Mali i Zi dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen mbi bashkëpunimin policor ndërkufitar

February 11, 2008   | Politika

Jusuf Kallamperoviq_Bujar NishaniMinistri malazez i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Jusuf Kallamperoviq, dhe homologu i tij shqiptar, Bujar Nishani, nënshkruan të premten në Podgoricë Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërkufitar policor ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja ka për qëllim rritjen e sigurisë së kufijve si dhe zvogëlimin e hapësirës për akte kriminale.
Ministri Kallamperoviq tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se ajo përbën një mesazh për qytetarët se janë krijuar kushte të jashtëzakonshme për kufij të sigurt.
“Marrëveshja përbën një mesazh se do të zvogëlohet hapësira për veprime në kundërshtim me ligjin”, ka thënë ai.
Ministri malazez i Punëve të Brendshme ka theksuar se në takim me homologun e tij shqiptar konstatuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë, por edhe nevojën për intensifikimin e tyre dhe aksione të reja si marrëveshja për riadmision dhe ndihmë në rastet e situatave të jashtëzakonshme.
Nga ana tjetër, ministri Nishani ka vlerësuar se Marrëveshja konfirmon angazhimin e strukturave shqiptare dhe malazeze për të qenë efikas në luftë kundër krimit dhe veprimtarisë së kundërligjshme në kufijtë e dy vendeve.
“Ekspertët tanë dhe policia do të bashkëpunojnë në parandalimin e krimit ndërkufitar, sepse krimi nuk njeh kufij, kurse lufta kundër këtij fenomeni është qëllimi ynë i përbashkët dhe kërkon bashkëpunim të mirë të shërbimeve të sigurisë dhe strukturave shtetërore”, ka theksuar ai.
Nënshkrimi i Marrëveshjes është përshëndetur edhe nga OSBE-ja.
“Menaxhimi i integruar i kufirit nënkupton realizimin e qëllimeve afatmesme dhe afatgjata, të orientuara në koordinimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve dhe agjencive të përfshira në kontrollin dhe inspektimin e kufirit”, ka thënë Paraskiva Badesku, shefe e Misionit të OSBE-së në Podgoricë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes morën pjesë edhe drejtori i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviq, dhe homologu i tij shqiptar Ahmet Premçi.
(KohaPress)