Mr.Haxhi Shabani flet për librin e tij të fundit

January 2, 2008   | Lajmet / Vijesti

Shqipja e kërcënuar nëse nuk merren masa

Para disa ditësh doli nga shtypi libri “Rrezikimi i gjuhës shqipe” i mr. Haxhi Shabanit, në të cilin ai trajton problemin e dygjuhësisë te shqiptarët e Ulqinit. Duke u bazuar në treguesit e ndryshimeve që kanë ndodhur vetëm për një dhjetëvjeçar, Shabani parashikon të ardhme të errët të gjuhës shqipe,nëse nuk ndërmerren masa të gjithanshme e të menjëhershme. Madje, sipas tij, nëse prirjet e rrezikimit vazhdojnë, duhet pritur që gjuha shqipe në Malin e Zi të bëhet gjuhë jashtinstitucionale.Koha javore: Z. Shabani, vetëm disa ditë më parë ka dalë nga shtypi libri Juaj me titull “Rrezikimi i gjuhës shqipe”, ku Ju trajtoni problemin e gjuhës shqipe në komunën e Ulqinit. Cili ka qenë motivi për tzu marrë me këtë problem socio-linguistik deri tani pak apo gati aspak të trajtuar?H. Shabani: Motivet që më kanë shtyrë të merrem me dukurinë e dygjuhësisë te shqiptarët e Ulqinit, gjegjësisht problemet e pozitës së gjuhës shqipe në Ulqin e më gjerë në nivel të Malit të Zi janë disa, por dy janë kryesoret.
Së pari, shqiptarët e qytetit të Ulqinit, por edhe në nivel të Malit të Zi, janë popullatë dygjuhësore që do të thotë se përveç gjuhës shqipe flasin e shkruajnë edhe në gjuhën malazeze. Duke u nisur nga fakti se sidomos në mjediset urbane dhe gjysmurbane shqiptarët janë subjekte dygjuhësore, jam nisur me synimin që të hulumtoj faktin se cila është pozita e gjuhës shqipe kur ajo paraqitet si gjuhë e dygjuhësorit – subjektit shqiptar. Kërkimet në këtë fushë i kam nisur me qytetin e Ulqinit, duke pasur parasysh se dygjuhësia në këtë qytet është dukuri dhe proces veprues.
Dhe së dyti, motivi tjetër është fakti se gjuha shqipe, sidomos deri me miratimin e Kushtetutës së re të Malit të Zi, përjashto ndonjë ligj si ai i arsimit, ku ajo përmendet fragmentarisht, nuk ka qenë e përfshirë brenda kornizave ligjore. Dhe si e tillë është e vetëkuptueshme se pozita e gjuhës, sikurse ndodh edhe në fusha të tjera kur mbetet jashtë institucioneve, përfundon në mëshirën e fatit.
Koha javore: Çfarë metodologjie keni përdorur për hulumtimin e temës?
H. Shabani: Libri “Rrezikimi i gjuhës shqipe” është rezultat i studimit të magjistraturës shkencore me titullin “Dygjuhësia te shqiptarët e Ulqinit”. Në studimet aktuale sidomos në fushë të sociolinguistikës i kushtohet një kujdes i veçantë hulumtimit në terren. Sidomos në kërkimet në fushë të dygjuhësisë është e domosdoshme që të zhvillohen anketa, intervista dhe vëzhgimi vetiak i studiuesit për të vërtetuar treguesit e kësaj dukurie në realitet. Kjo nënkupton vjeljen e mendimeve të subjekteve të moshave e profesioneve të ndyshme për përdorimin e gjuhës amtare dhe gjuhës së dytë.
Unë kam realizuar shumë anketa me subjektet shqipfolëse të cilat në mënyrë anonime janë përgjigjur se kur përdorin njërën dhe kur gjuhën tjetër, pra kur ndërrojnë kodin-zëvendësojnë gjuhën bazë me gjuhën e dytë.
Në të njëjtën kohë kam vjelë situata gjuhësore nga jeta reale, duke i regjistruar besnikërisht përdorimet e këtilla që nga bisedat joformale private deri te përdorimet me shkrim të dygjuhësorëve.
Koha javore: Në çfarë përfundimi keni arritur? Sa është e rrezikuar realisht gjuha shqipe në komunën e Ulqinit dhe cilat janë rreziqet që i kanosen asaj?
