Kushtetuta dhe Pakicat në Mal të Zi (1)

January 7, 2008   | Shoqëria / Društvo

Avancimi i barazisë qytetare e nacionale

Të drejtat e garantuara me kushtetutë dhe sipas standardëve ndërkombëtare nuk duhen të mvarën nga disponimi i partisë apo partive në pushtet por ato janë obligim i detyrueshëm për pushtetin për të realizuar në praktikë barazinë qytetare dhe nacionale. Është koha e fundit që të bëhet një kthesë pozitive ku shqiptarët të ndihen të barabartë me qytetarët e tjerë në Mal të Zi, ndërsa nëse ndodh si deri më tash ku mungon vullneti i pushtetit për të realizuar në praktikë të drejtat e natyrshme e vetmja adresë do të jetë të faktori ndërkombëtar, sepse shqiptarët nuk kërkojnë të drejta ekskluzive por duan të mbrojnë idetitetin e tyre nacional ne ketë mjedis multinacional, multikulturor dhe multikonfesional.

1. Mali i Zi shtet i qytetarëve apo i popujve

Një ndër dilemat që janë të pranishme këto ditë, kur në shqyrtim publik është projektkushtetuta e Malit të Zi, e që ka të bëjë enkas me definimin e shtetit të Malit të Zi, është se a do të definohet ky shtet si:
1.shtet i qytetarëve,
2. shtet i popujve apo
3.shtet i malazezëve dhe popujve të tjerë që jetojnë ne ketë republikë.

Lidhur me këtë çështje deri më tash dominon koncepti i shtetit qytetar, edhe pse janë të pranishme edhe variantet e tjera. Duke marrë parasysh regjistrimin e fundit të popullsisë (2003) se asnjë popull në ketë republikë nuk është shumicë dhe se kemi një strukturë heterogjene sipas përkatësisë nacionale është edhe rekomandim i bashkësisë ndërkombëtare se Malit të Zi më së shumti i përgjigjet definimi i shtetit të qytetarëve. Një konstatim i tillë, pa cekur asnjë popull, është i pranueshëm edhe për të tjerët, edhe pse nga strukturat qeveritare bëhet me dije se ato dëshirojnë të cekin, se Mali i Zi është shtet i popullit malazias. Një konstatim i tillë është i papranueshëm edhe për serbët, sepse ata kërkojnë ose të shënohen edhe serbët apo asnjë popull, pra shtet i qytetarëve. Ndërsa teksti në preambulë që ka të bëjë më ” të drejtën historike të popullit malazias dhe në të drejtat e popujve të tjerë autoktonë dhe të qytetarëve për shtetin e lirë të Malit të Zi” duhet të ndryshohet, sepse edhe nxënësit në shkollë fillore e kanë mësuar se çka do të thotë termi autokton, kur historikisht dihet se kush është autokton dhe i ardhur në këto troje. Pra, duhet të gjendet një formulim tjetër, i pranueshëm edhe për pjesëtarët e popujve të tjerë në këtë mjedis.

2. Cili do të jetë statusi i shqiptarëve

Me të drejtë bëhët pyetja se cili do të jetë statusi i shqiptarëve në Kushtetutën e re, a do të ketë ndonjë dallim cilësor apo çdo gjë do të jetë si më parë, kur shqiptarët janë trajtuar në kategorinë e grupeve nacionale e etnike, terminologji kjo aspak e pranueshme madje edhe irituese.
Andaj për shqiptarët në rastin konkret mendoj se ekzistojnë tri zgjidhje:
1. pjesëtarë të popullit shqiptar,
2.popull pakicë dhe
3. pakicë nacionale.

Nëse analizohen të tri këto formulime del qartë se formulimi i parë është më i pranueshëm dhe si i tillë duhet të figurojë edhe në Kushtetutën e re. Si shembull pozitiv në këtë aspekt mund të na shërbejë Maqedonia, ku ajo në bazë të Marrëveshjes së Ohrit (2001) është definuar – shtet i popullit maqedonas por edhe pjesëtarëve të popullit shqiptar etj.
Ndërsa për hir të realitetit duhet thënë me këtë rast se nga viti 1997, në Mal të Zi filloi të përdoret edhe një term tjetër, e ky është popull pakicë, që në një farë mënyre është sinonim për pakicat kombëtare, por njëheri paraqet anën sasiore të popullatës përkatëse në kuadër të popullsisë së përgjithshme. Por, pasi që në konceptin qytetar nuk ka pakicë dhe shumicë, por ka qytetarë të cilët u përkasin popujve të ndryshëm, si dhe të dhënën se në Mal të Zi nuk ka popull dominues, sepse askush nuk është as mbi 50% e jo më tepër, formulimi i Maqedonisë do të ishte zgjidhja me e drejtë dhe e pranueshme për pjesëtarët e jomalazezëve në këtë republikë.

