Gjonaj: Mozaik i bukur kulturash të ndryshme

July 7, 2017   | Kulturë / Kultura

Gjekë Gjonaj

Artdashësit ulqinakë dhe mysafirët e tjerë të gjinisë së folklorit, sidomos  vlerave të pakontestueshme të trashëgimisë kulturore e shpirtërore, jo vetëm kombëtare,  por mbi të gjitha evropiane   për dy mbrëmje me radhë, më  28-29 qershor, ndoqën me mjaft interesim vallet popullore plot ritëm, dinamizëm, lirizëm e epizëm të grupeve dhe ansambleve folklorike nga Ukraina, Bulgaria, Litvania, Rumania, Slovenia,  Bosnja e Hercegovina, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi.  Njëherazi edhe  këngë të bukura, ritme të mrekullueshme dhe kostume mahnitëse plot ngjyra e ornamente të  bukura . Artistët pjesëmarrës të popujve të ndryshëm të Ballkanit  me defiletë  e tyre  nëpër rrugët e këtij qyteti dhe me prezentimin dinjitoz, me shumë dashuri e pasion të kulturave të tyre,  krijuan një atmosferë  feste të vërtetë  popullore, e cila u përcoll me ovacione e duartrokitje  nga publiku vendas dhe të huajtë.

Ky mozaik kulturash të ndryshme është një kontribut  për ruajtjen  dhe pasurimin  e vlerave të trashëgimisë kulturore e shpirtërore dhe për të përcjellë imazhe pozitive në rrugën e integrimeve.  E veçanta e edicionit të katërt të “ Dolcinium internacional festival” i  organizuar  me sukses nga Organizata lokale turistike,  në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, afaristët vendas dhe OJQ “ Porta di Danza”,  ishte  ndërthurja e qëlluar  e turizmit natyror me atë  kulturor. Po ashtu shërbeu si një mundësi promovimi , njohje e lidhjesh të gjera të grupeve dhe ansambleve nga vendet e rajonit.

Nga ana tjetër pjesëmarrësit e   këtij manifestimi  kulturor    janë vizitorët e parë turistikë këto ditë përcëlluese  të sezonit  veror, edhe pse jo lajmëtarët e parë të ofertës turstike  të këtij qyteti, i cili gjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet qytet bregdetar shqiptar me traditë të lashtë turistike, detare, kulturore e historike.

Vërtetë është diçka e bukur  dhe me vlerë kur shikon  dhe përjeton një atmosferë e frymë  miqësie si kjo, ku ansamblet  shqiptare bashkë me ato të popujve tjerë,   përveçse  shpalosin flamujt dhe  kulturat  e tyre,  janë shprehje   e integrimit, bashkëjetesës, tolerancës dhe shkëmbimit të vlerave të përbashkëta, në një kohë kur  nga vende të ndryshme  vijnë lajme tronditëse që duan pikërisht të prishin  atmosferën e jetesës së  popujve në qetësi e harmoni. Kjo shenjë bashkimi dhe larmie kulturash, na ndihmoftë të kuptojmë se rruga e vetme e  paqes është të bashkohemi, duke respektuar ndryshimet.