Mbi këshillin nacional shqiptar,Këshilli i segregacionit

APARHEJD NE MAL TE ZIFemrat e një kombi që e ka dhënë, çfarë ironie, femrën më të fuqishme të kohës moderne, siç e kanë cilësuar në Perëndim, Nënën Terezë, duhet të luftojnë për të drejtat e tyre themelore, ato që i takojnë fillimit të shekullit XX e jo XXI.
Këshilli nacional i një pakice kombëtare duhet të paraqesë atë që është më e mirë dhe më reprezentative në një minoritet. Kështu ndodh në botën e demokracisë qytetare. Por jo edhe te ne, sepse ne jemi larg çdo qytetërimi. Dy javë më herët, në Ulqin u bë konstituimi i Këshillit Nacional të shqiptarëve që është më mirë të quhet Këshilli i turpit. Nuk kam menduar të shkruajë fare për një gjë të pashpresë siç është përbërja e tij, por, më shtynë fjalët e shkrimtarit nga Ulqini, z. Asllan Bisha, i cili reagoi fuqishëm kundër diskriminimit të femrave në këtë rast, dhe e përmendi emrin tim si një nga ata që është dashur të jetë në këtë Këshill (KJ, 15 maj,f. 6). Përveç kësaj arsye, si person që është prezent në opinion publik, kam obligim dhe apel nga shumë femra intelektuale në Malësi, që të reagojë lidhur me këtë segregacion. Nuk do të diskutoj për vetë idenë dhe mënyrën e formimit të këtij trupi, por do të flas për rezultatin, pra, atë që shihet. Mund t`i veçojmë dy elemente:
Kush është në Këshill?Gjithë partit politike ne mal te zi
Anëtarët që e përbëjnë Këshillin, së paku pjesa dominuese e tyre, si ata që kanë hyrë sipas automatizmit të funksionit të tyre politik (partiak, sepse edhe në funksione politike janë impostuar përmes partive), ashtu edhe ata që kanë hyrë si individë, janë ajo që quhet reliquiae reliquiarum të një populli. Ata që nuk e kuptojnë termin e përmendur, le t`i marrin fjalorët, mos të marrin mësime pa kompensim përmes gazetave. Nëse mua duhet të më përfaqësojnë individët e këtij niveli, nuk më nevojitet kësisoj përfaqësimi.
Kush janë anëtarët e Këshillit? Do të përkufizohem në pjesën e anëtarëve nga Malësia. Ka aty njerëz të cilët kurrë nuk e kanë thënë asnjë fjalë publikisht, qoftë pranë foltorës, qoftë në media, edhe pse disa prej tyre i mbajnë postet politike në partitë e tyre dhe në qeverisjen lokale dhe si të tillë janë impostuar në këtë Këshill. Kë mund të përfaqësojnë ata të cilët nuk kanë guxim qytetar, ose nuk kanë dije t`i flasin dy fjalë publikisht? Cilat janë “meritat” e tyre për minoritetin shqiptar, për t`u impostuar në një trup kaq të rëndësishëm.
Nëse nisemi prej supozimit se është e natyrshme që një popull duhet të përfaqësohet nga më të mirët, atëherë nuk është dashur të vendosë faktori politik dhe partiak. Është dashur të gjendet mundësia të ketë edhe pjesëtarë të klerit (me qëllim nuk them “përfaqësues”, sepse më tingëllon burokratike dhe lind asociacione të posteve kierarkike.) Është mirë të na përfaqësojnë njerëzit të cilët janë dëshmuar në popull si tolerantë dhe paqësorë. Në një opcion të një Këshilli ideal, ata do të kandidoheshin si të gjithë qytetarët, pra, jo sipas delegimit nga ana e institucionit fetar, por, pikërisht si person i caktuar, me emër dhe mbiemër. Sepse, neve na nevojiten njerëzit që shquhen për tolerancë dhe kanë ndikim paqësues në momentet e vështira ndërfetare dhe autoritet te pjesëtarët e të dy besimeve.
cenimi i drejtave te femravePartenogjeneza
Me konstituimin e përbërjes së këtij Këshilli, shqiptarët e dëshmuan, më në fund, se janë i vetmi popull në botë që mund të shumëzohet pa gjini të kundërt. Fakt është se, përveç një partie e cila i favorizon femrat dhe ka mjaft femra në poste të rëndësishme partiake, partitë e tjera shqiptare në Mal të Zi nuk kanë femra as ndër anëtarë, se, lëre më, në poste, qofshin ato edhe me peshë simbolike. Sepse, partitë tona janë shndërruar në grupe të interesit.
Vjet, në nëntor, në tryezen e rrumbullakët, organizuar në Ulqin nga OJQ “Horizonti i Ri” e kam shtruar çështjen e kuotave për femra dhe kam propozuar që ligji për Këshillin të modifikohet sa nuk është bërë vonë ende, dhe për femra të parashihen, së paku, 1/3 e vendeve në Këshill. Ndërsa, të mos flas që femra, nëse është intelektuale e pavarur, është dyfish e hendikepuar sepse nuk mund të llogarisë në mbështetjen e establishmentit politik ( partive politike). Pa mbështetje të organizuar (mbledhja e nënshkrimeve në terren për personin e caktuar dhe marrëveshja mes elektorëve para se të fillojë Kuvendi elektoral), nuk mund të arrihet asgjë në këtë drejtim.