H. Shabani: Përfundimi themelor i këtij studimi është se shqiptarët e qytetit të Ulqinit në vitin 2006 gjuhën shqipe e përdorin për 61 herë më pak se në vitin 1996. Në ndërkohë, gjuhën malazeze e përdorin për 50 herë më shumë. Këto janë rezultatet e anketës, e cila është bërë në vitet përkatëse, në të cilën folësit e profesioneve dhe moshave të ndryshme janë përgjigjur në rreth 30 pyetje për përdorimin me gojë dhe me shkrim të gjuhës shqipe dhe asaj malazeze.
Rezultatet janë të befasishme, duke pasur parasysh se ka ekzistuar një lloj bindjeje se gjuha shqipe mund të jetë stabilizuar sa i përket përdorimit të saj gjatë disa vjetëve të fundit. Por, nëse kemi parasysh edhe rezultatin e analizave të materialit gjuhësor që i kam studiuar gjithashtu dhe duke u nisur nga parimi se shkenca bazohet vetëm në fakte, niveli i rrezikimit të gjuhës shqipe në Malin e Zi është mjaft prezent.
Nëse vetëm për dhjetë vjetë kemi ndryshime aq të mëdha, në vitin 2006 shqiptarët e Ulqinit e përdorin gjuhën e tyre për 61 herë më pak se në vitin 1996, atëherë çfarë do të ndodhë me pasurinë kryesore shpirtërore, kulturore e kombëtare që kanë shqiptarët e Malit të Zi, pra me gjuhën shqipe pas ta zëmë 20 apo 30 vjetëve ?
Parashikimet janë shumë të errëta, bazuar në treguesit e ndryshimeve vetëm për një dhjetëvjeçar, nëse nuk merren masa të gjithashme e të menjëhershme. Në këtë drejtim duhet përmendur vetëm një fakt. Për gjuhën shqipe në Malin e Zi jepet 0 cent, kurse institucionet ndërkombëtare për shpëtimin e gjuhëve që janë në rrezik të zhduken pohojnë se duhet të ndahen rreth 100 mijë dollarë në vit. Një përjashtim në këtë drejtim bën Ministria e Pakicave e cila për botimin e këtij libri ka dhënë ndihmesën e saj. Nëse prirjet e rrezikimit vazhdojnë, duhet pritur që gjuha shqipe në Malin e Zi të bëhet gjuhë jashtinstitucionale.
Koha javore: Në libër Ju trajtoni problemin e rrezikimit të gjuhës shqipe në trevën e Ulqinit. Po si qëndron ky problem në trevat tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi?
H. Shabani: Duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tërhequr në raport me gjuhën malazeze gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit në Ulqin, që është qendër e shqiptarëve në Malin e Zi, atëherë sipas kësaj logjike situata për shqipen në trevat e tjera shqiptare mund të jetë edhe më e pafavorshme. Por, gjithnjë, duhet qenë të kujdesshëm para se kjo dukuri të hulumtohet në terren me metoda shkencore të njohura në këtë fushë, që është objekti i temës sime të doktoranturës, sepse vetëm atëherë mund të konstatohet gjendja faktike. Nuk mund të përjashtohet se p.sh. në Tuz, gjegjësisht në Malësi mund të kemi edhe ndonjë prirje pozitive sa i përket pozicionit të shqipes përballë gjuhës së dytë, si rezultat i disa zhvillimeve të fundit në këtë trevë në kërkim të indentitetit. Por, sidoqoftë, kjo do të dalë pas kërkimeve që do tzi bëjë dukurisë së dygjuhësisë te shqiptarët në nivel të tërë Malit të Zi.
Për të tërhequr një emërues të përbashkët të kësaj dukurie, sa i përket pozitës së gjuhës shqipe në Malin e Zi, ajo do të bëhet alarmante nëse nuk merren masa të gjithanshme dhe të menjëhershme që nga inistitucionet shtetërore, kulturore, arsimore, nga bashkësia e afaristëve e sektorit joqeveritar e deri tek ai i diasporës shqiptare e profesionistësh në këtë fushë.
Unë kam një propozim të projektit se si do të mund të zhvilloheshin veprimet e duhura që është diskutuar në nivel profesionistësh, të cilin mendoj tzia ofroj opinionit publik në kohën e duhur.

http://www.kohajavore.cg.yu/

Bisedoi: I. Kallaba