3. Mungon kapitulli i veçantë

Kudo në botë me rastin e hartimit të kushtetutave të reja, merren parasysh dhe inkorporohen në tekstin e ri vlerat e përgjithshme të cilat si të tilla janë pranuar nga qytetarët dhe opinioni i gjerë. Në kushtetutën e Malit të Zi të vitit 1992, për pakicat nacionale e grupet etnike ka ekzistuar një pjesë e veçantë (nenet 67-76). Është pritur që në tekstin e projektkushtetutës së re një kapitull i tillë të jetë i pranishëm, por për çudi hartuesit e saj e kanë anashkaluar në tërësi. Andaj, duke marrë parasysh se Mali i Zi është mjedis multinacional, ku praktika dëshmon se popujt numerikisht më të vegjël në mënyrë permanente janë në pozitë të pabarabartë në krahasim me popujt numerikisht më të mëdhenj (në rastin konkret malazezët e serbët), një kapitull i tillë do të eliminonte shumë dilema. Në atë kapitull duhet të shënohen në mënyrë taksative një varg të drejtash si: arsimi, gjuha, informimi, kultura, decentralizimi i pushtetit, përfaqësimi proporcional etj., të dhëna këto të cilat janë në favor të identitetit nacional dhe avancimit të pozitës dhe të statusit të popujve përkatës, në rastin konkret të shqiptarëve në Mal të Zi.

4. Identiteti dhe institucionet

Pasi që deri më tash pjesëtarët e popullit shqiptar në praktikë në fushën e arsimit dhe të kulturës nuk kanë trajtim të barabartë dhe pasi që identiteti i tyre është i rrezikuar vazhdimisht, për të sfiduar gjendjen ekzistuese është e nevojshme të veprohet në mënyrë analoge sikurse në vendet e tjera multinacionale. Andaj, në rastin konkret për shqiptarët është nevojshme të formohen institucionet e identitetit. Këtu kryesisht mendojmë për fushën e arsimit me themelimin e Qendrës së arsimit në gjuhën shqipe, dhe atë të kulturës për themelimin e Qendrës Kulturore Shqiptare. Këto dy subjekte duhet të financohen nga buxheti i qeverisë republikane, e po ashtu pjesërisht edhe nga qeverisjet lokale në ato komuna ku shqiptarët janë popullsi autoktone. Një veprim i tillë është më se i nevojshëm, duke pasur parasysh diskursin e vazhdueshëm të strukturave qeveritare ndaj shqiptarëve. Edhe pse qytetarët shqiptarë vazhdimisht kanë paguar e paguajnë taksat dhe tatimet në mënyrë të rregullt, asgjë nuk është financuar në këto dy fusha, që janë baza elementare e identitetit nacional në këtë mjedis multinacional.
Në këtë dimension si shembull praktik mund të na shërbejnë planprogramet mësimore ku nga historia e kultura kombëtare nxënësi shqiptar në shkollat me mësim në gjuhën shqipe (fillore e të mesme) nuk mëson asgjë për popullin e vet ndërsa mëson për të tjerët.
Aspak më mirë gjendja nuk është as në fushën e kulturës, ku në Ministrinë e Kulturës, nuk ekziston nocioni kultura shqiptare, andaj deri më tash nuk kemi ndonjë informatë se nga kjo ministri është financuar i plotë ndonjë projekt nga kultura shqiptare, edhe pse ata një çështje të tillë e kanë obligim ligjor. Nga veprimet e tilla të pushtetit termi multikulturë ka vlerë vetëm për fjalorin politik, ndërsa ne realitet është demagogji e mentalitetit monist që këtu është gjithnjë i pranishëm.

(vazhdon në numrin tjetër)

Dr.Nail Draga