Edhe kjo është dëshmi se partitë shqiptare, në përgjithësi, nuk kanë strategji dhe vizion të veprimit afatgjatë dhe se veprojnë ad hoc. Çfarë mund të presim nga një “potencial” i tillë që duhet të na udhëheqë dhe i cili ka dhënë kësisoj anëtarësh për një Këshill që duhet të jetë reprezentativ për shqiptarët e Malit të Zi?
Çfarë të bëhet?
Segregacioni gjinor i femrës shqiptare në Mal të Zi, është çështje me të cilën duhet të merren urgjentisht organizatat dhe institucionet për të drejtat e njeriut në këtë shtet, por, edhe në suazat gjithëshqiptare. Ne, që kemi pasur rast të jetojmë në mjedise të tjera shqiptare, e dijmë se femra shqiptare në Malësinë e Madhe gjendet në pozitë aq të vështirë në krahasim me pjesët e tjera të Kombit, sa që mund të thuhet se i takon, jo vetëm rendit të fundit të qytetarëve, por, gjendet edhe jashtë çdo mundësie të vendos për vetvetën, se lëre më të vendosë për çështjet e rëndësishme në shoqëri. Në politikë, femra nuk ekziston fare, ajo është e ekskomunikuar, sikur në Indi që janë shudrat, që nuk i takojnë as kastës më të ultë. Moszgjedhja e asnjë femre në këtë Këshilli, është shokante, por, është edhe më shokante se asnjë parti shqiptare nuk e ka gjetur të udhës të punojë në kandidimin, mbështetjen dhe lobimin për sa më shumë femra në fushatën elektorale. Jo, ato e kanë paramenduar këtë Këshill si vazhdim të ndejave të përditshme nëpër kafe, ku janë mësuar t`i zgjidhin çështjet jetike për ne, mortarë të thjeshtë. Politika e kafeve edhe na ka sjellur deri aty që asnjëri nga këta që vendosin për jetën tonë, nuk ka bërë asgjë, së paku të interesohet se a ka femra në Malësi të kandidohen për Këshill, se lëre më t`i japin përkrahje dhe të bëjnë lobim në favor të saj.
Çfarë mund të bëhet në këtë situatë, edhe pse është vonë.
– Për nga fakti se është bërë segregacion i rëndë dhe shkelja e të drejtave themelore njerëzore, kjo do kishte qenë, në rend të parë, detyrë e Ombudsmanit të Malit të Zi, por, siç është treguar indiferent në shumë çështje, nuk ka shpresë se ky do të reagojë as në këtë rast.
– Do të ishte mirë që të angazhohet Zyrja e Qeverisë për Barazinë Gjinore, Komiteti Malazez i Helsinkit dhe të vazhdohet ashtu siç e parasheh procedura e rregullt, deri në Gjykatën e Strasburit.
– Është për çudi që nuk ka reaguar asnjë zyre avokati dhe asnjë avokat shqiptar që merret me të drejtat e njeriut. Duhet të reagojë, dhe nuk është vonë ende, së paku për shkak të kredibilitetit moral, edhe zyrja e organizatës shqiptaro – amerikane “Atdheu na bashkon” në Tuz, sepse me rastin e hapjes së saj, është thënë se detyra e tyre parësore do të jetë angazhimi në lëmin e të drejtave njerëzore. Si ka qenë e mundur që një segregacion i tillë të kalojë nga të gjithë ata pa u vërejtur dhe pa reaguar.
– Ku janë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi? Dy prej tyre janë nga Malësia, ndërsa, dihet se në këtë enklavë shqiptare, pozita e femrës është më e vështira në mbarë kombin tonë. Ky nuk është pohim imi, këto janë pohimet e femrave në kontakte të përditshme, të cilat janë të revoltuara me apartheid gjinor. Deputetët shqiptarë, nëse e përfaqësojnë me të vërtet vullnetin e popullit, duhet ta procesuojnë çështjen e këtij segregacioni në adresat e duhura.
Është luks tepër i madh që kjo gjë të lëshohet të kalojë kaq lehtë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Unë nuk dëshiroj që për mua të vendosin të paaftit, sepse ne nuk jemi popull gbejanash. Andaj, femrat shqiptare në Mal të Zi duhet të ndërmarrin hapa që të organizohen dhe t`i mbrojnë të drejtat e tyre. Femrat e një kombi që e ka dhënë, çfarë ironie, femrën më të fuqishme të kohës moderne, siç e kanë cilësuar në Perëndim, Nënën Terezë, duhet të luftojnë për të drejtat e tyre themelore, ato që i takojnë fillimit të shekullit XX e jo XXI.
Xhoana M. Perkaj
xhoanaperkaj@yahoo.com
KOHA JAVORE

Holiday accommodation in Ulcinj, Montenegro