Intervistë me kryetarin e Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj

August 4, 2008   | Intervista / Intervju, Shtypi / Mediji

Ti dalim zot Malësisë
Gjergj Camaj, u lind në fshatin Vuksanlekaj afër Tuzit. Me profesion është jurist i diplomuar. Është i martuar dhe punon në një firmë private. Në Kuvendin themelues të Alternativës Shqiptare, Camaj u zgjodh për kryetar.
Koha javore: Pas dy viteve veprimtarie si OJQ, “Iniciativa Qytetare”, ASH u zyrtarizua si parti politike. Cilat do të jenë prioritetet Tuaja si drejtues i kësaj partie ?
Gj. Camaj: Siç është e ditur, Iniciativa Qytetare lindi si lëvizje për të kanalizuar energjinë e akumuluar rreth kërkesës për komunë të plotë të Malësisë. Fillimisht ajo u përkrah nga shumë individë, madje edhe anëtarë të asociacioneve të ndryshme, të cilët patën vullnet që të ndihmojnë këtë lëvizje, e cila shumë shpejt u masovizua, çka e dëshmuan edhe protestat e njëpasnjëshme, ku merrnin pjesë mijëra banorë të Malësisë. Si lëvizje qytetare hyri edhe në zgjedhjet e 10 shtatorit 2006, ku së bashku me LD në MZ-dega e Malësisë fituam më së shumti vota, ndonëse jo shumicën absolute. Koha e dëshmoi se politikisht nuk mund të veprohet me sukses pa u shndërruar në subjek politik, kështu që ne vendosëm që këtë lëvizje ta regjistrojmë si parti politike. Prioritetet e mia si udhëheqës, tashti i partisë ASH, mund të kërkohen në prioritetet që kishte Iniciativa Qytetare. Fakt se është IQ ishte formuar me qëllim që tzi dalë zot Malësisë, duke përkrahur formimin e komunës, mirëpo të vetëdijshëm se për këtë çështje vendoset në nivele më të larta, ne në zgjedhjet e kaluara, e besoj se ashtu do të bëjmë edhe në të ardhmen, kërkuam përkrahjen për të prodhuar edhe deputetin. Sidoqoftë, çdo veprimtari e jona edhe në të ardhmen do të lidhet me angazhimet për ndërrimin e statusit të Malësisë në komunë të plotë, në mënyrë që edhe Malësia të ketë administratën e plotë si edhe të gjitha komunat e tjera në Mal të Zi. Aspiratë tjetër e jona do të jetë që komunën e Malësisë ta qeverisim ne, ose më mirë të them, ta qeverisim së bashku me ata që mendojnë dhe veprojnë shqip. ASH gjithnjë do të angazhohet që të jetë në shërbim të popullsisë lokale, çka e kemi dëshmuar edhe me punën e deritashme.
Koha javore: Si e vlerësoni veprimtarinë e këtij subjekti brenda kësaj periudhe ?
Gj. Camaj: Vlerësimin më të mirë mund ta japin ata që na e dhanë besimin dhe besoj se përgjigjen adekuate do ta fitojmë në zgjedhjet e radhës. Sidoqoftë, jam më se i bindur se ne i kemi ndejtur besnikë asaj për çka kemi folur që nga fillimi, por është e njohur se nuk varet gjithçka nga ne, për faktin se nuk e kemi shumicën absolute, po aq edhe nga fakti se mekanizmat kontrollues të shtetit janë tejet të centralizuar dhe madje as komunat e plota nuk po mund të vendosin për shumëçka, si bie fjala për bregdetin, për pyjet, për vreshtat etj. Si do që të jetë, angazhimet nuk kanë munguar, as nuk do të mungojnë në të ardhmen, as në raport me kërkesën permanente për Komunë, as në raport me shumë kërkesa që presin zgjidhje në shkallë më të lartë, ku deputeti ynë angazhohet për ndryshimet adekuate të ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave.
Koha javore: Çfarë e dallon ASH nga subjektet e tjera politike shqiptare në Mal të Zi ?
Gj. Camaj: Vetë emri i subjektit flet për një alternativë të re, e cila ndoshta në kuptimin teorik të ndryshueshmërisë nuk ofron shumë, pasi që edhe subjektet e tjera kanë potencuar kërkesa të ngjashme me tonat. Mirëpo, në praktikë ASH ka vepruar disi ndryshe, e këtë ndryshim e ka vërejtur edhe popullsia lokale, e cila na ka dhënë besimin.
