Sëmundjet respiratore shënojnë rritje

January 27, 2008   | Anketë / Anketa

spitali i ulqinitNë lidhje me shkaktarët e këtyre sëmundjeve mund të thuhet se rreth dy të tretat e këtyre sëmundjeve shkaktohen nga viruset. Sëmundjet respiratore virusale janë më të shpeshta dhe në mënyrë absolute dominojnë në këto muaj të dimrit. Më të shpeshtë janë viruset e gripit, herpesit, rinoviruset, adenoviruset dhe një sërë virusesh të tjera, numri i të cilëve arrin në mbi 150 lloje

Javëve të fundit në rajonin e Ulqinit është konstatuar rritja e numrit të sëmundjeve respiratore ose si quhen në mënyrë të popullarizuar “ftohjes”. Këtë e vërtetojnë edhe mjekët e mbrojtjes primare shëndetësore, tek të cilët qytetarët lajmërohen për ndihmë mjekësore. Me siguri për mjekët kjo dukuri nuk paraqet befasi, sepse është e zakonshme për muajt e dimrit. Mjekët janë unikë në qëndrimin se nuk është duke ndodhur asgjë e pazakonshme, por diçka e pritshme dhe normale për këtë periudhë të vitit.
Sëmundjet respiratore janë grupi më i shpeshtë i sëmundjeve jo vetëm ndër sëmundjet ngjitëse, por edhe në mesin e sëmundjeve në përgjithësi. Tek të rriturit, sëmundjet respiratorë marrin pjesë deri me 20% nga të gjitha sëmundjet, ndërsa tek fëmijët kjo përqindje është dyfish më e lartë. Vlerësohet se çdo njeri gjatë vitit mesatarisht një deri dy herë është i sëmurë nga ndonjë sëmundje akute respiratore ngjitëse.

Si përhapen?

Sëmundjet respiratore ose sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes përhapen nëpërmjet ajrit, respektivisht nëpërmjet të ashtuquajturës rrugë ajrore (me pika) të përhapjes. Në ajër ndodhen mikroorganizma të ndryshme, kurse numri i tyre varet nga hapësira. Më të përqendruara janë në hapësira të mbyllura, ku ka numër më të madh të njerëzve (kafenetë, çajtoret etj.) dhe në vende të tjera si në spitale, objekte kolektive (shkollat, çerdhet) dhe në vende të tjera. Gjatë frymëmarrjes, kollës, teshtitjes dhe të folurit me zë, nga organet e frymëmarrjes së njeriut hidhen pika të imta, të padukshme me sy, që mund të shpërthejnë në formë të “aerokripërave”. Këto pikëza mund të hidhen në një distancë deri në 1,5 metra. Sa gjatë do të ngelin në ajër varet nga madhësia e tyre, lagështia dhe temperatura e ajrit. Nëse bëhet fjalë për hedhjen e mikroorganizmave të ndjeshme, ata shpejt do të zhduken, por ato rezistuese munden të ngelin gjatë, bile edhe pas tharjes së pikave. Që të ndodhë infektimi nëpërmjet këtyre pikave, personi i shëndoshë duhet të jetë pranë personit të sëmurë dhe jo më larg se 1,5 metra.

Cili i shkakton?

Në lidhje me shkaktarët e këtyre sëmundjeve mund të thuhet se rreth dy të tretat e këtyre sëmundjeve shkaktohen nga viruset. Sëmundjet respiratore virusale janë më të shpeshta dhe në mënyrë absolute dominojnë në këto muaj të dimrit. Më të shpeshtë janë viruset e gripit, herpesit, rinoviruset, adenoviruset dhe një sërë virusesh të tjera, numri i të cilëve arrin në mbi 150 lloje. Për foshnjat, fëmijët e vegjël dhe personat e moshuar ata ende bëjnë pjesë në sëmundjet e rënda me prognozë serioze. Nga bakteret më të shpeshtë janë streptokokët, stafilokokët, pneumokokët, meningokokët dhe hemofiliusi.

Karakteristikat e sëmundjeve respiratore

Karakteristike për këto sëmundje është se shumë shpejt përhapen; Shpesh shfaqen në hapësira kolektive të mbyllura (shkolla, çerdhe etj), në hapësirat të mbyllura ku ka numër të madh njerëzish dhe atë më shumë në qytet; Më shpesh është përfshirë popullata e re, sepse numër më i madh i tyre akoma nuk kanë krijuar imunitet ndaj tyre; Paraqitja sezonale e këtyre sëmundjeve është njëra nga karakteristikat më të rëndësishme. Më së shpeshti lajmërohen në vjeshtë, dimër dhe pranverën e hershme. Analiza e rasteve të paraqitura në repartin epidemiologjik në Ulqin tregon tendencë të rritjes së këtyre sëmundjeve, veçanërisht të infeksioneve të rrugëve respiratore të sipërme. Në këtë moment nuk mund të themi ndonjë informacion konkret me numra, prandaj kjo do të ishte jo e plotë dhe me siguri nuk do të fitonim fotografi reale të numrit të të sëmurëve.
Qytetarëve mbase më shumë u intereson fakti nëse kjo rritje është rezultat i pranisë së virusit të gripit. Ajo që mund të thuhet është se në qendrën e Ulqinit janë pranuar dy raste, për të cilët dyshohej se janë me virus të gripit. Por, analizat e kryera nuk e vërtetuan praninë e virusit të gripit. Epidemiologët vlerësojnë se ende nuk ka shfaqje të gripit, por janë të sigurt se gripi së shpejti do të paraqitet me të gjitha karakteristikat e tij.

Si të mbrohemi?

Preventiva (mbrojtja) nga sëmundjet respiratore është mjaft e vështirë dhe më së shpeshti pa sukses më të madh. Sidoqoftë, zbatimi i masave të përgjithshme mbrojtëse është mjaft i rëndësishëm. Të tilla masa janë:
të konsumohen sasi më të mëdha të pijeve të nxehta dhe vitaminë C;
t’u iket vendeve ku ka numër më të madh të njerëzve, duke shmangur rrezikun nga infektimi;
të merret ushqim i begatshëm me vitaminë dhe minerale;
të kryhet shpesh ajrosje e hapësirave dhe nxehje e tyre optimale;
i prekuri nga sëmundja respiratorë të lajmërohet tek mjeku e jo të marrë antibiotikë kokë më vete;
të sëmurët kronikë dhe personat e moshuar rregullisht ta marrin terapinë e paraparë dhe pa nevojë të mos dalin jashtë shtëpisë.