Intervistë me sopranon Maida Resulbegu

April 30, 2008   | Intervista / Intervju, Shtypi / Mediji

Maida ResulbeguAsnjëherë nuk ndjehem keq në skenë
Edhe pse është vetëm 17 vjeçare, Maida Resulbegu tashmë ka bërë emër si sopranoja e parë në hapësirat shqiptare në Mal të Zi. Ka mbaruar Shkollën e Ulët të Muzikës në Ulqin dhe atë të Mesme në Kotorr, ndërkohë që vazhdon të mësojë për kanto te sopranoja e njohur Suzana Frashëri si parapërgatitje për Akademinë e Arteve.
Ajo thotë se zërin e ka dhunti nga Zoti, por shumëçka që ka arritur deri tani ia dedikon punës dhe sakrificës së madhe. Maida është fituese e disa çmimeve në nivel vendor dhe ndërkombëtar dhe ka marrë pjesë në shumë koncerte, madje përkrah emrave të njohur të muzikës. Dëshira e saj është që së shpejti të organizojë koncertin e saj të parë solistik.
Koha javore: Znj. Resulbegu, kur keni filluar të merreni me muzikë dhe si lindi dashuria Juaj për të?
M. Resulbegu: Me muzikë kam filluar të merrem qysh në moshën 6 vjeçare, më saktësisht me piano, kurse me kanto në moshën 14 vjeçare. Kam mbaruar me sukses Shkollën e Ulët të Muzikës në Ulqin, kurse më pas Shkollën e Mesme të Muzikës në Kotorr për kanto, në klasën e prof. Mirela Shqasni. Tani vazhdoj të mësoj për kanto në Tiranë si parapërgatitje për Akademi të Arteve.
Koha javore: Pse u përcaktuat për kanto? Ishte dëshirë personale?jusuf lika
M. Resulbegu: Ia fillova nga kurioziteti edhe pse si fëmijë këndoja gjithmonë këngë të lehta. Drejtori i Shkollës së Muzikës në Ulqin, prof. Jusuf Lika ishte personi që më propozoi të filloja jetën time artistike në kanto.
Koha javore: Ke mësuar në Kotorr, kurse tani në Tiranë. Cili është dallimi sa i përket mënyrës së mësimit?
M. Resulbegu: Dallimi mes shkollës së Kotorrit dhe Tiranës është me të vërtetë i madh. Në fakt, kemi të bëjmë me një shkollë të mesme dhe Akademi dhe ndoshta edhe krahasimi nuk është i mundur. Sigurisht Akademia ku unë i bëj mësimet është në nivel shumë të lartë.
Koha javore: Çfarë ofron konkretisht Tirana?
M. Resulbegu: Tirana ofron mundësi shumë të mëdha për mua. Mundësia më e madhe është që mund të bëj një mësim të mirëfilltë çfarë është shumë e rëndësishme për moshën time.
Koha javore: Pse zgjodhët sopranon prof. Suzana Frashërin për të vazhduar përgatitjen Tuaj për kanto?
Maida Resulbegu: Është profesoreshë e cila kërkon disiplinë dhe punon me shumë pasion.
Koha javore: Gjithnjë në koncerte Ju shohim nën përcjelljen e pianistes Merita Subashiq?
M. Resulbegu: Po, është e vërtetë. Merita më përcjellë në çdo koncert në vend. Unë e ndiej veten shumë të sigurt nën përcjelljen e saj. Ajo më njeh mirë pasi që më ka shoqëruar rregullisht qysh në fillimet e mia.
Koha javore: Çfarë keni dhunti dhe çfarë keni arritur me punë në karrierën Tuaj të deritashme?
M. Resulbegu: Mendoj se zërin e kam dhunti, edhe pse nivelin e tashëm të këndimit e kam arritur me një punë dhe sakrificë shumë të madhe.
Koha javore: Kur jeni ndjerë më së miri në skenë?
M. Resulbegu: Artisti pa skenë është si zogu në kafaz. Ndoshta koncerti që e mbaj në mend është koncerti im i parë.
Koha javore: Po më së keqi?
M. Resulbegu: Asnjëherë nuk ndjehem keq në skenë.
Koha javore: Ju ka tradhëtuar ndonjëherë zëri?
M. Resulbegu: Ndodh, por gjithmonë në skenë mundohem të jap maksimumin dhe kam besim te vetja.
Koha javore: Këngët e cilëve kompozitorë pëlqen tzi këndosh më tepër?
M. Resulbegu: Më pëlqejnë të gjithë, por do të veçoja Rossinin, Mozzartin dhe Verdin.
Koha javore: Çfarë do të thotë për Ju fakti që jeni sopranoja e parë në Ulqin dhe në hapësirën shqiptare në Mal të Zi?
M. Resulbegu: Ulqinit dhe shqiptarëve në Mal të Zi në përgjithësi nuk u ka munguar kurrë talenti muzikor, por unë pata fatin të jem e para që arrita tzi shpalosi këto vlera artistike muzikore në fushën e muzikës klasike.
Koha javore: Ke marrë pjesë në shumë koncerte dhe aktivitete të ndryshme, por deri tani nuk ke pasur koncert solistik. Kur planifikon të kesh koncertin e parë solistik?
M. Resulbegu: Mendoj ta kem këtë verë. Ai do të jetë i përgatitur enkas për turistët dhe bashkëvendasit e mi në Ulqin.
Koha javore: Tashmë i jeni futur rrugës së muzikës. A e keni ndarë mendjen për të vazhduar Akademin e Arteve?
M. Resulbegu: Po, e them me kuptimin e plotë të fjalës. Dhe do të regjistrohem në klasën e zyshes sime të tashme, prof. Suzana Frashëri, në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Koha javore: Ku e shihni veten në të ardhmen?
M. Resulbegu: Të ardhmen time e shoh në Mal të Zi, pasi që besoj se do të mzi ofrojë të gjitha mundësitë që të veproj dhe punoj këtu.
Bisedoi: I. Kallaba
KOHA JAVORE