Deputeti i Alternativës Shqiptare Vasel Sinishtaj shprehet i zhgënjyer me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale

April 14, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Mali i Zi edhe më tej i përçarë thellë
Podgoricë – Deputeti i Alternativës Shqiptare, Vasel Sinishtaj, ka thënë se është i zhgënjyer nga rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, duke theksuar se ato kanë treguar që Mali i Zi është edhe më tej i përçarë thellë.
“Vazhdon përçarja dhe opcioni promalazez, nëse llogarisim që kandidati i Lëvizjes për Ndryshime, Nebojsha Medojeviq, dhe ai i koalicionit qeverisës, Filip Vujanoviq, kanë fituar rreth 70 për qind, kurse Lista Serbe 30 për qind. Kemi sërish ndarjen që ka ekzistuar edhe më pare”, ka thënë ai.
Sinishtaj vlerëson se do të kishte qenë më mirë sikur Vujanoviqi të mos kishte fituar në rrethin e parë të zgjedhjeve, duke theksuar se në këtë mënyrë do të fitohej përkrahja e gjerë për cilindoqoftë kandidat.
“Kështu vetëm kemi mbetur në pozitat e mëparshme”, ka thënë ai.
Duke folur për shkaqet e rezultateve të tilla, deputeti i Alternativës Shqiptare ka thënë se PDS është akoma partia më e fortë, si dhe se qytetarët që përfitojnë pensione, paga dhe kompensime të tjera nga buxheti nuk janë të gatshëm për ndryshime.
“Unë kam menduar megjithatë se do të vijë deri te ndryshimet që do të sillnin zhbllokimin e sistemit që sundon tepër gjatë. Qytetarët, megjithatë, nuk janë të gatshëm për ndryshime. Edhe më tej ekziston besim i madh në sistemin aktual”, mendon Sinishtaj.
Ai ka theksuar se Medojeviqi ka fituar rreth njëmijëepesëqind vota të shqiptarëve, sa edhe kanë parashikuar në ASH, por problem është se edhe vetë Malësia është e përçarë.
“Edhe këtu UDSH i ka ftuar votuesit të mbështesin Vujanoviqin, kurse ne kemi mbështetur Medojeviqin. LD në MZ nuk është përcaktuar për askënd dhe këtu shihet ndarja edhe te ne”, ka përfunduar Sinishtaj.

(Kohapress)