Intervistë – Jetlir Kovaçi: Studimet në Turqi, një përvojë e madhe jetësore

Jetlir Kovaçi është student nga Mali i Zi, që ka përfunduar studimet për arkitekturë në Universitetin e Stambollit. Ai ishte i pari student nga Ulqini, i cili përmes Ambasadës së Turqisë në Podgoricë ka fituar bursë për të studiuar në Turqi…

Mali i Zi dhe Republika e Turqisë tashmë njihen për raportet e tyre të ngushta në shumë fusha. Janë nënshkruar disa marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi. Në qendër të vëmendjes është dhe bashkëpunimi në fushën e arsimit. Janë shumë studentë nga Mali i Zi që vijojnë studimet e rregullta në universitetet e Turqisë, studimet pasuniversitare dhe ato të doktoratës. Ambasada e Turqisë në Podgoricë shpall konkurse të rregullta për ata që dëshirojnë të studiojnë në Turqi. Mbështetja e shtetit turk është e madhe dhe studentët, e kanë të siguruar akomodimin, ushqimin dhe mjetet për të shpenzuar.

Në mesin e studentëve, që vazhdojnë shkollën e lartë në Turqi, ka edhe shqiptarë nga Mali i Zi. Jetlir Kovaçi sapo ka përfunduar studimet për arkitekturë në Stamboll. Sipas tij, të studiuarit jashtë vendlindjes, e posaçërisht në Turqi, është një përvojë e madhe jetësore. Stambolli – shton ai – është një qendër shumë e rëndësishme për formimin e një të riu. Aktivitetet e studentëve nuk kanë të ndalur, mundësitë për të zhvilluar veten në sferën që ka përcaktuar një student janë  të shumta.  E rëndësishme është  vetëm  sa njeriu  arrin që ta menaxhojë  kohën në mënyrë  sa më racionale. Toleranca e profesorëve  dhe aftësia  që kanë  me studentët janë  elemente që nuk  duhet  lënë pa përmendur. Një tjetër përparësi që të  mundëson studimi  jashtë  thotë Jetliri janë mundësitë  për tu njohur me  njerëz  profesionistë që të ndihmojnë çdoherë,  krijimi i lidhjeve  me njerëz që kanë  vizione të mëdha  për të ardhmen dhe bashkëpunimi me ta. Ajo që kam mësuar gjatë  viteve të studimit thotë ky i ri shqiptar, është pavarësimi, pjekuria dhe formësimi i një karakteri ku gjërat i sheh me një  sy kujdesi të ç’do detaji. Por, duke kujtuar  momentet e largimit  dhe gjendjen në mesin e një vendi  të pa heshtur  ku dinamizmi nuk ka  pushim ai thotë se fillimi nuk ka qenë dhe aq i lehtë, por dëshira dhe vullneti janë më  të fortë se këto.

Jetlir Kovaçi: Në vitin 2010 mbarova studimet në gjimnazin e përgjithshëm te Ulqinit dhe më pas lindi ideja për të vazhduar studimet diku jashtë vendlindjes dhe mendova të shkoj në Turqi. Atje unë shkova në shtator të vitit 2010-të. Në fillim ka qenë shume vështirë sepse isha në moshën 18 vjeçare pa asnjë përvojë dhe eksperiencë, larg familjes. Ishte e vështirë të adaptohem dhe të mësohem të jetojë në një qytet aq të madh me një popullsi aq të madhe. Nuk dija gjuhën. Kultura dhe tradita pak ndryshon nga e jona, por me mund dhe vullnetin që kisha ja arrita ç’do gjë shkoi në rregull.

V.Katana: Si ka shkuar procedura e për t’u pranuar për të studiuar në Turqi?

J. Kovaçi:  Unë kam aplikuar përmes Ambasadës së Turqisë në Podgoricë ku më pranuar dhe pastaj shkova në Turqi. Një vit mësova gjuhën dhe më pas vazhdova në universitet.

V.Katana: Sa ofron Stambolli për të rinjtë?

J. Kovaçi: Stambolli ofron edhe më shumë se mund të imagjinojmë. Unë personalisht kisha idenë se Stambolli është qytet i bukur, qytet i madh, por kur shkova atje e pashë që ai është një qytet që të ofron mundësi, ku përveç studimeve dhe shkollës që kam mbaruar atje, një tjetër shkollë ka qenë dhe vetë jeta atje. Fillimisht mësova gjuhën turke e pastaj vazhdova në Universitet.

