Zeneli: Pse pushteti i Malit të Zi nuk e hjek objektin e imponuar në malin e Rumisë ?

July 18, 2017   | Opinione

12 vite më parë ( pra në vitin 2005), me iniciativën e Kishës Ortotokse të Serbisë,në malin e Rumisë ( në zonën e Krajës), u vendos objekti metalik përmes helikopterit të ushtrisë së shtetit të atëhershëm të përbashkët Serbisë dhe Malit të Zi.

     Objekti metalik në fjalë nuk meriton të quhet Kishë sepse nuk shfrytëzohet nga besimtarët dhe nuk ka asgjë të bëjë me fenë dhe shihet qartë se është vendosur aty me një qëllim dhe  prapavijë  politike të caktuar.

   Pushteti dhe qeveria e Malit të Zi janë të vetëdijshëm se ky objekt është vendosur në mënyrë të paligjshme ( lidhur me këtë ata janë deklaruar publikisht) dhe që për 12 vite të tëra nuk kanë dëshmuar gatishmëri apo nuk nuk kanë treguar guxim që t’a heqin objektin i cili konsiderohet si objekt provokues nga banorët e vendbanimeve përreth.

   Pyetjeve që nuk mund t’i shmangemi në këtë rast janë se,

 -Pse tash 12 vite të tëra nuk vepron “shteti ligjor” i Malit të Zi  për të hequr një objekt të paligjshëm në Rumi ?!!

-Ku janë tani të ashtuquajturat njësi speciale të Malit Zi që nuk angazhohen në heqjen e objektit në majën e Rumisë?.

   Por i njëjti pushtet dhe të njëjtat njësi speciale nuk hezitojnë aspak që të veprojnë dhe të ndërmarrin aksione policore ndaj shqiptarëve dhe të demonstrojnë forcën dhe dhunën ndaj të rinjëve në lokalet dhe kafenetë e Ulqinit apo mundohen të heqin flamurin kuq e zi  nga shtëpia e një banori shqiptar  në Tuz të Malësisë dhe shumë sjellje të tjera të ngjajshme !. ( Ju rikujtojmë aksionin famëkeq ” Fluturimi i Shqiponjës” në vitin 2006 ndaj shqiptarëve në Malësi).

    Por shqiptarët në Mal të Zi nuk ka kush ti mbrojë, kurse 

objekti metalik mbrohet nga Serbia dhe elementi klerik i saj dhe prishja e marrëdhënieve me “vëllaun e madh” të tyre nuk i konvenon aspak Malit të Zi.

    Mali i Zi edhe pse shpalli pavarësinë në vitin 2006 gjithënjë mvaret ekonomikisht dhe mban lidhje të ngushta tradicionale dhe kulturore me Serbinë.

   Mos t’ju mashtrojë retorika  e herë pas hershme kundërshtare e politikanëve qeveritar në Podgoricë ndaj atyre të Beogradit, se kjo është vetëm për konsumin politik. 

    Në esencë Serbia gjithënjë mbetet “vëllau i madh” i Malit të Zi !.

    Gjithashtu, nëse Serbia dhe Mali i Zi kanë dallime për çështje të ndryshme politike ,kur janë në  pyetje shqiptarët të cilët jetojnë nën administrimin e shteteve të tyre ata udhëheqin politikë të ngjajshme dhe pajtohen plotësisht në trajtimin diskriminues dhe nënshtrues të tyre.

     

Xheladin Zeneli

18 Korrik 2017