Lëvizja “Atdheu na Bashkon” hap zyrën në Tuz

April 1, 2008   | Shoqëria / Društvo

Atdheu na Bashkon

Konsolidim i një bashkëpunimi
Lëvizja “Atdheu na Bashkon” do të hapë të enjten e ardhshme (më 3 prill) Zyrën në Mal të Zi, me qendër në Tuz.
Në këtë eveniment janë të ftuar Ambasadori Amerikan në Podgoricë, Roderik Mur dhe ai i Shqipërisë, Saimir Bala, si dhe shumë personalitete nga fusha politike, OJQ-të dhe organizatat për të drejtat e njeriut. Me këtë rast, nga SHBA pritet të vijë edhe një delegacion i Lëvizjes “Atdheu na Bashkon”.
Hapja e kësaj zyre në Tuz ka për qëllim konsolidimin e një bashkëpunimi më të ngushtë midis shqiptarëve nga Mali i Zi dhe diaspora, si dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të realizimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare sipas normave dhe ligjeve ndërkombëtare.
Të nesërmen, më 4 prill, Lëvizja “Atdheu na Bashkon” do të organizojë në Ulqin një tryezë të rrumbullakët me temën “E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi”, ku janë të ftuar mbi dyzet intelektualë me ekspertizë të ndryshme. Në këtë tryezë pritet të diskutohet edhe mbi të ardhmen politiko-juridike, ekonomike, edukativo-arsimore dhe kulturore.
Delegacioni i Lëvizjes “Atdheu na Bashkon” pritet të zhvillojë takime me Ambasadorin Amerikan z. Moore, me anëtarë të organizatave për të Drejtat e Njeriut, përfaqësues të OJQ dhe udhëheqës politikë.
(Kohapress)