta largojnë flamurin kombëtar nga shtëpia e tyre, sot, bashkë me këshilltarin tim Nikollë Berishajn e vizitova familjen Nikaj.

Vera Nikaj, bashkëshortja e Xhemalit, (ai  momentalisht gjendet në SHBA), na informoi  për rastin dhe na shpjegoi se ngjarja kishte ndodhur të mërkurën më 14 qershor në orët e pas ditës. Dy punëtorë të policisë kishin kërkuar largimin e flamurit që valëvitej mbi shtëpinë e tyre, duke përkujtuar se  bëhet fjalë për »flamur të shtetit tjetër dhe se  përdorimi i tij ndëshkohet me ligj, i cili parasheh dënimin që mund të shkojë edhe deri në dy mijë euro«. Gjithashtu, sipas Verës, punëtorët e policisë e kishin informuar se dënime të tilla kanë paguar edhe në Podgoricë për përdorimin e flamurit të Serbisë (?!). Përndryshe, sipas familjarëve, sjellja e punëtorëve të policisë ishte korrekte.

Me këtë rast familjarët nuk e kishin larguar flamurin!

E sigurova familjen Nikaj se përdorimi i simboleve kombëtare është i lirë si me Kushtetutë, ashtu edhe me Ligjim mbi të drejtat dhe liritë e pakicave dhe Ligjin mbi përdorimin e simboleve kombëtare (si aktet më të rëndësishme juridike për ne), se flamuri shqiptar është flamuri i vetëm yni dhe si i tillë është simbol i shqiptarëve në Mal të Zi. Lidhur me këtë  edhe si Këshill Kombëtar i Shqiptarëve e kemi lajmëruar  zyrtarisht dy herë Ministrinë e Punëve të Brendshme (më 2011 dhe 2015)

Gjithashtu shpreha gatishmërinë të jam në dispozicion për probleme eventuale të kësaj natyre edhe si person, edhe në emër të funksioneve që kryej.

Për mua është tejet zhgënjyese që Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk e ka të qartë se Kushtetuta, Ligji mbi të drejtat dhe liritë e pakicave dhe Ligji mbi përdorimin e simboleve kombëtare, që mundësojnë përdorimin e lirë të simbolit kombëtar, janë në hierarki  juridike më lart se Ligji mbi  rendin publik, e posaçërisht kur çdo polic në rrugë e di mirëfilli se cili është simboli ynë.

 

Genci Nimanbegu

Nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve