Shqiptarët në Mal të Zi në vitin 2007

January 14, 2008   | Anketë / Anketa

Pa një vizion për të ardhmen


Në Republikën e Malit të Zi forcat politike shqiptare dëshmuan edhe në vitin që lamë pas mungesën e një vizioni për të ardhmen, bazuar në bashkëpunimin ndërmjet tyre. Vihet re se shqiptarët në këtë republikë, për arsyen e përçarjes që mbizotëron në forcat politike shqiptare, janë ende larg realizimit të të drejtave të tyre konform ligjeve evropiane, kur është fjala për të drejat e pakicave nacionale.
Shqiptarët në Mal të Zi në fillim të vitit 2007 hynë me shpresën se sadopak do të përmirësohet niveli i jetesës dhe i mirëqenies së tyre. Këtë madje publikisht ua kanë premtuar përfaqësuesit e forcave politike shqiptare dhe pushtetarët malazez. Por, për fat të keq shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi edhe në vitin e kaluar, si shumë herë deri më tash mbetën të zhgënjyer, sepse politikanët shqiptarë dhe pushtetarët malazez nuk i përmbushën premtimet e dhëna qytetarëve shqiptarë në fillim të vitit që lamë pas. Në bisedat e ndryshme me qytetarë të thjeshtë rrugëve apo edhe në mjedise të ndryshme në Ulqin, Anë të Malit, Krajë, Malësi, Plavë, Guci e Rozhajë vëren qartë zhgënjimin dhe mosbesimin në radhë të parë ndaj forcave politike shqiptare. Është fakt se edhe gjatë vitit që shkoi forcat politike shqiptare nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashtur të gjejnë kompromisin ndërmjet tyre, as kur kanë qenë në pyetje çështjet madhore, siç është për shembull kushtetuta e re e Malit të Zi dhe disa ligje që kanë të bëjnë kryekëput me përmirësimin e statusit dhe avancimin e lirive të drejtave të shqiptarëve në këtë republikë. Për të gjitha këto dhe çështje të tjera të rëndësishme për popullsinë shqiptare partitë politike ose kanë shprehur qëndrime diametralisht të kundërta, ose kanë heshtur. Në Republikën e Malit të Zi forcat politike shqiptare dëshmuan edhe vitin e shkuar mungesën e një vizioni për të ardhmen, bazuar në bashkëpunimin ndërmjet tyre. Vihet re se shqiptarët në këtë republikë, për arsyen e përçarjes që mbizotëron në forcat politike shqiptare, janë ende larg realizimit të të drejtave të tyre konform ligjeve evropiane kur është fjala për të drejat e pakicave nacionale. Politikanët shqiptarë nuk ishin së bashku as në kremtimin e 28 Nëntorit. në Ulqin. Ata, nuk arriti t`i bashkojë as Dita e Flamurit , simbol i lirisë, krenarisë e bashkimit gjithëkombëtar. Dhe kur kjo jo vetëm se ndodh por tashmë është bërë si të thuash dukuri, atëherë natyrshëm rezultatet e shumëpritura mungojnë. Megjithë këtë hendek të madh ndërmjet subjekteve nacionale politke shqiptare ka disa të arritura të vogla që kanë të bëjnë me shqiptarët. Sivjet Kuvendi malazez ka miratuar aktin më të lartë ligjor, që paraqet filozofinë e jetës në shtetin e pavarur të Malit të Zi – kushtetutën . Me kushtetutën e re , e cila mbron lirinë dhe të drejtat e çdo qytetari dhe krijon sundimin e të drejtës , për të gjitha pakicat nacionale, përfshirë këtu edhe shqiptarët, është bërë ” një hap përpara”. Pakicave nacionale në bazë të këtij dokumenti u mundësohet përfaqësimi autentik dhe proporcional, kurse pakicat shumë shpejt do të kenë mundësi të krijonë këshillat nacionale, të cilat do të formohen nga shteti dhe do të kenë fondin përkatës për zhvillimin e kulturave të tyre.
