Njësia Speciale e Tivarit zbarkon në Ulqin, shtetasi amerikan i maltretuar

June 18, 2017   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Rreth një qind qytetarë të Ulqinit, të udhëhequr nga drejtuesit politik dhe komunal, janë tubuar sonte para ndërtesës së Policisë duke shprehur në këtë mënyrë protestën për shkak të intervenimit të Njësisë speciale të Tivarit nëpër lokalet e Ulqinit, transmeton portali Ul.info.

Me këtë rast disa persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore, gjersa tre persona janë dërguar në stacionin policor dhe mbas dhënies së deklaratave janë liruar.

Ndër ato të cilët u maltretuan ishte dhe një shtetas amerikan.

Nga policia jozyrtarisht kanë thënë se ky është aksion i zakonshëm, ndërsa si arsye u përmend sulmi ndaj një polici i cili ndodhi para disa ditëve.

Ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave Mehmed Zenka, kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Genci Nimanbegu dhe deputeti Luigj Shkrela menjëherë erdhën para ndërtesës së policisë dhe kërkuan shpjegim për këtë aksion.

Zenka dhe Cungu i kanë thënë qytetarëve që menjëherë sot duhet të dokumentohet të gjithë rastet e intervenimit të tepruar ndaj qytetarëve në mënyrë që avokati të dorëzojë padinë, si dhe që provat t’i dorëzohen edhe organeve tjera kompetente.

Deputeti Dritan Abazoviq, i cili më vonë iu bashkëngjit kolegëve, tha se aksioni i Njësisë intervenuese ishte i panevojshëm duke e vlerësuar se bëhet fjalë për demonstrimin e dhunës.