A i nevojitet ashensori një kalaje të lashtë

February 13, 2008   | Kulturë / Kultura

Indiferenca ndaj vetvetes

Ndërtimi i ashensorit brenda një kalaje të lashtë, është vandalizëm i paparë, i ngjashëm me instalimin e kishës mbi majen e Rumisë. Kush ka faj? Faj ka pavetdija e neve si individë se historia e shkruar, dokumentet, mund të falsifikohen dhe të shtrembërohen me anë të interpretimeve të gabueshme, por, kultura materiale është ajo që mbetet dhe që dëshmon për prezencen e një etnosi në një truall.

Kur ish – presidenti i Francës, Miteran, ka filluar ta ndërtojë piramiden e qelqtë para muzeut më të rëndësishëm në botë, Luvr, është ngritur opinioni intelektual ta pengojë këtë blasfemi e cila e ka shemtuar tërësinë civilizuese të kësaj pjese të Parisit . Megjithatë, Miterani e ka përfunduar piramidën, dhe, thonë se i vetmi qëllim i ndërtimit të saj ka qenë ai se ish presidenti ka dashur të mbetet i shënuar në histori si ktitor. Por, megjithëse ata që e kanë parë, thonë se Piramida është e urrejtur nga francezët, fakt është se një France, e cila , si vend, është margaritar i qytetërimit njerëzor, nuk i ka bërë shumë dëm një shëmtim i tillë.

Po, çfarë të bëjme ne të cilët nuk posedojmë një begati të tillë të kulturës materiale, çfarë e kanë popujt e Europës. Këto ditë, kuptuam nga mediat elektronike se, personat të cilët kanë të drejtë të pronës private mbi truallin brenda Kalasë së Ulqinit, përveç punimeve të tjera që janë bërë deri tani, filluan ta punojnë ashensorin.

Mendoj se historia nuk guxon të idealizohet dhe të mitologjizohet. Përkundrazi, duhet të jemi rigoroz ndaj asaj se çfarë mund të konsiderohet si fakt historik. Unë, p.sh., nuk mendoj se Servantesi ka qenë ndonjëherë në Ulqin, se, lëre më se emri i të dashurës së imagjinuar të Don Kishotit ka pasur të bëjë me emrin e këtij qyteti. Thjesht, Dulsineja në gjuhen e Don Kishotit do të thoshte “e ëmbël, e lezetshme”, dhe nuk ka kurrfarë lidhje me Olciniumin.

Ashtu si tmerrohemi me faktin se dikush brenda Kalasë guxoi të ndërtojë çfarëdo gjëje
dhe me çfarëdo leje, qoftë ajo edhe legjitime në rrafshin juridik, më duket simpatik fakti se, p.sh., historiani romak me origjinë greke, Polibi, rrëfen se mbreti Genc pinte ditë e natë. Nëse e mënjanojmë anësinë e një romaku dhe urrejtjen e tij ndaj ilirëve me të cilët Roma ishte në luftë shekullore, prapë, mbetet mjaft material për Gencin si një hedonist të pashoq. Ndërsa, Teopompi, shkruan se edhe gratë ilire merrnin pjesë në këto ahengje, barabar me burra. Madje, emri i perëndisë së verës te peonët(një popull ilir në Maqedoninë e sotme), Dualos (te grekët Dionisi), nxirret nga fjala shqipe “dej”- i dehur dhe ajo e gotishtes “dwals”- i marrë, pra, dy fjalë që dalin nga e njejta rrënjë. Kjo gjë tingëllon aq njerëzore, sepse, zotrat janë pasqyrë e njerëzve të cilët i kan imagjinuar. Këto hyjni hedoniste janë pasqyrë e një populli hedonist çfarë kanë mbetur (fati! ) shqiptarët deri më sot. Madje, perandorin romak të gjakut ilir, Valent, e quanin sabaiarius, sepse e pinte birren e elbit – sabaia, pije tipike ilire.

Këto dhe shumë ilustrime të tjera bëjnë që ne për të kaluaren tonë të mos ushqejmë një pasqyrë të rrejshme si për një popull ose komb ideal. Por, në anën tjetër, ndërtimi i ashensorit brenda një kalaje të lashtë, është vandalizëm i paparë, i ngjashëm me instalimin e kishës mbi majen e Rumisë. Kush ka faj? Faj ka pavetdija e neve si individë se historia e shkruar, dokumentet, mund të falsifikohen dhe të shtrembërohen me anë të interpretimeve të gabueshme, por, kultura materiale është ajo që mbetet dhe që dëshmon për prezencen e një etnosi në një truall.Koha javore

Xhoana M. Perkaj

xhoanaperkaj@yahoo.com