Në aspektin organizativ, ASH ka një ndryshim nga të tjerët, që mund të them se është mësim nga gabimet e tyre, sepse statusi ynë nuk lejon dyfishimin e pozitave. Kështu që nuk ka mundësi keqpërdorimi, apo krijimit të subjektit politik që do të varej vetëm nga një emër. Po ashtu dua të potencoj edhe faktin se ASH, mjetet që i merr nga buxheti, pra që i takojnë me ligj nuk i ruan në rezerva, as nuk i vë në shërbim të një luksi partiak, por ato i ndan me qytetarë, duke financuar aktivitete në vise të ndryshme të Malësisë, duke ndihmuar familjet në nevojë, e sidomos në furnizim me ujë të pishëm.
Koha javore: Si qëndrojnë marrëdhëniet midis koalicionit në KU të Tuzit?
Gj. Camaj: Ne jemi në koalicion parazgjedhor me LD-në me të cilën fituam 10 mandate, çka nuk siguroi shumnicën absolute, kështu që patëm bërë një marrëveshje me PSP, të cilët në raport me komunën e Tuzit në opinion shprehin mendime të njëjta me ne. Së bashku me ta krijuam shumicë dhe ky njëmbëdhjetësh funksionoi normalisht deri në seancën e e 12-të të Kuvendit, kur ASH doli me propozimin e evt për referendum. Në të njëjtën kohë edhe PSP doli me propozimin e vet, kështu që momenti i ri krijoji situatë të re. Kjo shkaktoi një krizë që jo vonë u kapërcye me mirëkuptim, kështu që atyre që pritnin dhe dëshironin zgjedhje të parakohëshme u mbeten planet e parealizuara. Tani kemi një njëmbëdhjetësh stabil, ndonëse pa marrëveshje koalicioni me PSP. PSP-ja doli me deklaratën se do ta përkrahi koalicionin LD -ASH në ato raste kur ata ta vlerësojnë se është për të mirën e Malësisë, kurse në rastet e tjera vetëm do të bëjnë kuorumin. Sa i përket bashkëpunimit me LD-në, ai është në baza të shëndosha dhe mbështetet në mirëkuptim e tolerancë reciproke, ku çdo marrëveshje arrihet me kompromis. Shpresoj se me LD-në ndajmë shumë vlera, andaj nuk shoh nevojë që as në të ardhmen të paraqiten raporte tjera, edhe pse ka çështje për të cilat nuk mendojmë njësoj, çka është krejt e natyrshme në pluralizmin politik.
Koha javore: A është tërhequr ASH nga referendumi për komunë të plotë të Tuzit ?
Gj. Camaj: ASH nuk është tërhequr nga vlera kryesore që është pikënisje e veprimtarisë së saj, e ajo është komuna e plotë. Kjo është me rëndësi, kurse për rrugët e realizimit të këtij pikësynimi ne vazhdojmë të punojmë e të konsultohemi me partnerët tanë dhe me miqtë e shumtë, si këtu, ashtu edhe në diasporë. Nga referendumi natyrisht se nuk kemi hequr dorë dhe atë e shohim vetëm si njërën nga rrugët dhe mundësitë për të arritur objektivin tonë. Por, nëse ajo do të mund të arrihet me mjete tjera, ne referendumin nuk e mbajmë për libër i shenjtë që të lidhemi vetëm për tij. Natyrisht se si kryetar do të përkrahi çdo vendim definitiv që do të marrë kryesia e partisë.
Koha javore: Dhe në fund z. Camaj çfarë ju shtyri që të merreni me politikë?
Gj.Camaj: Ndoshta pyetja më me vend do të ishte e bërë anasjelltas. Pse deri tani nuk u kyçe në politikë? Përgjigjen komplete do të lë për një rast tjetër. Kurse sot mund të them se nevoja ime që të kontribuoj në drejtim të themelimit të komunës për Malësinë më shtyri që të mos rri anash. Kjo nevojë imja sidomos vinte duke u rritur nga ftesat e shumta, sikurse edhe nga individë të tjerë në Malësi dhe nga dashamirët e kësaj lëvizjeje. Ajo që mua më jep forcë dhe vullnet është fakti se mendoj se rreth vetes kemi një ekip të mirë dhe plot vullnet për ta çuar çështjen tonë përpara. Sikurse iu bashkangjita unë, pres që të na bashkangjiten edhe shumë të tjerë e ti dalim zot Malësisë, se ajo ka nevojën e çdo biri të saj.
Burimi / Kohapress