Stambolli, përvojë e veçantë për jetën e një studenti

V.Katana: Ke studiuar për arkitekturë. Në Stamboll ka shumë monumente me vlera të mëdha arkitekturore. A i keni vizituar ato?

J.Kovaçi:  Fillimisht i kam vizituar nga kureshtja dhe dëshira e më pas kur fillova dhe studimet për arkitekturë edhe profesorët na detyronin që ti vizitonim ato. I kishim si detyra shkollore. Stambolli ka shume vepra arkitekturore siç mund të cekim“Aja Sofia” (Shën Sofia) e cila është një kryevepër e arkitekturës, pastaj xhamitë e periudhës osmane e po ashtu ka edhe arkitekturë moderne të kohëve të fundit. Me një fjalë mund të shikosh edhe histori dhe modernizëm. Stambolli është një qytet ku kanë kaluar perandori të mëdha, ku secila prej tyre ka lënë gjurmët e saj si romake, bizantine, osmane etj.

V.Katana: Në Turqi ka edhe studentë të tjerë shqiptarë nga Mali i Zi. Në cilat degë janë të fokusuar më shumë studentët tanë atje?

J. Kovaçi: Nga Mali i Zi ka shumë studentë dhe nga viti në vit po shtohet numri i tyre. Unë kam qenë në fillim i pari nga Ulqini e më pas ka ardhur duke u rritë numri i tyre. Pak kemi studentë nga Ulqini. Shumica e tyre janë boshnjakë nga veriu i Malit të Zi. Sa i përket degëve  të studimeve ka fakultete të gjitha profileve dhe degë të ndryshme.

Unioni studentor, përkrahje dhe ndihmë studentëve shqiptarë nga të gjitha trojet

V.Katana: Ti ke qenë kryetarë i Unionit të studentëve shqiptarë ne Turqi. Na flisni diçka për aktivitetet tuaja?

J. Kovaçi: Në vitin 2012-të u formua Unioni i Studentëve shqiptarë në Turqi. Ajo ishte një platformë vullnetare studentore për t’u ardhur në ndihmë studentëve në rast nevoje. Unë kam qenë aktiv në të gjitha punët e Unionit studentorë. Fillimisht si fotograf e më pas edhe si kryetarë i këtij Unioni. Kemi pasur bashkëpunim me konsullatën e Shqipërisë dhe me atë të Kosovës në Stamboll të cilat me raste na kanë ndihmuar. Vlen të përmendet Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Stamboll z. Rahim Morinën i cili vazhdimisht ka qenë pranë studentëve dhe i gatshëm për të ndihmuar. Ne kemi qen studentë nga të gjitha trojet shqiptare dhe unë si përfaqësues i studentëve nga Mali i Zi kemi arritur që ti bashkojmë të gjithë studentët dhe në rast nevoje i kemi ndihmuar.

Jetlir Kovaçi hap ekspozitën e fotografive në Stamboll dhe në vendlindje

V. Katana: Jeni i pasionuar pas fotografisë. Keni hapur ekspozita në Stamboll dhe në vendlindje. Çfarë fotosh dominojnë në ekspozitat tuaja?

J. Kovaçi: Në nëntor të vitit 2015-të pikërisht me 28 nëntor në  Ditën e Pavarësisë, në qendrën Kulturore  të Kosovës në Stamboll u hap ekspozita ime e parë me Mbështetje të Ministrisë së Diasporës së republikës së Kosovës. Ajo ishte ekspozita ime e parë dhe ndjeva kënaqësi sepse para  arrita të paraqes punën dhe artin tim para studentëve dhe komunitetit shqiptarë në Turqi. Kënaqësi për mua ishte kur po të njëjtën ekspozitë e kam hapur edhe në vendlindjen time në  Ulqin. Javën e ardhshme këtë ekspozitë do ta hap edhe në Tiranë.

Jetlir Kovaçi përfundon bashkëbisedimin duke theksuar se Stambolli dhe Turqia do të mbeten për të eksperienca më e bukur. Një shkollë, nga e cila ka mësuar shumë gjëra ku ka fituar një përvojë dhe eksperiencë përgatitore për jetën. Me ketë rast ai porosit të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi dhe të gjitha trojet shqiptare që të shkojnë dhe të studiojnë në Turqi sepse është një vend i mirë i cili ofron mundësi të shumta për studime, eksplorim, për të mësuar kulturë dhe traditë.

 

Përgatiti për Zërin e Turqisë nga Ulqini – Vera ALIBEGU KATANA

TRT @ Të Gjitha të Drejtat të Rezervuara.