Punëtorët janë të vendosur të vazhdojnë grevën në fabrikën e Tepihëve dhe Qilimave ,,Ultep” në Katërkollë
June 30, 2008 by Ulqini
Filed under Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo, Shtypi / Mediji
KUMTESË PËR OPINION
Një delegacion i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, i kryesuar nga kryetari i saj dhe deputeti në Parlamentin e Malit të Zi, z. Mehmet Bardhi, me bashkëpunëtorët, këshilltarët e LD-së në KK të Ulqinit: Kadri Sinani, Tahir Tahiri dhe Basri Lika, si dhe koordinatorët Daut Ceka dhe Hajredin Kovaçi, vizitoi të hënën, më 23. 06. 2008 Shoqërinë Aksionare për Prodhimin e Tepihëve dhe Qilimave ,,Ultep” në Katërkollë dhe biseduan me punëtoret dhe drejtoreshën ekzekutive zonjën Drita Muçaj, të cilat që nga data 17.06.2008 kanë filluar grevën e punës për të kërkuar të drejtat e tyre.![]()
Gjatë bisedës me grevistët, anëtarët e delegacionit u njoftuan me problemet që ekzistojnë në këtë fabrikë dhe arsyet që i ka shtyrë ato të hyjnë në grevë. Kryetarja e sindikatit të punëtorëve të ,,Ultep”-it, znj. Sebije Gjeka u tha të pranishmëve se punëtorët janë të vendosur të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ajo në fjalën e saj numëroi problemet e shumëta me të cilat që 8 vite me radhë ballafaqohen punëtoret e kësaj ndërmarrje duke potencuar faktin që gjatë ketyre viteve nuk u janë paguar as rrogat as kontributet per sigurim pensionist e shëndetësor…
Kryetari i LD-së dhe deputeti z. Mehmet Bardhi, pasi që u njoftua në detaje me problemet dhe kërkesat e punëtorëve, si dhe vështirësitë materiale gjatë gjithë këtyre viteve, theksoi se hyrja e tyre në grevë është shumë e arsyeshme dhe e kuptueshme për të gjithë. Ai shtoi se këtu kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve që shihet qartë jo vetëm në këtë rast. Mosinteresimi i Qeverisë për të zgjidhur këto raste, që në MZ janë pothuaj dukuri, pasi zanafilla e tyre është që me rastin e privatizimeve, ku nuk u është kushtuar kujdes qëllimit të vazhdimit dhe avancimit të prodhimit, por se kujt tzi dorëzohet e kush duhet të fitojë, duke pas njërin nga qëllimet përfundimtare jo prodhimin as punëtorët , por truallin e fabrikës për ta shdërruar në truall ndërtimor e me çdo kusht profitin e projektuar…Mënyra e privatizimeve, e procesit të tyre e sidomos kur dihet se në Këshillin për Privatizim, ku në krye deri para pak kohësh, ishte kryetari i Qeverisë, që vendoste për ” të ashtuquajturin privatizim”, nuk kishte as nuk ka asnjë anëtar shqiptar (!?) tregon qartë qëllimet e pasojat e tij. Në trojet tona ai ka pasur dhe vazhdon të ketë të gjitha karakteristitkat e një veprimi jo vetëm plaçkitës po edhe kolonizues e okupues, kur dihen në shumicën e rasteve kush ishin e kush janë pronarët, për sa dhe si i blenë etj …
Ai tha se ky nuk është rasti i vetëm, duke përmendur edhe raste të tjera të shkatërrimit të pasurisë vendore e shtetërore në Komunën e Ulqinit, si : Agroulqini, Primorje, Riviera e Ulqinit, Kriporja etj. Në fund z. Bardhi tha se beson se janë pjekur të gjitha kushtet që në rastin konkret Këshilli i Privatizimit të shkëpusë kontratën dhe punëtorëve tzua kthejë fabrikën dhe të kërkohet investitori i vërtetë. Në bisedë me
