Gjoni për Kriporen: Vazhdojnë të menaxhohen nga “Parqet nacionale”

July 14, 2017   | Shtypi / Mediji

Nënkryetarja e Komunës së Ulqinit Hadixha Gjoni shprehu kënaqësinë që prapë filloi të punojë pompa në Gjerana. “Shpresoj që me këtë do të normalizohet edhe regjimi i ujit i nevojshëm për mbijetesën e biodiversitetit dhe të atyre llojeve të shpendëve që varen nga uji i njelmët”, tha ajo për TV Mali i Zi, raporton portali Ul.info.

Sipas fjalëve të saja, në mbledhjen e Trupit këshillues, e cila u mbajt të mërkurën, njëzëri është arritur përfundimi që “Parqet nacionale të Malit të Zi” duhet edhe më tej të menaxhojnë Kriporen.

Kësaj ndërmarrje publike kontrata për menaxhimin e kësaj hapësire i skadon me 24 gusht.

“Po ashtu, duhet të ndahen më shumë mjete të cilët do të mundësojnë edhe funksionimin normal të ujërave, jo vetëm mbrojtjen fizike por edhe monitorimin e këtyre ujërave, nivelin e tyre, kripshmërinë. Këtu nuk amnistoi as Komunën e Ulqinit, pavarësisht se financat e saja janë të kufizuara”, shtoi Gjoni.