Gjonaj: Infrastruktura sportive, një mollë e ndaluar për ulqinakët

July 20, 2017   | Sporti / Sport

Gjekë Gjonaj

Komuna e Ulqinit ka talentë të mrrekullueshëm të fushave të ndryshme sportive, futboll, hendboll,basketboll, karate, tenis e tjerë. Disa nga ata të përfshirë në klube e shoqata të ndryshme sportive kanë dëshmuar rezultate  të larta  në disa disiplina në nivel shtetëror, mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar.Të gjitha këto suksese, që shumëkush mund tua kenë lakmi,  këta sportistë të rinjë i arritën në kushte të vështira pa  terrene sportive adekuate dhe pa pajisje  të domosdoshme.   Por, vullneti, entuziazmi,  dashuria e madhe ndaj sportit, përkrahja familjare dhe puna me përkushtim e trajnerëve  sfiduan të gjitha problemet e kohës.

 

Sporti  në Ulqin ka kaluar nëpër periudha të ndryshme, duke u ballafaquar kështu me probleme të njëjta gjatë gjithë kohës. Problemi kryesor i sportit në këtë qytet në kohën e para-komunizmit, komunizmit dhe pas-komunizmit ka qenë dhe vazhdon të jetë infrastruktura sportive, mospërkrahja e duhur nga institucionet përgjegjëse dhe gjendja e dobët financiare janë vetëm disa nga faktorët të cilët kanë ngadalësuar dhe ngadalësojnë hapat e zhvillimit të sportit.  Ky shqetësim    për sportistët  e Ulqinit ishte  dhe mbeti një mollë e ndaluar. Është për të ardhur keq. Por ky është realiteti  i hidhur.  Erdhën e u ndërruan shumë pushtete në Ulqin. Shumë pushtetarë. Shumë  kryetarë. Të kësaj dhe të asaj parti. Nga fshati e qyteti, Shqiptar e joshqiptar. Aktiv e më pak aktiv. Të suksesshëm e  të pasuksesshëm . Energjik e  dembel. Me ose pa vizion. Të vullnetshëm e të pavullnetshëm. Të aftë e të paaftë. Megjithatë politikat e tyre për sportin kanë dështuar. Asnjëri prej tyre gjatë ushtrimit të detyrës   nuk la ndonjë gjurmë  në zhvillimin, përparimin dhe krijimin e kushteve  optimale për sporte përkatëse të gjinisë mashkullore dhe femërore. Fitohet bindja se  sporti nuk ka qenë askurrë pjesë e jetës ( programit) së tyre politike. E,  sporti njësoj si arti ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e një shoqërie të kulturuar, me vlera të larta morale dhe të shëndetshme. Si pasojë e mungesës së investimeve, kujdesit sistemor, strategjik dhe organizativ për  krijimin e kushteve në të gjitha degët sportive, shumë talentë janë  penguar në rrugën e tyre.

Sporti sot është shkencë. Kërkon një sakrificë shumë të madhe. Kërkon kushte tepër të volitshme . Ulqini  të gjitha këto nuk i ka. Madje as kushtet elementare për zhvillimin e sporteve, as palestrën  e sportit,  as fushën e vet të futbollit, as…  Ndërkohë që autoritetet vendore e qëndrore dëshmuan se nuk janë në gjendje  të krijojnë kushte  optimale  në sport.

Kjo qasje dhe kjo gjëndje e mjerueshme  ndaj sportit duhet të ndryshojë.  Nëse duam rezultate, duhet të krijojmë kushte  dhe të investojmë. Për suksese nuk mund të flitet derisa nuk ka kushte.   Të mos u krijosh mundësi djemve dhe vajzave që të merren me sport, është si t’i burgosësh ata.

Gjermanët kanë një shprehje “In Gang komen” (Makina fillon të punojë, është vënë në punë). Kjo thënie shumë domethënëse  nuk vlen për Ulqinin. Pasi këtu ende nuk ka filluar të punojë makina e sportit.