Tri vendet që vizitohen më së shumti nga kosovarët, njëra nder to Ulqini

July 2, 2017   | Bota

Një destinacion i parapëlqyer për turistë nga Kosova mbetet bregdeti shqiptar, sidomos pjesa jugore, Vlora dhe Saranda. Këto pasohen me Malin e Zi, ose më saktë Ulqinin, dhe bregdetin turk, Antalian apo Bodrumin.

Baki Hoti, president i Shoqatës së Turizmit Alternativ në Kosovë, ka thënë se qytetarët e Kosovës më së shumti vizitojnë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Turqinë.

“Destinacionet në të cilat shkojnë kosovarët në përgjithësi nuk kanë ndryshuar. Edhe këtë verë, vendet kryesore për pushime janë bregdeti shqiptar, malazez, sidomos Ulqini dhe një pjesë e Turqisë. Këto janë tri vendet më të vizituara nga shumica. Disa kanë filluar të shkojnë në agjenci të udhëtimit dhe të gjejnë alternativa të tjera, si Dubai dhe Karaibet, por ky është vetëm fillimi”, ka thënë Hoti për mediumin malazez RTCG.

Disa nga qytetarët vizitojnë edhe Maqedoninë, më shumë Shkupin, Strugën dhe Gostivarin, por më shumë për qëllime të blerjeve të gjësendeve në tregje, apo edhe vizitim të monumenteve.

Hoti thotë se situata ekonomike nuk lejon që turistët kosovarë të përfitojnë nga paketat turistike luksoze.

“Ne kemi një grup që ka standarde më të larta dhe viziton vende me oferta më të shtrenjta. Por popullata mesatare përdor paketa më të lira dhe ekonomike, të cilat janë të arritshme nga ta”, ka thënë ai.

Ai për çmime thotë se oferta më të favorshme ka nga Shqipëria, Maqedonia, por tani po ka shumë oferta të mira edhe nga Turqia.

“Çdo vit, ky trend është në ngritje, duke parë se sezoni turistik në Turqi ofron shumë opsione për vizitorë, të cilat janë në favor të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar edhe se gjatë stinës së verës Kosovën e viziton një numër i madh i diasporës, duke vizituar kështu qytete të ndryshme, monumente historike dhe bukuritë natyrore. /Insajderi.com