Q. Osmani: Demokratizimi i partive politike

July 10, 2017   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Zgjedhjet paraqesin njërën nga format më te randësishme të legjimitetit të pushtetit dhe të pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, do të thotë nëpërmjet zgjedhjeve qytetarëve u jepet mundësia që në mënyrë të tërthort nëpërmjet përfaqësuesve të vet gjegjësisht nëpërmjet obcioneve politike që i përkrahin, në njëfar mënyre të jenë pjesëmarës në realizimin e pushtetit. Zgjedhjet janë formë e të vendosurit dhe mënyrë e zgjedhjes së përfaqësuesve, bartësve të funsioneve politike dhe pushtetit politik. Ato nënkuptojnë vendosjen sipas një procedure të lirë të bazuar në ligj.

Në shoqërit bashkëkohore zgjedhjet dhe sistemi zgjedhor luajnë rol mjaft të rëndësishëm në formimin e pushtetit shtetëror si dhe në jetën politike në përgjithësi. Zgjedhjet janë institucion i vjetër dhe në forma të caktuara hasen qysh në Greqinë antike, por zgjedhjet demokratike paraqiten shumë më vonë. Ato korrespondojnë me demokracinë përfaqësuese qytetare dhe me postulatet e saj kryesore: zgjerimin e të drejtës së votës dhe zhvillimin e parlamentarizmit.

Në përgjithësi shikuar sistemi zgjedhor ka rëndësi të madhe për partitë politike si protagoniste kryesore në zgjedhjet elektorale, por njëherit ka rëndësi edhe për votuesit dhe politikanët si aspirues politik. Shikuar nga ky aspekt, çdoherë ka tendenca që forca të caktuara shoqërore të mundohen që sistemin zgjedhor t’ua përshtasin nevojave të veta, domethënë të lihet hapsirë për manipulim gjatë procesit zgjedhor.

Demokratizimi i një shoqërie është proces kompleks i cili kërkon kohë të gjatë dhe përpjekje të vazhdueshme për të arritur transformimin e plotë të sistemeve autoritare apo totalitare, në demokraci funsionale. Krahas zhvillimit ekonomik që në thelb ka sistemin arsimor kualitativ, urbanizmin dhe industrializmin si parakushte për treg të lirë, ndërrtimin e instuticioneve të pavarura, shtetit ligjor, lirisë së mediave e të tjera parakushte që diktojnë qëndrueshmërin e demokracisë si sistem qeverisës, demokratizimi i shoqërisë nuk mund të përmbyllet pa demokratizimin e klasës politike, gjegjësisht partive politike.

Pavarësisht statuseve, procedurave, praktikave dhe formave organizative brenda partiake të partive politike  sistemi zgjedhor në Mal të Zi me “lista të mbyllura votimi” disfavorizon demokratizimin e partive politike dhe përqendron forcën vendimmarëse tek oligarkitë dhe liderët partiak, duke krijuar SULLTAN PARTIA dhe një ambient të përshtatshëm për kontroll të plotë të partive nga një grup individësh. Kështu për shembull, jemi mësuar të shohim se si liderët e partive politike dhe një numër i caktuar pran tyre kanë fjalën përfundimtare për të gjitha çështjet me rëndësi për partinë, institucionet dhe jetën e qytetarëve.

Ky model zgjedhor me lista të mbyllura të votimit, ku qytetarët votojnë për partinë politike dhe renditjen e të zgjedhurve, përfaqësuesve sipas dëshirës së liderit dhe bërthamës partiake është një nga arsyet kryesore për devalvimin e vlerave dhe uljen e cilësisë të përfaqësuesve në organet legjislative qoftë në nivel lokal apo atë qendror. Ky sistem ka përforcuar një mentalitet të nënshtrimit politik para liderit, besnikëri të verbët dhe mungesë të debatit real brenda partive politike. Kështu , një nga vlerat apo kriteret kryesore për pozicionim në “vendet e sigurta” të rënditjes në listën e votimit është dëgjueshmëria dhe lojaliteti ndaj liderit apo strukturës udhëheqëse të partisë. Kjo ka prodhuar një praktik politike rezistuese ndaj prurjeve të reja kadrovike në partitë politike, ngulfatjen e ideve progresive, përjashtimin e konkurencës përmes vlerave individuale, zhdukjen e meritokracisë profesionale (akademike) një elitë të “konsumuar politike” dhe të moshuar.

Ky problem nuk ndikon vetëm përbrenda partive politike por reflektohet në çdo pore të sistemit duke nxitur, kultivuar dhe mbajtur gjallë manipulimin e procesit zgjedhor përmes blerjes së votës, gjegjësisht klientelizmit politik. Politizimi i institucioneve dhe arsimit, politizimi i gjyqësorit, prokurorit dhe së fundit standardi i ulët jetësor në Mal të Zi janë rezultat i drejtpërdrejtë i këtij sistemi zgjedhor.

Prandaj, në qoftë se liderët politik në Mal të Zi, e sidomos ata të partive në pushtet, janë të sinqertë në përkushtimin e tyre për të ndertuar Malin e Zi si shtet demokratik duhet urgjentësisht të ndryshojnë kodin zgjedhor dhe dhe të mundësojnë hapjen e listave të votimit. Ky hap do të ishte jetik në demokratizimin e partive politike, gjegjësisht në demokratizimin e shoqërisë dhe shtetit në përgjithësi. Mundësia për të votuar individin dhe jo partinë do të nxiste konkurencën e vërtetë të vlerave individuale, duke i bërë individët të jenë ato që sjellin vlerë të shtuar në partitë me të cilat garojnë dhe jo e kundërta. Ky ndrishim i kodit zgjedhor besoj se do të kishte efekt pozitiv që do të reflektohej në të gjithë shoqërin dhe do të ishte një shtysë e fortë për Malin e Zi si shtet demokratik drejt integrimit në Bashkësin Evropiane.

 

            Qani   Osmani