Lexuesit e Kohës Javore në Rozhajë numërohen në gishta

February 26, 2008   | Kulturë / Kultura

koha javoreNë Rozhajë dhe rrethinën e saj, e përjavshmja “Koha javore” lexohet pak. Asimilimi ndër shqiptarët etnikë këtu padyshim e ka bërë të vetën, por edhe tradita për të lexuar shtypin në gjuhë joamtare zvogëlon lexuesit e saj. Lexuesit standard të kohës janë mësimdhënësit e këtushëm shqiptarë. Pjesa dërmuese e shqiptarëve të Rozhajës më lehtë i lexojnë gazetat në gjuhë joamtare. Ata vazhdojnë me avazin e vjetër, lexojnë “Vijesti”-n dhe “Dan”-in.

Koha javore” është e vetmja gazetë në gjuhën shqipe që mund të gjendet në një qoshk në qytetin e Rozhajës. Tash gjashtë vite me radhë lexuesit e rrallë shqiptarë këtu mund të shihen duke shkuar në këndin e tyre, për të blerë të përjavshmen në gjuhën shqipe, gazetën e tyre më të preferuar në Mal të Zi. Për fat të keq janë pak intelektualë shqiptarë që veprojnë në qytetin e Rozhajës, që njeriu mund t`i takojë me gazetat në gjuhën amtare. Ata shihen duke blerë të përditshmet malazeze, pasi që rrethanat jetësore u kanë imponuar që informacionet t`i thithin nga mediat në gjuhën joamtare. Lexues të rregullt të gazetës në gjuhën shqipe janë mësimdhënësit shqiptarë të shkollës shqipe në Dacaj. Shtypi malazias shihet në duart e shqiptarëve në çdo vend, pasi që informacionet e plasuara në të përjavshmen shqipe këtyre lexuesve u duken të vjetëruara, meqë ato lexuesit e gazetave në gjuhën shtetërore i kanë thithur më parë.
Arsyeja kryesore e anashkalimit të së përjavshmes në gjuhën shqipe, sipas lexuesit shqiptar të këtushëm, është se informacionet e kësaj gazete janë të vjetëruara, bile të harruara, ngase ato lexuesi shqiptar i kupton nga gazetat në gjuhën e huaj, ndërsa në “Kohën javore” pas një jave.
Të gjithë ata që e lexojnë “Kohën javore” kanë vërejtje vetëm për kohën (periodike, javore) e publikimit të saj. Gazeta, sipas tyre, duhet të dalë së paku 3 herë në javë, por e mira e së mirës duhet të ishte dalja e saj së paku 6 herë në javë.
Pos lexuesve vendas, “Kohën javore” mund ta gjesh në duart e lexuesit kosovar të cilët ditëve të premte frekuentojnë pazarin e Rozhajës. një nga ata që rastësisht e takuam në Hotelin e Rozhajës duke e shfletuar të përjavshmen tonë është gazetari i së përditshmes kosovare “Lajm”, Bajram Lukaj, i cili, ndër të tjera, na tha se me kënaqësi lexon faqet e kësaj gazete në gjuhën shqipe dhe konsideron se vetë përmbajtja e saj dhe i gjithë dizajni e përvetësojnë lexuesin. “Shumë herë faqet e kësaj gazete i lexoj edhe përmes internetit dhe pa dyshim që më pëlqejnë rubrikat e saj” thotë Lukaj. Në pyetjen tonë se cila rubrikë i pëlqen më shumë, Lukaj thotë se faqet e kulturës dhe ajo e opinion-vështrimeve, i ka për zemër pasi që, sipas tij, aty shihet liria e të shprehurit dhe arritjet e gazetarëve shqiptarë në Mal të Zi për t`i trajtuar problemet dhe sukseset e shqiptarëve jo vetëm në Mal të Zi por edhe me gjerë. “- Unë me kënaqësi do të doja që shqiptarët në Rozhajë e në Mal të Zi, gjithandej ku shtrihen në trojet e veta etnike, të kenë një gazetë ditore, ku ata do të mund të lexojnë informacionet ditore në gjuhën e vet amtare, pra në gjuhën shqipe”, ka përfunduar Bajram Lukaj duke na përgëzuar për përvjetorin e gazetës.
Ky përvjetor është edhe më i begatshëm, pasi që lexuesi shqiptar këtu mund të lexojë edhe fjalët e shumëpritura ato të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

www.kohajavore.cg.yu