Risi tjetër pas aprovimit të kushtetutës është aprovimi i Ligjit për letërnjoftime, i cili shqiptarëve u mundëson që në të ardhmen t`i regjsitrojnë emrat dhe mbiemrat e tyre në formë origjinale, në gjuhën amtare. Sipas këtij ligji, qytetarët shqiptarë që gjenden në Mal të Zi, në cilëndo komunë qoftë, mund të bëjnë kërkesën për ndryshimin e emrit, apo mbiemrit dhe atëherë nëpunësi, apo ai që kryen punën e lëshimit të letërnjoftimit, e ka për detyrë që me automatizëm t`i dërgojë ofiqarit gjegjës emrin dhe mbiemrin e shkruar në gjuhën shqipe. Arritje tjetër e shqiptarëve është themelimi i Fondit për pakica, që ka për qëllim ruajtjen e identittetit fetar, kulturor dhe gjuhësor të popujve pakicë dhe bashkësive nacionale në Mal të Zi. Pritet që përmes këtij fondi të financohen puna dhe projektet e këshillave nacionale të popujve pakicë dhe bashkësive nacionale, pra edhe të shqiptarëve. Fitore e shqiptarëve është fjalimi i parë shqip në Parlamentin e Malit të Zi, i deputetit të Alternativës Shqiptare, Vasel Sinishtaj, intenca e të cilit, siç është shprehur ai, ka qenë jo të hyjë në histori të kombit, sepse i pari foli shqip në Kuvendin malazez, por për të treguar se gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në ato mjedise ku shqiptarët përbëjnë shumicën, qoftë në Parlament, qoftë në gjyqe, në jetën private apo atë zyrtare. Ky diskutim në gjuhën shqipe u cilësua si një moment madhështor jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për të gjithë intelektualët pavarësisht nga përkatësia kombëtare, sepse për të parën here kanë pasur mundësi ta dëgjojnë se si tingëllon kjo gjuhë e lashtë indoevropiane në mileniumin e tretë. Në vitin 2007 Alternativa Shqiptare ka kërkuar përmes një letre të hapur drejtuar krerëve më të lartë shtetërorë të Malit të Zi që deri me aprovimin e Ligjit të ri mbi përdorimin e simboleve kombëtare, tu mundësohet përdorimi i simboleve kombëtare në objektet e kuvendeve komunale, organeve vetëqeverisëse lokale, zyrave dhe institucioneve publike, në trevat ku shqiptarët përbëjnë shumicën, duke thënë se ” me Kushtetutën e Malit të Zi, dispozita e nenit 79, paragrafi 1, pika 2, pjesëtarëve të pakicave u garantohet e drejta e zgjidhjes, e përdorimit dhe e ngritjes së simboleve kombëtare dhe e shënimit të festave kombëtare, si dhe me Kushtetutën e Re, dispozita e nenit 79, paragrafi 1, pika 8, pjesëtarëve të pakicave u garantohet e drejta që në mjediset me pjesëmarrje të rëndësishme të pakicave në popullatën e përgjithshme, emërtimet tradicionale lokale, emërtimet e rrugëve dhe qendrave të banuara, si dhe shenjat topografike të shkruhen edhe në gjuhën e popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera minoritare”. Viti 2007 u karakterizua edhe me prishjen e koalicionit të partive shqiptare në parlamentin e Ulqinit i përbërë nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Forca e Re Demokratike- Forca, Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve. PPD-ja është larguar nga koalicinoni i subjekteve politike shqiptare dhe i është bashkangjitur Koaliconit ” Për Ulqini evropian”, të cilët tani përbëjnë shumicën në Kuvendin Komunal të Ulqinit dhe ushtrojnë edhe pushetin ekzekutiv. Shqiptarët në kërkim të të drejtave të tyre brenda këtij viti organizuan disa protesta që kishin të bënin me shënimin e njëvjetorit të arrestimit të shqiptarëve nga Malësia në aksionin ” Fluturimi i shqiponjës”, ku u kërkua nga institucionet gjyqësore gjykim i drejtë dhe i shpejt si dhe përballjen para drejtësisë të policëve malazezë, që kanë ushtruar dhunë e brutalitet ndaj shqiptarëve të paraburgosur. Por ajo që shqetësoi jashtë mase veçmas qyetarët e Malësisë gjithsesi është vonesa e procesit gjyqësor, respektivisht zbradhja e fajësisë ndaj 18 shqiptarëve (malësorëve) të akuzuar për “terrorizëm dhe prishje të rendit kushtetues”, të cilët tash më se një vit ndodhen në gjyqin e Spuzhit. Ndërkohë janë organizuar disa protesta për kthimin e pasurisë së sekuestruar, në fshatin Shipshanik, afër Tuzit dhe në Gjirin e Valdanosit, në Ulqin. Këto dhe probleme të tjera që i kanë brengosur pa masë shqiptarët gjatë vitit të kaluar i bëjnë një pjesë të tyre të ndjehen se u janë rrezikuar të drejtat dhe se për ta nuk vlejnë të njëjtat akte ligjore. Ky vlerësim i është bërë i njohur edhe Misionit Vëzhgues të Bashkimit Europian.
Gjekë Gjonaj

www.koha javore.cg.yu