Drejtoreshën dhe kryetaren e sindikatit të Fabrikës Bardhi përmendi edhe edhe trollin e shkollës së vjetër, që me makinacione të ndryshme është regjistruar si pronë e Fabrikës, por e cila pronë, hapësirë dhe pozitë e mrekullueshme p. sh. për Qendër të Kulturës për Anë të Malit (kodra me ndërtesën e vjetër të shkollës) i takon Anës së Malit, i takon Komunës. Zotëri Bardhi me bashkëpunëtorët u premtoi punëtoreve përkrahjen e plotë, morale e njerëzore duke u ofruar edhe ndonjë ndihmë teknike dhe profesionale, nëse kanë nevojë, për realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë vizitës së delegacionit të LD-së prezent ishin edhe udhëheqësit e sindikatës së Ulqinit. Bisedat më tej vazhduan së bashku. Bardhi me bashkëpunëtorët kërkuan që edhe më me ngulm sindikata e komunës të ndihmojë në zgjidhjen definitive për shkëputjen e kontratës, si zgjidhje më efikase për daljen nga kjo krizë e gjatë e kësaj ndërmarrjeje, dikur krenaria e kësaj ane, për çka u dakorduan edhe ata.
SHËRBIMI PËR INFORMIM I LDMZ
Katër medalje të arta për klubin e karates “Champion”
April 25, 2008 by Ulqini
Filed under Shtypi / Mediji, Sporti / Sport
Ekipi i katave i datëlindjes z97/z98, i përbërë nga Adonis Markashi, Edmond Mehmedi dhe Genc Murati u kurorezua me medalje të artë. Me medalje të artë në luftra individuale për femra, datëlindja z92, në kategorinë -53kg, u kurorëzua garuesja Selma Gurzakoviq.
Të shtunën në Gostivar të Maqedonisë u mbajt “Kupa e Gostivarit 2008″, në të cilën morën pjesë klube të karatesë nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, në mesin e të cilëve edhe KK “Champion”. “Champion” u prezantua me në këtë garë me shtatë garues, të cilët fituan katër medalje të arta, tri të argjendta, tri të bronzta dhe dy kupa.
Ekipi i katave i datëlindjes z97/z98, i përbërë nga Adonis Markashi, Edmond Mehmedi dhe Genc Murati u kurorëzua me medalje të artë. Me medalje të artë në luftra individuale për femra, datëlindja z92, në kategorinë -53kg u kurorëzua edhe garuesja Selma Gurzakoviq.
Ndërkaq garuesja tjetër Xheneta Vuçiq, po në luftra individuale, datëlindja z92, në kategorinë +53kg, u kurorëzua me medalje të argjendtë.
Medalje të argjendta në luftra individuale fituan edhe Adonis Markashi dhe Edmond Mehmedi, të dy të datëlindjes z97, i pari në kategorinë +35kg, kurse i dyti në kategorinë
-35kg.
Në luftra individuale, datëlindja z91, pesha +65kg, mori pjesë garuesi Gjovan Shkreli, i cili u kurorëzua me medalje të bronztë. Me medalje të bronztë u kurërozua edhe ekipi i femrave, grupmosha z91/z92/z93.
Trajnerët e KK “Champion”, Lekë Markiqi dhe Nail Kurtoviqi, shprehën të kënaqur me rezultatin e arritur dhe falënderojnë sponsorët, Autoservisin “Kodra”dhe sponsorin e përgjithshëm”Prva Banka”, të cilët mundësuan pjesëmarrjen në këtë garë.
(Kohapress)
KK “Champion” mori pjesë në turneun VII ndërkombëtar “sretenje 2008″ në Arangjellovac të Serbisë
February 21, 2008 by Ulqini
Filed under Sporti / Sport
Champion” - i treti në renditje, Markashi - garuesi më i mirë
Megjithëse KK “Champion” mori pjesë në Turne vetëm me gjashtë garues, ai arriti sukses të lakmueshëm duke u renditur në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, ndërsa garuesi i këtij klubi, Adonis Markashi, u shpall garuesi më i mirë i Turneut.
