Të dielën në podgoricë u mbajt kampionati i malit të zi në taekwondo

KK_Ulqini_juniorPesë kampionë nga “Ulqini”
Klubi i Taekwondo-së “Ulqini” fitoi dy kupa dhe 17 medalje. Përkundër këtyre rezultateve, drejtuesit e KT “Ulqini” janë të pakënaqur për shkak të arbitrimit të njëanshëm që sipas tyre, i dëmtoi edhe për disa medalje.
Federata e Taekwondo-së së Malit të Zi organizoi të dielën në Podgoricë Kampionatin e rregullt për vitin 2008 për pionerë dhe juniorë. Klubi i Taekwondo-së “Ulqini” fitoi dy kupa dhe 17 medalje, prej të cilave pesë të arta, shtatë të argjendta dhe pesë të bronzta.
Kampionë të Malit të Zi u shpallën Arben Kollari, Medina Kanaqi, Nail Karamanaga, Flamur Mustafiq dhe Allmedin Sukaliq. Me medalje të argjendtë u kurorëzuan Adnan Hasiq, Adnan Haxha, Artan Fici, Bojan Vladisavleviq, Boban Vladisavleviq, Ardijana Karamanaga dhe Arjeta Zati, ndërsa me medalje të bronztë Artan Zenuni, Leonard Dobreci, Ardijan Zenuni, Hajdar Boleviq dhe Besnik Shata.
Përkundër këtyre rezultateve, drejtuesit e KT “Ulqini” janë të pakënaqur për shkak të arbitrimit të njëanshëm që sipas tyre, i dëmtoi edhe për disa medalje.
“Klubi ynë arriti disa rezulatate të lakmueshme, por ne mund të kishim së paku edhe tre kampionë të tjerë në Mal të Zi sikur referët të tregoheshin më të ndërgjegjshëm”, thotë trajneri Fikret Dushku.
Ai thotë se KT “Ulqini” nuk do të pajtohet me këtë lloj diskriminimi në të ardhmen.
“Ne nuk kërkojmë që garuesit tane të fitojnë me çdo kusht, por thjesht duam që të respektohet dinjiteti i sportistit, ndërsa fitorja i takon më të mirit dhe ne për këtë e urojmë pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë”, thotë trajneri Dushku.
Udhëheqësia e KT “Ulqini” shpreh pakënaqësi ndaj Federatës së Taekwondo-së së Malit të Zi për shkak të nivelit të ulët të arbitrimit, që sipas tyre ndikoi që garuesit e këtij klubi, Arijeta Zatoviq, Artan Fici dhe Artan Zenuni të mos shpallen kampionë të Malit të Zi.
KT “Ulqini” ka paralajmëruar se nëse në të ardhmen përsëritet diçka e tillë dhe nuk merren masa disiplinore, do t`i bojkotojë të gjitha garat zyrtare që organizohen nga Federata e Taekwondo-së e Malit të Zi.
Madje ata i kanë dërguar një letër kësaj federate në të cilën thuhet se ky klub “nuk mund ta tolerojë një padrejtësi kaq haptas” ndaj garuesve të tij dhe se kërkon “respekt dhe dinjitet për të gjithë sportistët, pa diskriminime, ashtu siç e meritojnë ata”.
(Kohapress)

YouTube Preview Image