Ambasadori Amerikan Roderik Mur vizitoi javën e kaluar Ulqinin

April 21, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

gezim hajdinaga_roderik murGatishmëri për bashkëpunim të mëtejshëm
Ulqin – Ambasadori amerikan në Podgoricë, Roderik Mur, vizitoi javën e kaluar Ulqin, ku u prit nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Muhamet Nika, dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Kryetari Hajdinaga e falënderoi Ambasadën dhe Qeverinë e SHBA-së për angazhimin dhe realizimin e disa projekteve në Ulqin dhe në trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.
Ai e ka njoftuar ambasadorin Mur me perspektivën zhvillimore të qytetit, tenderet që planifikohen të hapen për zonat më atraktive të qytetit, me theks të veçantë në tërheqjen e kapitalit amerikan, përfshirjen e diasporës në rrjedhat zhvillimore të qytetit si dhe për klimën e volitshme investuese në Mal të Zi.
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan Mur e falënderoi kryetarin e Komunës së Ulqinit për pritjen e përzemërt dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim të mëtejshëm.
Kryetari Hajdinaga dhe ambasadori Mur vizituan zonat valorizimi i të cilave pritet me tenderët e ardhshëm, si dhe morën pjesë në prezantimin e programit të inicuar nga Ambasada e SHBA-së për kontrollin e eksportit dhe sigurisë së kufijve në Zogaj të Ulqinit.

(Kohapress)