Fundjavën e kaluar në Arangjellovac të Serbisë u mbajt Turneu VII Ndërkombëtar “Sretenje 2008″, i cili u organizua nga Federata e Karatesë së Serbisë. Në këtë turne morën pjese rreth 680 garues nga 48 klube të ndryshme të rajonit, në mesin e të cilëve edhe KK “Champion”.
Megjithëse “Champion” mori pjesë vetëm me gjashtë garues, ai arriti sukses të lakmueshëm duke u renditur në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, ndërsa garuesi i këtij klubi, Adonis Markashi, u shpall garuesi më i mirë i Turneut. Për Markashin kjo nuk është hera e parë që kurorëzohet me këtë titull, gjë që dëshmon kualitetin e tij në këtë sport.
“Champion” fitoi nëntë medalje të arta, pesë të argjendta dhe dy të bronzta, si dhe dy kupa.
Kështu ekipi i katave në përbërje: Genc Murati, Edmond Mehmedi dhe Adonis Markashi, si zakonisht u kurorëzua me medalje të artë, ku në finale me rezultatin e pastër 3:0 fitoi ndaj një ekipi nga Bosnja e Hercegovina.
Edhe ekipi i femrave në lufta, grupmosha z91-z92, në përbërje: Selma Gurzakoviq, Jozefina Briskoviq dhe Xheneta Vuciq, arriti sukses të lakmueshëm duke u kurorëzuar me medalje të argjendtë.
Në konkurrencën individuale suksesin më të madh natyrisht e arriti Adonis Markashi. Përveç medaljes së artë në kata ekipore, ai fitoi medalje të arta edhe në kata individuale dhe luftra individuale në grupmoshën z97-z98, në kategorinë deri 30kg. Vlen të theksohet se në finale ai u takua me shokun e tij të KK “Champion”, Edmond Mehmedi. Kjo nuk është hera e parë që këta dy garues takohen në finale në gara të ndryshme.
Garuesi tjetër i KK “Champion”, Genc Murati, përveç medaljes së artë të fituar në kata ekipore, fitoi medalje të artë edhe në kata individuale në kategorinë e tij dhe medalje të argjendtë në luftra individuale, në peshën +30kg, kurse Edmond Mehmedi përveç medaljes së artë në kata ekipore, u kurorëzua me medalje të argjendtë në luftra individuale dhe me medalje të bronztë në kata individuale.
Përveç medaljes së argjendtë në lufta ekipore, garuesja Jozefina Briskoviq në kata individuale, në një konkurrencë mjaft të madhe, arriti të kurorëzohet me medalje të artë, si dhe me atë të bronztë në luftra individuale.
Edhe garuesja tjetër e këtij klubi, Selma Gurzakoviq, përveç medaljes së argjendtë në lufta ekipore, fitoi medalje të artë në luftra individuale, në grupmoshën z92, në kategorinë -50kg.
Trajnerët e KK “Champion”, Lekë Markiqi dhe Nail Kurtoviqi, duke mos e fshehur kënaqësinë për rezultatin e arritur në këtë turne, vlerësojnë posaçërisht si sukses renditjen në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme “duke marrë parasysh se u përfaqësuan vetëm me gjashtë garues në në një turne ndërkombëtar dhe në një konkurrencë tepër të fortë”.
Ata e vlerësojnë këtë sukses jo vetëm si arritje të KK “Champion”, por edhe të tërë Ulqinit.
Markiqi dhe Kurtoviqi falënderojnë kompaninë “Hollegro” për mbështetjen financiare si dhe sponsorin e përgjithshëm “Prva Banka”.
(Kohapress)


