Gjonaj: Të ndryshojmë imazhin e mjedisit

June 28, 2017   | Lajmet / Vijesti, Ngjarjet - Events

Gjekë  Gjonaj

Në Ulqin, sikur në të gjitha qytetet bregdetare në Mal të Zi, rastet e  ndotjes së mjedisit janë të pafundme. Ndotjen e ambijentit e gjejmë në forma të ndryshme.Kjo situatë sjell pasoja të rënda mjedisore dhe dëmton shëndetin e njerëzve. E, për të pasur  një shëndet të mirë, nuk mjafton vetëm kujdesi për veten, por është i nevojshëm një mjedis i pastër e i shëndetshëm.Mjedisi  është i rëndësishëm, por shëndeti është kushti themelor për mirëqenien dhe veprimtarinë e njeriut  Duke parë rëndësinë e mjedisit, lind nevoja e madhe për mbrojtjen e  tij.

Ruajtja  dhe kujdesi për mjedisin nuk është vetëm një detyrim shoqëror. Mbi të gjitha është  përgjegjësi individuale, pasi shoqëria dhe individi kujdesen për menaxhimin e burimeve natyrore, duke pasur parasysh mosshfrytëzimin e tyre pa kriter, në mënyrë që këto burime të jenë të dobishme jo vetëm për shoqërinë, por edhe për brezat e ardhshëm. Për këtë arsye duhet të jemi , më shumë se sa jemi,  të kujdesshëm  në veprimet tona dhe  të kemi më shumë përgjegjësi shoqërore dhe individuale   për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Imazhin  e mjedisit në Ulqin as kësaj verë  nuk mund ta ndryshojë  vetëm ndërmarrja komunale e qytetit, e cila po punon vrullshëm   në rregullimin, mirëmbajtjen dhe zbukurimin e hapësirave të gjelbërat në parqet e qytetit,  nëse mungon  ndihmesa   vullnetare e gjithë qytetarëve. Ndryshimi  pozitiv do të jetë i vështirë, për të mos thënë i pamundur,  pa u vetëdijësuar  qytetarët se duhet  të  japin kontributin  e tyre për një mjedis  higjenik.

Është për të ardhur keq  të shikosh se si në shumë raste, përshtypjet e  vizitorëve dhe të gazetarëve  për pastërtinë, respektivisht për marrëdhëniet tona me mjedisin,   janë përshtypje që na turpërojnë të gjthëve. Kjo duhet të ndryshojë!  Mënyra më  efikase  për ndryshimin e kulturës sonë mizerabël ndaj mjedisit ku jetojmë është nëse veprojmë ashtu siç m veprojmë në shtëpinë tone. Asnjeëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë. Atëherë, pse duhet t’i hedhim ato në mes  ose pranë rrugës, në plazhe, e gjetkë,  e jo aty ku e kanë vendin.  Ashtu siç secili prej nesh pastron shtëpinë e vet, ashtu edhe Ulqini i bukur duhet të funksionojë si një familje, që e pastron shtëpinë  përpara se të hyjmë[ në një stinë tëre.

Nëse e duam Ulqinin, natyrën e tij të mrekullueshme, plazhet e tij magjike të ndihmojmë të gjithë ta  mbajmë më   të pastër. Të jemi të kujdessshëm me mënyrën se si i trajtojmë mbetjet tona. Të  ngrisim përgjegjësinë  dhe sensibilizimin për parandalimin dhe zvogëlimin e ndotjeve,  për përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes mjedisore dhe për  rëndësinë e vlerësimit të ndotjes së mjedisit dhe ndikimit të saj në shëndetin tonë. Të ndryshojmë mentalitetin e deritashëm . Të  aktivizohemi  dhe të  mos mendojmë se vetëm institucionet dhe shoqatat  duhet t’i kushtojnë kujdes mbrojtjes së mjedisit.